Këmbimet e madhështisë njerëzore

Çdo vit i ri është një fillim i ri, një mundësi e re për të bërë diçka ndryshe. Çdo vit i ri është mundësi për të përmirësuar ato gjëra që nuk na pëlqejnë, dhe për të bërë më të mirën për të jetuar një jetë të plotë dhe të vlefshme. Çdo vit i ri është mundësi për të filluar nga e para dhe për t’u bërë njerëzit që dëshirojmë të jemi. Çdo vit i ri fillon me rezoluta te reja dhe shumë ambicioze, shpesh herë edhe joreale apo thjesht të parealizueshme. Njerëzit duan që brenda natës të shndërohen në verzionin perfekt të vetvetes, pas viteve të tëra zvarritjeje për të bërë gjërat elemetare në jetë. Mu për këtë shkak, rezolutat e vitit të ri shpesh janë aq perfeksioniste sa që dështojnë brenda javës.

Në vend se të caktojmë para vetes qëllime të parealizueshme, është mirë ta marim shtruar. Mundësia më e mirë që mund t’ia japim vetes është të jemi në paqe me veten dhe të tjerët përreth nesh. Poashtu, duhet të kuptojmë që shprehitë që i kemi krijuar ndër vite, nuk ndryshohen brenda natës. Por shprehitë mësohen, dhe ne vërtet mund t’i ndryshojmë ato, nëse investojmë kohën dhe vendosmërinë e duhur. Ka shumë autorë që flasin për krijimin e shprehive të reja dhe pozitive për njeriun, si për shembull: të zgjohesh herët, të jesh produktiv, të veprosh me energji pozitive dhe të arish të shohësh anët e mira të çdo ngjarjeje ose veprimi. Robin Sharma në të gjitha librart e tij flet për këto shprehi që na ndihmojnë të jemi në paqe me veten dhe të tjerët si dhe të nxjerim maksimumin nga secila ditë e jetës sonë.

Ja çfarë do të ishte një rezolutë e mirë e vitit të ri sipas Robin Sharmës, diçka që ai e quan Shtatë këmbimet e madhështisë njerëzore:

Së pari, këmbe “scrolling”-un për lexim. Shikoni së pari veten dhe pastaj shikoni përreth jush. Sa orë në ditë kaloni me kokën poshtë dhe me sytë e ngjitur për ekranin e telefonit? Edhe vertebrat e kurrizit tonë kanë filluar ta ndjejnë peshën e varshmërisë së krijuar nga rëshqitja e vazhdueshme e gisthit mbi ekran, për të shikuar secilin postim në rrjetet sociale dhe komentet që vijojnë më poshtë. Siç është konstatuar shpesh kohëve të fundit, telefonët tanë janë bërë të mençur, por pronarët e tyre janë bërë më pak të mençur me kalimin e kohës. Duke konsumuar informata pa rëndësi gjithë ditën i kemi haruar informatat që vërtet vlejnë. Pajisjet e mençura na kanë larguar nga librat, sepse për shumicën më interesante janë për tu lexuar mesazhet në rrjetet sociale se sa kapitujt e librave që duken të mërzitshëm afër pajisjeve teknologjike që na e rrëmbejnë vëmendjen. Shprehia e parë që mund ta krijojmë këtë vit është të lexojmë më shumë e të rëshqasim më pak nëpër ekrane.

Së dyti, këmbe shqetësimin për meditim. Meditimi ka fuqi çudibërëse për shpirtin e njeriut. Format e meditimit gjinden në të gjitha besimet dhe religjionet dhe janë krijuar pikërisht me qëllim që njeriut t’i mësojnë vetkontrollin, ta bëjnë të vëmendshëm dhe psiqikisht të qëndrueshëm për vështirësitë e jetës. Por në jetën e përditshme edhe detyrimet fetare që lidhen me meditimin dhe faljen janë shndëruar më tepër në ritual për t’u mburur para të tjerëve se sa në proces që duhet të na ndihmojë të ritemi dhe maturohemi shpirtërisht. Në këtë vit mund të krijojmë shprehi meditimin e mirëfilltë dhe lidhshmërinë me spiritualen që na mundëson edhe shqetësimet më të mëdha t’i tejkalojmë me forcë më të madhe shpirtërore.

Së treti, këmbe ndjekjen për udhëheqje. Shpesh ndodh që të ndjekësh të na duket më lehtë se sa të udhëheqësh. Dhe kështu është vërtet, nuk është lehtë të bëhesh udhëheqës. Por nëse vërtet besojmë se mund të bëjmë një ndryshim, pse të mos provojmë të udhëheqim një proces që e dimë se do të jetë pozitiv dhe do të sjellë gjëra të mira në jetët e të tjerëve? Në këtë vit le të guxojmë të udhëheqim aty ku e shohim veten se mundemi të bëjmë ndryshim.

Së katërti, këmbe të ulurit me ecje. Të gjithë duan të jenë të shëndetshëm dhe të duken bukur. Por askush nuk do të zgjohet herët dhe të bëjë një ecje në natyrë. Askush nuk do të ecë deri në vendin e punës. Askush nuk do të shkojë në këmbë të takohet me shokët. Të gjithë bëjnë rezoluta të vitit të ri duke i premtuar vetes se do të ushtrojnë çdo ditë në palestër, por brenda javës përfundojnë sërish të palëvizshëm para televizorit, dhe pa vullnet për të shkuar deri në dyqanin e lagjes në këmbë. Një rezolutë e mirë e vitit të ri do të ishte t’i lëmë menjëanë veturat dhe të ecim në këmë të gjithë për një vit. Jo vetëm që do ti ndihmonim vetes dhe do të bëheshim më të shëndetshëm, por do t’u ndihmonim edhe qyteteve tona të përballen me ndotjen e ajrit në këto ditë dimri me shumë mjegull.

Së pesti, këmbe ankesat për krijime. Sa shumë na pëlqen të ankohemi për gjithçka. Sa vështirë e kemi të krijojmë zgjidhje për problemin për të cilin ankohemi. Në këtë vit të ri mund të bëjmë më shumë për të qenë kreativë dhe për të gjetur zgjidhje të problemeve që ne mund ti zgjedhim.

Së gjashti, këmbe urrejtjen për dashuri. Bota ka aq shumë urrejtje sa vërtet shpesh bëhet një vend i neveritshëm për të jetuar. Pëballemi çdo ditë me urrejtje të paarsyeshme dhe pa shkas, për gjithkënd dhe gjithçka. Për një lajm apo një postim lexojmë aq shumë komente negative me aq shumë urrejtje absurde sa na neveriten edhe vetë rrjetet sociale sepse na e mbushin zemrën me shqetësim dhe emocione të këqia. Në këtë vit mund të krijojmë shprehi t’i kontrollojmë emocionet negative dhe të mos i shprehim sa hap e mbyll sytë, dhe në vend të kësaj të mundohemi të shohim të mirën te njerëzit tjerë.

Së shtati, këmbe marrjen për dhënie. Njeriu ka dëshritë të ketë sa më shumë dhe të marrë gjithçka që mundet. Por ka njerëz të cilët duan të japin sepse aty gjejnë më shumë kënaqësi se te marrja. Mund të japim jo vetëm para, por mund të japim edhe gjëra tjera, si për shembull: kujdes, kohë, përkrahje, vëmendje. Kemi shumë gjëra për të dhënë dhe kjo do të na bëjë të njehemi shkëlqyeshëm. Sepse e dini si thonë: në botë ka dy lloj njerëzish, ata që marrin dhe ata që japin. Ata që marrin hanë më mirë, por ata që japin flejnë më mirë.

Le ta fillojmë vitin me këto shtatë shprehi të reja dhe do të kemi një vit të lumtur. Sepse lumturia është gjendje mentale. Lumturia nuk është destinacion por është vetë udhëtimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button