Punëtorët e “Ujësjellësit dhe Kanalizimit” të Tetovës në protestë dhe grevë: Rroga të vonuara dhe pa sigurim shëndetësor

Punëtorët e “Ujësjellësit dhe Kanalizimit” të Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” kanë hyrë në grevë të përgjithshme për shkak se disa muaj nuk kanë marrë rrogë. Këtë e deklaruan punëtorët të cilët sot protestuan para kësaj njësie, transmeton Portalb.mk.

Ky problem sipas të punësuarve është shumëvjeçar. Ata thonë se edhe sigurimi shëndetësor nuk u paguhet ashtu siç duhet, por, vetëm për disa ditë të muajit.

Sipas tyre, ata që janë me kontrata në vepër nuk kanë marrë paga për tre muaj e gjysmë, ndërsa ata me vendim për dy muaj e gjysmë. Ky sektor ka rreth 80 të punësuar ndërsa mëngjesin e sotëm kanë marrë premtimin se nga e marta do t’u paguhet një rrogë.

Ata shprehen se nëse ndodh ndonjë defekt në rrjetin e ujësjellësit, nuk do dalin në terren të marrin masa. Defektet e rrjetit të ujësjellësit ndodhin shpesh, të paktën e kaluara e ka dëshmuar këtë se defektet paraqiten shpesh gjatë dimrit.

“Ne kemi sigurim për pesë ditë në fund të muajit. Nuk do të dalim në terren derisa të marrim rrogat që na takojnë, nuk kërkojmë rritje, nuk kërkojmë bonus, por kërkojmë atë që na takon. Mjaft me gënjeshtra, do të ketë këtë muaj, do të ketë atë muaj. Zoti na ndihmoftë pa sigurim shëndetësor, kemi dhjetë vjet pa sigurim shëndetësor”, u shpreh një punëtor.

“Uji është burim strategjik dhe këta janë punëtorë strategjikë, ndaj nuk duhet të ketë probleme të tilla me vonesa në paga. Përveç kësaj, ne mezi e mirëmbajmë sistemin, përballemi me vështirësi të mëdha, nuk dalim në terren, kështu që edhe nëse ka një defekt në ujësjellësin e ri, ne do të qëndrojmë në atë pozicion deri në përmbushjen e premtimeve të panumërta që kemi marrë”, tha një punëtor tjetër.

Nga ana tjetër, udhëheqësia e këtij sektori theksoi se punëtorëve do u paguhen pagat, por që ka disa probleme teknike në llogarinë e Komunës së Tetovës.

“Jemi në proces të pagesës së pagave, vetë vendimi i Këshillit të Komunës së Tetovës për të paguar 25 milionë denarë për obligimet ndaj punëtorëve me kontratë në vepër, do të na lehtësojë në pjesën e pagesës së punëtorëve që janë me vendimet. Jemi në drejtimin e duhur për zgjidhjen e këtij problemi dhe shpresojmë që brenda një muaji deri në dy ta zgjidhim atë problem. Kemi problem me xhiro llogarinë e komunës dhe kemi problem me thesarin”, deklaroi Lulzim Shaqiri, udhëheqës i “Ujësjellësit dhe Kanalizimit”.

Zgjidhja për këtë problem shumëvjeçar shihet te ndarja e “Ujësjellësit dhe Kanalizmit” si dhe “Higjienës Komunale” nga NPK-ja në subjekte të reja juridike.

Ky proces tani më ka filluar, pasi Këshilli Komunal në seancën e fundit, miratoi vendimin që veprimtaria e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” do të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë: Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Ndërsa, nën NPK-në aktuale do të mbetet departamenti i varrezave ortodokse, parqet dhe gjelbërimi si dhe tregu i qytetit.

“Menaxhimi i subjekteve të veçanta juridike do të jetë shumë më i thjeshtë dhe kështu menaxhimi financiar do të jetë më praktik”, tha Shaqiri.

Kujtojmë që muajin e kaluar, protestuan edhe punëtorët e sektorit të “Higjienës Komunale”, për të njëjtën arsye, pasi për disa muaj nuk kishin marrë paga. Këshilli Komunal në mbledhjen e mbajtur me 17 nëntor, votoi të subvencionojë NPK-në me 25 milionë denarë për shlyerjen e pagave të prapambetura të punëtorëve të angazhuar me kontratë në vepër. Por vonesa e pagesave sipas Komunës së Tetovës u arsyetua se ka problem administrative-teknike.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” një periudhë të gjatë ballafaqohet me probleme të likuiditetit që pamundëson kryerjen e obligimeve. E njëjta, për kohë të gjatë funksionon me llogari të bllokuar, ndërsa punon në bazë të vendimit të Gjykatës Themelore Tetovë për funksionim me anë të mjeteve minimale të nevojshme, si nevojë për mirëmbajtjen e nevojave të qytetit. Punëtorët e pjesës operative janë të lënë pas dore dhe në kushte jo të mira për punë për vite me radhë.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” sipas asaj që deklaruan përgjegjësit e saj në seancën e këshillit komunal me 17 nëntor, ka 440 të punësuar prej të cilëve 200 janë me kontratë në vepër, ndërsa rreth 80% e atyre me kontratë janë të angazhuar në pjesën operative, pra të higjienës komunale.

Borxhi aktual i NPK “Tetova” sipas asaj që kryetari i Komunës deklaroi me 3 nëntor është 10.116.800 euro apo 425 mijë euro më shumë se vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button