Islami dhe fati i të tjerëve

Njeriu është qenie që mendon, logjikon, që shtron pyetje. Ndër pyetjet themelore të jetës janë edhe këto: Kush jam unë?; Cili është qëllimi i jetës dhe i ekzistencës?; Nga apo ku shkoj unë pas vdekjes?… Këto pyetje sa janë filozofike, po aq janë edhe fetare. Sociologu francez Durkheim (vd. 1917) vë shenjë barazimi mes fesë dhe shoqërisë dhe pohon se fetë e mbajnë tok shoqërinë, se janë çimento sociale, se ato e krijojnë të ashtuquajturin identitet dhe solidaritet shoqëror,   “komunitet moral”, por  edhe i ndajnë njerëzit në kategoritë “ne” dhe “ata”, përmes gjuhës së të shenjtës dhe profanes, të parajsës dhe ferrit e të ngjashme (Brown, 2018).

Vepra e profesorit të studimeve fetare dhe të së drejtës në Universitetin e Miçiganit, Mohammad Hassan Khalil, Islami dhe fati i të Tjerëve, që ua prezantojmë këtë radhë, është një tekst që merret me çështjen e shpëtimit, me pyetjen “Ku shkojnë jomyslimanët pas vdekjes?”, duke ofruar mendime të mirargumentuara të dijetarëve nga historia klasike dhe ata të kohërave moderne. Pra, ai shtjellon një dimension relevant të një feje botërore, të Islamit si traditë ekumenike e pasur, më konkretisht narrativin soteriologjik islam, çështjen e fatit, përfundimit, vendmbërritjes ose destinacionit të jomyslimanëve në botën tjetër, zbërthen çështjen kontroverse dhe konsekuencionale të shpëtimit dhe ndëshkimit të tyre atje, në akhīreh. Autori vë nën vatër rrymat unike islame të ekskluzivizmit (përjashtimit, mallkimizmit: vetëm Islami shpie në shpëtim, jomuslimanët janë të mallkuar – Kur’ani, 3:85; ), inkluzivizmit (përfshirjes, optimizmit, universalizmit: Islami është udha e shpëtimit, por Zoti do t’i shpëtojë edhe jomuslimanët e sinqertë – Kur’ani, 17:15) dhe pluralizmit (perenializmi: Islami është një nga rrugët që shpien në shpëtim – Kur’an, 5:48; 2:62), duke shënuar se në literaturën islame mbizotëron e dyta, kurse kohëve të fundit sociologjikisht më aktuale janë qasja e parë dhe e treta. (Khalil, 2021)

Ky libër është një analizë e balancuar e një shkollari të mirëfilltë lidhur me qëndrimet e figurave me peshë të botëvështrimit islam si Gazaliu (vd. 1111), Ibn Arabiu (vd. 1240), Ibn Tejmijje (vd. 1328) dhe Reshid Rida (vd. 1935) lidhur me temën e rrjedhimeve të pranimit dhe refuzimit të mesazhit hyjnor, format e ndëshkimit si pasojë e  këtij refuzimi, me (pa)mundësinë e shëlbimit “të banorëve të zjarrit” e kështu me radhë.  Ai konstaton se këta mendimtarë kanë kaluar përtej eksplicites tekstuale (Kur’an dhe hadith), pa e kundërshtuar atë, ndërkohë që çështja e shpëtimit mbetet diskutabile, debatet sillen prej përfshimizmit të kufizuar, liberal, deri te përjashtimizmi i ashpër, nga epërsia islame, e deri te mëshira si normë. Ndër tekstet që Khalil-i ekzaminon në këtë vepër janë edhe ato të Ibn Kajjim el-Xhevzijjes, Mulla Sadras, Shah Velijullah Dehleviut, Muhammed Aliut nga Lahore, James Robsonit, Sejjid Kutbit, Jusuf el-Karadavit, Farid Esackut, Riza Shah-Kazemiut, T. J. Winterit, Muhammad Legenhausenit e të tjerë, që nënvizojnë besimin në drejtësinë absolute dhe në mëshirën e pafundme të Zotit.

Khalil-i, i cili është autor edhe i Jihad, Radicalism, and the New Atheism ([Xhihadi, radikalizmi dhe ateizmi i ri], Cambridge University Press, 2018) dhe i Muslims and US Politics Today: A Defining Moment ([Muslimanët dhe politika amerikane sot: Një moment përkufizues], ILEX and Harvard University Press, 2019), na dhuron një doracak të domosdoshëm mbi atë që ai e quan ligjëratë e shpëtimit (salvation discourse), një tekst me peshë për fakultetet e teologjisë dhe për teologët islamikë, në përgjithësi, që përveç se me veten, me myslimanët, në ligjërimet e tyre, fetarisht, merren edhe me të tjerët. Ky studim është një burim i mirë edhe për hulumtuesit e feve komparative, për sociologët e religjionit, filozofët dhe të tjerët që janë të interesuar për çështjet e  eskatologjisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button