Abazoviç për “Ballkanin e Hapur”: Rajoni ka nevojë për këtë nismë

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, sot nga Tirana ka deklaruar se mbështet nismën “Ballkani i Hapur”, duke shtuar se rajoni ka nevojë për këtë nismë, transmeton Portalb.mk.

Pas ceremonisë së dekorimit me titullin “Doctor Honoris Causa” në Tiranë nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, Abazoviç, mes temave për politikën në Mal të Zi, ndikimin rus, foli edhe për nismën “Ballkani i Hapur”.

Ai theksoi se atje gjenden dy grupacione mjaft të mëdhenj, një që është në favor dhe tjetri i cili nuk është në favor.

“Unë jam ai që jam në favor, jam shumë transparent lidhur me atë çështje. Mendoj se rajoni ka nevojë dhe kjo është shumë gjë e thjeshtë me u kuptuar. Ne jemi në Procesin e Berlinit, jemi dhe në iniciativa të tjera njësoj si Shqipëria, në shumë iniciativa të tjera dhe nuk shoh asnjë problem që me pas edhe një iniciativë ku Mali i Zi me marrë pjesë”, u shpreh Abazoviç.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kjo nismë, siç thuhet ka qëllim për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajon. Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj. Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen, duke argumentuar se nisma është e panevojshme pasi bashkëpunimi ekonomik rajonal tashmë është pjesë e agjendës së integrimit në BE dhe nismave të tilla si Procesi i Berlinit. Deri më sot në kuadër të kësaj nisme janë mbajtur disa aktivitete të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button