Nuk ka projekt për rikonstruktimin e rr. “Risto Krle” në Strugë, premtimi mbetet vetëm zotim parazgjedhor

Autoritetet lokale në Strugë thonë se nuk ka projekt për rekonstruktimin e rrugës “Riste Krle”. Përderisa qytetarët struganë shprehen se rekonstruktimi kësaj rruge është shumë i rëndësishëm për ta punimet rreth realizimit të këtij premtimi elektoral nuk do të fillojnë as këtë vit shkruan Portalb.mk. Ky ishte premtim parazgjedhor i kreut të Strugës, Ramiz Merko dhe nga vëzhgimi në terren vlerësojmë se ky premtim ende nuk është realizuar.

Në terren nuk vërehet se ka pasur ose do të ketë ndonjë lëvizje për fillimin e punës për realizimin e këtij premtimi parazgjedhor. Duke u bazuar në programin zgjedhor që i siguroi edhe një mandat në krye të Komunës së Strugës kandidatit të BDI-së, Ramiz Merko, me pyetjen “Një ndër premtimet tuaja elektorale ishte asfaltimi i rrugës Risto Krle. A keni një projekt konkret për këtë premtim, sa është buxheti i paraparë dhe kur planifikohet të nisin punimet?” -redaksia u drejtua deri tek Komuna e Strugës.
“Për rrugën “Risto Krle” nuk ka projekt bazë, prandaj nuk është vendosur në grupin e projekteve për rikonstruksion, kurse nga ana tjetër, kjo rrugë për momentin është në gjendje të mirë”, deklaruan nga Komuna e Strugës.
Përderisa nga Komuna e Strugës shprehen se kjo rrugë është në gjendje të mirë situata në terren flet ndryshe. Të revoltuar me gjendjen e rrugës dhe kaosin në komunikacion që shkaktohet shprehen dhe qytetarët.
“Po sigurisht se ka nevojë të rregullohet kjo rrugë. Këtu është spitali i qytetit, ka nevojë për më shumë hapësirë dhe më shumë rend. Këtu shpesh ndodh të bllokohet komplet rruga dhe të mos mundet të kalojë assesi as Ambulanca”, u shpreh një i moshuar.
“Ka nevojë për më shumë organizimi. Çdo ditë këtu është kaos, mos flasim për sezonin e verës kur kthehen mërgimtarët dhe ka shumë turistë”, tha një kalimtar i rastit.
Me programin për ndërtim, rekonstruktim, rehabilitim, mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve lokale për vitin 2023 Komuna e Strugës ka ndarë buxhet prej 74.000.000,000 DEN, por me sa duket për këtë vit nuk ka shpresë për përmbushjen e premtimit parazgjedhor në Agjendën e Blertë se në Strugë do të rekonstruktohet rruga “Risto Krle” me gjatësi prej 770 m. Në këtë rast Portalb.mk vlerëson se ky premtim i kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, mbetet i parealizuar.
BURIMET:
- Programi zgjedhor 2017-2021 “Agjenda e Blertë” ( faqe 46), verifikuar më 29.01.2023.