NP “Parqe dhe gjelbërime”: Zjarri është shkaktuar qëllimisht, autori i panjohur

NP “Parqe dhe gjelbërime” ka reaguar pas ngjarjes së mbrëmshme, ku hapësira të kësaj ndërmarrje u përfshin nga zjarri, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo ndërmarrje kanë bërë të ditur se zjarri ka përfshi pjesët e arkivit, depos dhe hapësirat e sektorit të financave.

“Pas reagimit të shpejtë të rojtarëve dhe intervenimit të shpejtë të brigadës së zjarrfikësve zjarri është shuar në kohë dhe nuk është shkaktuar dëm më i madh material, të gjitha dokumentet janë ruajtur, si dhe hapësirat e ndërmarrjes”, thuhet në reagim.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe një ekip i MPB-së për të konstatuar se si është shkaktuar zjarri. Inçizimet e kamerave të sigurisë dëshmojnë se zjarri është shkaktuar nga një autor i panjohur.

“NP Parqe dhe gjelbërime dënon ashpër këtë akt të zjarrvënies së qëllimshme në hapësirat e ndërmarrjes dhe do të bashkëpunojë në mënyrë aktive me organet kompetente në mbledhjen e dëshmive për zbardhje të rastit, gjetjen e autorëve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë”, thuhet në reagimin e tyre.

Kujtojmë se, mbrëmë pas mesnate ka shpërthyer një zjarr në barakat ku janë të vendosur drejtori dhe të punësuarit në NP “Parqe dhe Gjelbërime”. Barakat ndodhen te fidanishtja në rrugën “Ilindenska” në Komunën e Karposhit.

“Ka pasur paraqitje 30 minuta pas mesnate dhe është intervenuar deri në orën 1:40 me një automjet dhe tre zjarrfikës. Është përfshirë sipërfaqe prej 20 metra katrorë, ndërsa dëmi i shkaktuar material nuk është konstatuar”, tha Zvonko Tomeski, komandant i Zjarrfikësve të Shkupit.

Kjo është hera e dytë brenda një viti që digjen hapësira të ndërmarrjeve publike nën kompetenca të Qytetit të Shkupit. Në dhjetor të vitit 2021, u dogjën hapësirat e NP “Rrugë dhe rrugica”, pasi një veturë e parkuar afër barakave, u përfshi nga zjarri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button