Ukraina: Mbi 110 mijë trupa ruse janë vrarë në luftë

Kievi thotë se 111 mijë e 170 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë, që kur Rusia nisi pushtimin e vendit më 24 shkurt të vitit të kaluar, transmeton Radio Evropa e Lirë (REL).

Në përditësimin e fundit më 8 janar, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se 430 ushtarë të tjerë rusë ishin vrarë një ditë më parë.

Përditësimi i rregullt – i cili zakonisht është më i lartë se vlerësimet perëndimore – thotë gjithashtu se Rusia kishte humbur tri tanke dhe tri sisteme të tjera artilerie.

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, gjeneral i lartë amerikan, Mark Milley, tha se tha rreth 100.000 ushtarë rusë dhe rreth 100.000 ukrainas ishin vrarë ose plagosur në luftë, shifra më e lartë e përmendur deri më tani nga një zyrtar perëndimor.

Edhe Kievi, edhe Moska kanë qenë jashtëzakonisht të kujdesshme në zbulimin e ndonjë shifra të viktimave që kur nisi lufta.

Rusia i klasifikon vdekjet ushtarake si sekrete shtetërore dhe rrallë herë ka përditësuar shifrat e saj zyrtare të viktimave.

Ushtria ruse pretendoi të dielën se kishte kryer një sulm të përgjakshëm me raketa në dy kazerma që përdoren nga trupat ukrainase, por zyrtarët ukrainas i hodhën poshtë pretendimet për viktima, transmeton Zëri i Amerikës (VOA).

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se raketat kishin goditur dy baza të përkohshme në Kramatorsk të rajonin të Donetskut, ku ndodheshin 1300 trupa ukrainas, duke vrarë 600 prej tyre. Zëdhënësi i Ministrisë Igor Konashenkov tha se sulmet ishin një akt hakmarrjeje për sulmin e Ukrainës në Makivka, gjatë të cilit u vranë të paktën 89 ushtarë rusë.

Zëdhënësi i forcave të Ukrainës që luftojnë në lindje të vendit, Serhii Cherevatyi, tha për agjencinë ‘Associated Press’ se si pasojë e sulmeve të trupave ruse në Kramatorsk, ishte shkaktuar vetëm dëme në infrastrukturën civile, por jo viktima në radhët e forcave të armatosura të Ukrainës.

Në orët e para të 1 janarit, forcat ukrainase qëlluan me raketa një objekt në Makivka, po në rajonin e Donetskut, duke vrarë disa dhjetra ushtarë rusë. Ai u cilësua si një nga sulmet më të përgjakshme ndaj forcave të Kremlinit që nga fillimi i luftës më shumë se 10 muaj më parë.

Të dielën, ushtria ukrainase pretendoi se kishte goditur një sallë në një universitet në Rubizhne, një qytet në rajonin lindor të Luhansk, të pushtuar nga Rusia, duke vrarë 14 ushtarë rusë. Numri i të plagosurve nuk dihet ende.

Zhvillimet e fundit vijnë pasi forcat ruse i dhanë fund një armëpushimi që u respektuar pjesërisht, i cili u vendos nga Moska me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button