FIKUSI I PAVDEKËSISË (II)

Përjetësia. Po çka është ajo? Gjithçka në këtë botë ka fundin e vet, ka momentumin kur e mbyll kapitullin e librit të jetës, kur qenia shpallet e  vdekur. Por ama, kërkimi për eternalitet vazhdon edhe sot e këtë ditë. Në një punim shkencor të vitit 2021 të botuar në revistën “Nature Communications” thuhet se njerëzit do të mund të jetojnë maksimalisht 120 deri më 150 vjet. Në saje të nanoteknologjisë njeriu do të mund të jetojë përtej kufizimeve biologjike, do të mund të realizojë pavdekësinë artificiale. Sipas futuristëve kur truri i njeriut do të futet në kompjuter dhe në internet, nuk do të mbetet brenga mbi zhdukjen e trupit. Arratisja e trurit nga trupi, do jetë një hap i rëndësishëm drejt pavdekshmërisë. Por Schneider, profesor i filozofisë nga Universiteti Atlantik i Floridës, autor i Ju artifcial: Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e mendjes suaj (Princeton University, 2019),  thotë se avancimi teknologjik nuk do të na shpie në pavdekësi, se do të krijojë vetëm një dublor tonin. Sipas naturalistëve njeriu është produkt i natyrës, vjen nga natyra dhe i kthehet asaj; sipas materialistëve, njeriu nuk është gjë tjetër pos materies. Në të njëjtën vijë janë edhe pozitivistët, nihilistët, agnostikët, ateistët…

Pra një nga synimet primevale të njeriut është vazhdimi i jetës, gjetja e kurës së vdekjes, të mbeturit gjallë, e kjo gjallni nuk ka vetëm kuptimin fizik. Shumë njerëz vdesin dhe mbyllet historia e tyre me zbritjen e trupit ose të arkivolit në tokë, kurse ka edhe një kategori tjetër që arrijnë imortalitetin në saje të veprave të tyre të mëdha e të vogla. Viza mes dy viteve është kuptimplotë; domethënia e saj varet nga ajo që kemi bërë mes tyre. Shumë jetëshkurtër jetojnë sa të jetë bota, shumë jetëgjatë s’iu ndihet emri kurrë.

Përmes rastit të cilin e elaboruam në fillim të këtij artikulli treguam një shembull të një plake që jetën e kishte kuptuar si dhuratë, mësuam se njeriu duhet të jetë qenie që falë, që dhuron, që kujton tjetrin, që të bukurën e shpërndan, që nuk mendon vetëm për veten. Një gjë që për njeriun modern është shumë minore, në kulturat parake ka kuptimin e krijimit të lidhjeve sociale, të prestigjit dhe reputacionit, në kulturat teologjike apo teocentrike ka kuptimin e afrimit ndaj Perëndisë, atë të mbrojtjes dhe të ndihmës hyjnore. Pra dhurata ka një kuptim spiritual: ajo simbolizon dashurinë, miqësinë, eliminimin e ndjenjave negative si xhelozia, egoizmi, koprracia, është shkak i shtimit të mirësive (DİA, 2022).

Fikusi i këndit të kuzhinës na mbajti një leksion të heshtur. Në fakt leksioni ishte i plakës që s’është më në mesin tonë. Ajo na dha një dije më të fuqishme se ajo e Kurzweilit që pati pohuar se në vitin 2029 pavdekësia fizike do të bëhet realitet. Përjetësia fizike në këtë botë duket një pamundësi, kurse ajo shpirtërore është vërtetësi. Mundësohet nga bëmat tona, nga porositë dhe trashëgimia që lëmë pas vetes. Dikujt i thuhet emri t’u harroftë, dikujt u bëfsh katund e rrofsh sa malet. Dikush lë një fjalë të mirë, dikush një vegël, dikush një zakon të mirë, dikush një produkt, dikush një shpikje, tjetri një përshtypje të mirë me të cilën bën një gravurë në mbamendjen e një njeriu, bashkësie apo në historinë njerëzore. Veprat e sinqerta janë afatgjata, artificialet shkrihen shpejt, si akulli para diellit. Dhe çdo ditë e që shikoj fikusin lutem me emocione për njeriun e mirë të botës së përtejme. “Njeriu nuk vdes kur ia merr shpirtin një plumb i pushkës, një sëmundje fatale ose një bimë helmuese, por kur harrohet” – ka  thënë një urtar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button