Viti 2022 me rritje të udhëtarëve në aeroportet e Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës

Viti 2022 ka qenë vit rimëkëmbje për aviacionin, me rritje të madhe në krahasim me vitet e pandemisë. Aeroporti i Tiranës, me mbi 5 milionë udhëtarë gjatë vitit, ka performuar më mirë në krahasim me Prishtinën dhe Shkupin.

Aeroporti i Tiranës, i Prishtinës dhe ai i Shkupit kanë regjistruar rritje të fluturimeve dhe udhëtarëve gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021. Viti që lamë pas ishte vit i rimëkëmbjes së fuqishme pas-pandemike edhe për aviacionin. Heqja e ndalesave dhe kufizimeve për udhëtim bëri që numri i udhëtarëve të rritet ndjeshëm dhe në aeroporte të kthehet trafiku i zakonshëm.

TRT Balkan sjell performancat e tri aeroporteve të rajonit – Shkupit, Tiranës dhe  Prishtinës gjatë vitit 2022.

Aeroporti i Shkupit me 1.8 milionë udhëtarë për 9 muaj

Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit-TAV gjithashtu ka shënuar një rritje të konsiderueshme të udhëtarëve në krahasim me vitin paraprak. Sipas të dhënave për 9 muajt e parë të vitit 2022, aeroportin e Shkupit e kanë frekuentuar 1.8 milionë udhëtarë, që është një rritje prej 82% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, sipas autoriteteve.

Sidoqoftë, numri i udhëtarëve ishte për 12% më i vogël se sa viti 2019, që merret si vit reference në krahasime sepse ishte viti i fundit para pandemisë së Covidit.

Nga janari deri në shtator të vitit 2022, në aeroportin në Shkup dhe në atë në Ohër janë realizuar gjithsej 14.823 udhëtime.

Pesë milionë udhëtarë frekuentuan aeroportin e Tiranës gjatë vitit

Më 19 dhjetor të vitit 2022, Tirana International Airport regjistroi udhëtarin e pesëmiliontë për këtë vit. Me mbi 30 mijë fluturime këtë vit, aeroporti ka shënuar rritje të trafikut të pasagjerëve për 80% krahasuar me vitin 2021.

Sipas autoriteteve, mbi 15 mijë udhëtarë kanë frekuentuar aeroportin vetëm më 30 dhjetor, një ditë para ndërrimit të motmoteve.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ofron udhëtime në gjithsej 65 destinacione në botë.

Gati 3 milionë udhëtarë në aeroportin e Prishtinës

Në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës kanë frekuentuar saktë 2.964.845 milionë pasagjerë gjatë vitit 2022. Kjo është një rritje e konsiderueshme në krahasim me vitin 2021, kur Aeroportin e Prishtinës e frekuentuan 2.2 milionë udhëtarë.

Gjithashtu, është rritur edhe numri i fluturimeve gjatë vitit të fundit. Në vitin 2022 kishte rreth 18.200 fluturime, krahasuar me vitin paraprak kur kishte 17.842.

Vetëm gjatë dhjetorit, aeroportin “Adem Jashari” e kanë frekuentuar mbi 205 mijë udhëtarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button