Ngjarjet më të rëndësishme që shënuan vitin 2022 në Maqedoninë e Veriut

Krizë, luftë, inflacion, shtrenjtim dhe bomba. Fjalët që u bënë përditshmëri në vitin 2022.

Viti filloi me të dielën ditë-jopune. Lajmi i mirë për ata punëtorë që eksploatohen pamëshirshëm nga pronarët, që nuk janë pak në shtetin tonë dhe që bëjnë çmos për të nënçmuar dhe larguar fuqinë punëtore, sidomos të rinjtë.
Në janar, sytë na u drejtuan te qeveria e re me kryeministër të ri. Me shumë premtime për një jetë më të mirë, ministrat e ri dhanë betimin e tyre se do jenë në anën e qytetarëve. Por, qytetarët ende presin të ndodhë “ajo më e mira” përderisa ballafaqohen me sfida për mbijetesë. Kjo, vërtetë nuk është e drejtë. Çdo qeveri sjell shpresa të reja për t’i shuar ato më pas, fije për fije.

U rrit paga minimale, por jo për të gjithë, dhe kjo ende më shumë thelloi hendekun e varfërisë në vend. Qytetarët tentojnë të gjejnë mënyra më të lehta për të marrë para, duke u bërë kështu viktima të skemave piramidale të mashtrimeve me kriptovaluta e me loja të rreme nëpër rrjetet sociale.

Dhe sapo menduam që dolëm nga një krizë e madhe e pandemisë, ndodhi Ukraina. Pamjet e trishta për çdo ditë frikësuan të gjithë, duke jetuar çdo ditë me shumë pikëpyetje: mos vallë do të ndodhë lufta atomike?! Deri më tani, falë Zotit, ende jemi mirë. U rreshtuam me Ukrainën, dhe Rusia na futi në listën e vendeve armike. Dhe kjo është sukses dhe krenari, për një vend si Maqedonia të stërmbushur me rusofilë (mos e harroni rastin Onishenko) dhe serbofilë.

Në pranverë më në fund flakëm maskat që mbanim në fytyrë. U çliruam nga tirania e pandemisë edhe pse virusi gjithmonë do të jetë prezent, por tani më “ia kemi marrë dorën”.

Imagjinoni, u gëzuam edhe për publikimin e rezultateve të regjistrimit të popullatës, sikur të kishim kryer diçka të jashtëzakonshme dhe jo një operacion numërimi. Bota e zhvilluar dërgoi satelit në gjithësinë e thellë, dhe përgatitet për misione në Mars e Hënë, e ne, më në fund e dimë sa banorë ka Maqedonia! Wow bravo!

Gjatë vitit, ishim dëshmitarë të punës së “shkëlqyer” të gjyqësorit. Ish ministri Janakievski u dënua katër herë, e ai azilanti/kriminel tri herë. Ndërkaq turpi më i madh ishte rasti me kryespiunin i cili mori disa dënime, ama e shpëtuan gjykatësit e “Svarovskit”. Ishte kjo “dhuratë” e hidhur për fundvit, që me gjasë edhe ata 8 banorë që i besojnë gjyqësorit në vend, të ndërrojnë mendje. E ku t’i besojmë sistemit gjyqësor kur u dëshmua se të padiplomuarit kanë marrë pozita të ndryshme pa meritë. Kjo s’do më shumë fjalë. Pamë situatë tragjikomike me Ruskovskën e Muaremin si dhe nuk mungoi “show”-i me zgjedhjen e Abazit në krye të prokurorisë.
Mos dhëntë Zoti të kesh punë me sistemin tonë të drejtësisë, është urimi i redaksisë tonë në këtë ndërrim motmotesh për lexuesit tonë.

Një gjë e mirë që ndodhi në verë ishte fakti që pas 17 vitesh pritje, Maqedonia e Veriut i filloi bisedimet hyrëse me BE-në. Tani na pret puna më e madhe, nëse duam të mbarojmë me sukses këto bisedime. Zyrtarët duhet të përveshin duart dhe të ndryshojnë Kushtetutën. Përpos kësaj, puna ende më e madhe është të reformohemi, që t’i ngjajmë një shteti evropian. E kjo gjë, nuk varet vetëm nga zyrtarët, por edhe nga vetë ne.

Goditjen më të madhe morëm në vjeshtë, duke parë si çmimet po ngriten në tavan. Po përballemi me inflacion dhe shtrenjtime astronomike. Madje dhe me shtrenjtime të paarsyeshme që s’kanë të bëjnë me krizën globale, nga profiterë të ndryshëm vetjak që nuk sanksionohen nga inspektoratet! Se si do t’ia dalim, mbetet të shihet..

Tetova kishte zgjedhje dhe largoi aktivistët nga Këshilli komunal, sepse ishin shumë të zëshëm dhe u pengonin partive në agjendat e tyre. Tetovarëve u mbetet të presin rezultate konkrete nga gjykimi që filloi për zjarrin në Spitalin Modular ku humbën jetën 14 persona. Nga ana tjetër, shkupjanët për herë të parë në historinë e transportit publik, nuk e dinë çfarë do të ndodhë me të. Kjo, pasi në krye zgjodhën një kauboj-e e cila së bashku me partitë dhe ata që e mbështetën, trazuan gjithë sistemin pa fije përgjegjësie. Banorët si gjithnjë i ndjejnë pasojat.

Viti i ri shkollor filloi me mungesë të mjeteve bazë: librave! Kjo nuk është shaka, ne vërtetë jemi vend i çudirave. Vend që presim nga ambasadorja amerikane të na largojë të korruptuarit sepse jemi aq thellë të zhytur në këtë llom saqë nuk e dimë nga kush t’ia fillojmë. Duhet nga vetja, ama kjo është puna më e vështirë që duhet ta bëjmë.

Vitin e përmbyllim si gjithnjë: me ndotje të ajrit si në Shkup ashtu edhe në qytetet tjera, të helmuar deri në palcë. E përmbyllim të gjendur në mes të luftës hibride që na ka shpallur Rusia, me dezinformata dhe me mbjellje të frikës duke lëshuar alarme të rreme për bomba. Për këtë të fundit, të mos bëjmë panik, vend i NATO-s jemi, të mbrojtur jemi dhe alarmet do të ndalen.

Për redaksinë tonë, këtë vit, ngjarje e rëndësishme ishte mbushja e një dekade. Festuam 10 vjetorin me urata dhe vlerësime për profesionalizmin e lartë gazetaresk, të dëshmuar si portal serioz dhe më i besueshëm nga mediat shqiptare online në Maqedoni. Ashtu do të mbetemi, premtojmë!
(Jo nga ata premtimet e zyrtarëve, padyshim!)

Ju urojmë shumë shëndet dhe suksese të reja!

Më poshtë, ekipi i Portalb-it ka bërë një radhitje kronologjike të të gjitha ndodhive më të rëndësishme politiko-sociale në vend të radhitura sipas datave dhe muajve përkatës.

JANAR

1 janar Në RMV hyri në fuqi ligji i cili parasheh që e diela të jetë ditë jopune https://wp.me/patqqI-3gQs
3 janar Gjykata Supreme i hodhi poshtë ankesat e të dënuarve në rastin “Kumanova” https://wp.me/patqqI-3gVD
11 janar Qeveria e shkarkoi përfaqësuesin special të ngarkuar për bisedimet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë https://wp.me/patqqI-3heZ
16 janar U votua qeveria e re, Dimitar Kovaçevski kryeministër https://wp.me/patqqI-3hp9
18 janar Gavrill Bubevski u zgjodh kryetar i Prokurorisë Publike të Shkupit https://wp.me/patqqI-3htp
24 janar Skemë piramidale, “BigCommerce” i dogji qytetarët e RMV-së https://wp.me/patqqI-3hHz
25 janar Seancë qeveritare Bullgari-Maqedoni e Veriut, u nënshkruan disa memorandume https://wp.me/patqqI-3hIq
25 janar Prokuroria bullgare e përfundoi hetimin për aksidentin tragjik ku humbën jetën 45 persona: Shoferi ka humbur kontrollin e autobusit https://wp.me/patqqI-3hKW
Qeveria e RMV-së 2022, foto: Profili në Facebook i Dimitar Kovaçevskit
Qeveria e RMV-së 2022, foto: Profili në Facebook i Dimitar Kovaçevskit

SHKURT

4 shkurt Protestë në Shkup: Vdekja e Rexhail Qerimit në burg e dyshimtë, hetim ndërkombëtar për të gjitha rastet e montuara https://wp.me/patqqI-3i5X
11 shkurt Numri evropian për raste urgjente 112, u lëshua në përdorim edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut https://wp.me/patqqI-3inI
14 shkurt Rreth 40 persona të sektit fetar “Lev Tahor” arritën në RMV, pas sulmeve u larguan https://wp.me/patqqI-3iv5
16 shkurt Pas vetëm 13 ditëve në burg, gjykatësi Vlladimir Pançevski që e keqpërdori AKMIS-in doli në liri, Supremja e pranoi ankesën https://wp.me/patqqI-3iBK
22 shkurt Protesta në Tetovë, Antibixhozi kërkon që presidenti të mbledh liderët e partive politike dhe të zgjidhin problemin me bixhozin https://wp.me/patqqI-3iO3
23 shkurt Kuvendi e miratoi ligjin që paga minimale të rritet në 18.000 denarë https://wp.me/patqqI-3iOQ
24 shkurt Rusia filloi pushtimin e Ukrainës: RMV iu bashkëngjit thirrjeve dhe sanksioneve të botës perëndimore për të ndaluar luftën https://wp.me/patqqI-3iRA
25 shkurt Protesta para Ambasadës së Rusisë në Shkup: “Putini është fashist”, “Stop gjenocidit” https://wp.me/patqqI-3iXp
28 shkurt Rasti ‘Titanik’, Martin Protugjer u dënua me kusht, Mile Janakievski me 4.5 vjet burg, ndërsa Gordana Jankullovska me 2.5 vjet https://wp.me/patqqI-3j8b
Hyrja e tankeve ruse në Ukrainë, 24 shkurt 2022
Hyrja e tankeve ruse në Ukrainë, 24 shkurt 2022

MARS

7 mars Rusia vendosi Maqedoninë e Veriut në “listë të zezë” https://wp.me/patqqI-3jwT
8 mars Marsh për të drejtat e grave në Shkup: Varfëria ka fytyrë gruaje https://wp.me/patqqI-3jyN
10 mars Mile Janakieski u dënua me dy vjet burgim me kusht për autobusë kinezë, Igor Janushev nuk e pranoi fajin https://wp.me/patqqI-3jEu
11 mars Administratorët e “Dhomës Publike” u dënuan me nga katër vite burg https://wp.me/patqqI-3jH3
25 mars Izet Zeqiri u zgjodh rektor i Universitetit “Nënë Tereza” https://wp.me/patqqI-3kix
28 mars Maqedonia e Veriut shpalli persona “non grata” pesë diplomatë rusë https://wp.me/patqqI-3kpV
29 mars ARM e shënoi 30-vjetorin e themelimit të saj https://wp.me/patqqI-3ks4
30 mars Enti Shtetëror i Statistikave i shpalli rezultatet e regjistrimit të popullsisë https://wp.me/patqqI-3kuI
Regjistrimi, foto MPPS
Regjistrimi në Qendrën Pranuese Vizbeg, foto MPPS

PRILL

5 prill Tre vjet e gjysmë burg për ish ministrin Mile Janakieski në rastin “Toplik” https://wp.me/patqqI-3kLo
6 prill Portalb.mk shënoi dhjetë vjetorin e themelimit https://wp.me/patqqI-3kk5
6 prill Pas dy vitesh pandemi, RMV miratoi vendim për mosmbajtje të maskave mbrojtëse https://wp.me/patqqI-3kNp
8 prill Muhamed Zekiri dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të Qeverisë pasi Prokuroria ngriti procedurë hetimore nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare https://wp.me/patqqI-3kSE
11 prill Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë hyri në grevë në çerdhe dhe shkolla https://wp.me/patqqI-3kX9
11 prill SHBA i vendosi në listë të zezë 7 persona nga Ballkani Perëndimor, në mesin e tyre edhe Nikolla Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin https://wp.me/patqqI-3kYJ
14 prill Zjarr tek ish fabrika “Treska”, kryetarja e Shkupit Danella Arsovska hodhi dyshime për zjarrvënie të qëllimshme https://wp.me/patqqI-3l4u
21 prill Rasti “Parcelat në Vodno”, Nikolla Gruevski u dënua me 7 vjet burg, Sasho Mijallkov me 1 vjet e 3 muaj, Orce Kamçev me 1 vjet https://wp.me/patqqI-3lio
26 prill Rritje e enorme e çmimeve të produkteve ushqimore https://wp.me/patqqI-3lpN
27 prill DOSJE: Pesë vjet nga dita e përgjakshme e 27 prillit në RMV, detaje si ndodhi kjo ngjarje e dhunshme https://wp.me/patqqI-3ls5
28 prill Pas 17 ditësh, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e pezulloi grevën në shkolla dhe çerdhe, nxënësit u rikthyen në shkolla https://wp.me/patqqI-3lwo
29 prill Rasti “Perandoria”, Orce Kamçev e pranoi fajin dhe arriti marrëveshje me Prokurorinë: 1 vjet burg dhe 5.1 milionë euro https://wp.me/patqqI-3lzQ

MAJ

1 maj Lidhja e Sindikatave e shënoi me protestë Ditën e Punëtorëve https://wp.me/patqqI-3lCr
6 maj Në poligonin ushtarak “Krivollak” nisi stërvitja ushtarake “Swift Response 22” me  4.600 ushtarë të NATO https://wp.me/patqqI-3lNm
9 maj DOSJE: 7 vjet nga ngjarja e armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës https://wp.me/patqqI-3lQi
10 maj Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës e pranoi Kishën Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit si kanonike, niveli i fundit përpara autoqefalisë https://wp.me/patqqI-3lSb
11 maj Autobusët “privat” të linjës 19 ndaluan të qarkullojnë pasi Qyteti i Shkupit nuk u ka lëshuar mjete financiare https://wp.me/patqqI-3lUB
20 maj Rasti “Kosmos”, 9 vjet burg për Nikolla Gruevskin, nga 4 për Toni Trajkovskin dhe Elizabeta Najdovskën dhe 3 për Mile Janakieskin https://wp.me/patqqI-3mdG
26 maj Padi penale për 7 persona pasi një tokë që kushton 35.000 euro ia kanë shitur EVN-së 1.6 milion euro https://wp.me/patqqI-3moV
30 maj Zjarr në hapësirat e ish fabrikës “Makedonija Tabak” dhe “Pofix” në Tetovë https://wp.me/patqqI-3mvS
31 maj Fondacioni Metamorfozis organizoi konferencë në temë “Përballja me dezinformatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut” https://wp.me/patqqI-3mB1
Zjarri në objektin afarist në Tetovë, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zjarri në objektin afarist në Tetovë, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

QERSHOR

1 qershor Aktakuzë për Lidija Dimovës dhe dy personave të tjerë për shpërdorim të parave evropiane: Prokuroria vlerësoi dëm prej 320.000 eurove https://wp.me/patqqI-3mCY
2 qershor Maqedonia e Veriut e nisi dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës https://wp.me/patqqI-3mFh
8 qershor Në Ohër u mbajt samiti dyditor i iniciativës “Ballkani i Hapur” https://wp.me/patqqI-3mNi
8 qershor Nikolla Gruevski u dënua me 6 vjet burg, Kiril Bozhinovski me 2 vjet për ndërtimin e pallatit të VMRO-DPMNE-së https://wp.me/patqqI-3mOQ
11 qershor Kancelari gjerman Olaf Scholz për vizitë zyrtare në Shkup https://wp.me/patqqI-3mVw
14 qershor Qeveria miratoi vendim: Tetova shkon në zgjedhje për Këshillin Komunal pasi nuk e miratoi llogarinë përfundimtare https://wp.me/patqqI-3n0E
16 qershor Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel për vizitë në Maqedoninë e Veriut https://wp.me/patqqI-3n4u
17 qershor Katër vjet nga “Marrëveshja e Prespës” që i dha fund sherrit 27-vjeçar Maqedoni-Greqi, tani “Deja Vu” me Bullgarinë https://wp.me/patqqI-3n5q
17 qershor Në media u publikua përmbajtja e propozimit të Francës për tejkalimin e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut https://wp.me/patqqI-3n8x
18 qershor VMRO-DPMNE protestoi para Qeverisë, Hristijan Mickoski hodhi poshtë propozimin francez, i cili parasheh futjen e bullgarëve në Kushtetutë https://wp.me/patqqI-3n8R
22 qershor Bullgaria e shkarkoi Qeverinë e kryeministrit Petkov, një nga arsyet llogaritet edhe problemi me Maqedoninë e Veriut https://wp.me/patqqI-3ngV
24 qershor Sofja miratoi propozimin francez, Shkupi e refuzoi https://wp.me/patqqI-3nlp
27 qershor Rryma u shtrenjtua për 7.4%, Komisioni Rregullator i Energjetikës i publikoi rregullat e reja për llogaritjen e faturave https://wp.me/patqqI-3nsQ
Protesta e VMRO-DPMNE-së, 18.06.2022, foto: Portalb.mk
Protesta e opozitës maqedonase kundër propozimit-francez, 18.06.2022, foto: Portalb.mk

KORRIK

1 korrik Pas takimit me partnerët e koalicionit, Qeveria e publikoi propozimin e modifikuar francez https://wp.me/patqqI-3nwr
4 korrik Dhunë në protestën e VMRO-DPMNE-së kundër “propozimit francez” para Qeverisë dhe Kuvendit https://wp.me/patqqI-3nEz
6 korrik Policia parandaloi incident ndëretnik në sheshin “Skënderbeu” gjatë protestës antievropiane, u arrestua një person për gjuajtje me armë zjarri https://wp.me/patqqI-3nJ5
8 korrik Sasho Mijallkov pranoi fajin për rastin “Perandoria” dhe u dënua me 3 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë në vlerë prej 36 milionë euro https://wp.me/patqqI-3nNd
14 korrik Presidentja e Komisionit Evropian- Ursula von der Leyen. Mbajti fjalim para deputetëve të RMV-së dhe kërkoi të pranohet propozimi francez https://wp.me/patqqI-3nXz
16 korrik Kuvendi i RMV-së i tha “po” propozimit francez, faktori ndërkombëtar e përshëndeti, Qeveria e miratoi https://wp.me/patqqI-3o12
18 korrik Gazetarët hulumtues të IRL-së e publikuan dokumentarin “Gjaku i pistë”: Klinika “Zhan Mitrev” ka bërë eksperiment të paligjshëm me pacientët dhe i ka “rrjepur” qytetarët https://wp.me/patqqI-3o44
19 korrik Pas 17 vitesh pritje, Maqedonia e Veriut i filloi bisedimet hyrëse me BE-në, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare https://wp.me/patqqI-3o3V
19 korrik Maqedonia e Veriut e filloi procesin e skriningut shpjegues në Bruksel https://wp.me/patqqI-3o78
27 korrik Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i ratifikoi protokollet për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO https://wp.me/patqqI-3omd
Partnerët e koalicionit qeveritar
Qeveria e publikoi përmbajtjen e propozimit francez

GUSHT

3 gusht Përplasje mes drejtorit të Policisë Financiare Arafat Muaremi dhe prokurores për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Vilma Ruskovska https://wp.me/patqqI-3oyX
11 gusht Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin për ndalimin e eksportit të farave të lulediellit për shkak të krizës ekonomike https://wp.me/patqqI-3oTx
12 gusht Prokuroria filloi procedurë hetimore kundër Zhan Mitrevit për shkak të skandalit që e zbuloi IRL https://wp.me/patqqI-3oWW
16 gusht RMV, u suspendua prokurorja Vilma Ruskovska, dha dorëheqje shefi i Policisë Financiare, Arafat Muaremi https://wp.me/patqqI-3p4G
20 gusht Zgjedhje komunale në Tetovë, Qendër Zhupë, Mavrovë dhe Rostushë https://wp.me/patqqI-3oTU
20 gusht Lëvizja BESA mori më shumë këshilltarë në Tetovë https://wp.me/patqqI-3phG
21 gusht Pas rezultateve të dobëta në zgjedhje, Ziadin Sela dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët https://wp.me/patqqI-3piN
25 gusht Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize për furnizimin me energji elektrike dhe termike https://wp.me/patqqI-3pqZ
30 gusht Shi i rrëmbyeshëm në Shkup, “Serova” tërë natën “zgjuar” https://wp.me/patqqI-3pAM
Rryma, energji elektrike, institucione, foto: Meta.mk
Kursimi i rrymës në Shkup

SHTATOR

1 shtator Filloi viti i ri shkollor: Nxënës pa libra, mësues me rroga më të larta, shkolla pa masa kundër kovidit https://wp.me/patqqI-3pDl
2 shtator Tetova përmes marshit protestues u solidarizua me Prishtinën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave https://wp.me/patqqI-3pCN
2 shtator Samiti i liderëve të Ballkanit të Hapur në Beograd, Kovaçevski: Të bashkuar do t’i përballojmë sfidat e dimrit https://wp.me/patqqI-3pFA
6 shtator Apeli i hodhi poshtë ankesat e të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe e konfirmoi vendimin e shkallës së parë https://wp.me/patqqI-3pMA
6 shtator Nisi gjykimi për zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës ku humbën jetën 14 persona https://wp.me/patqqI-3pM5
8 shtator Një vjet nga ngjarja tragjike në Spitalin Modular të Tetovës: Opinioni sytë i ka drejtuar nga gjykata https://wp.me/patqqI-3pPc
8 shtator Vdiq Mbretëresha e Britanisë Elizabeta II, Maqedonia e Veriut dhe mbarë bota dërguan mesazhe ngushëllimi https://wp.me/patqqI-3pRD
13 shtator Kuvendi e refuzoi kërkesën e Hristijan Mickoskit për mbajtje të referendumit kundër Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë https://wp.me/patqqI-3q1l
16 shtator Seri dorëheqjesh në Qytetin e Shkupit pasi kryetarja Danella Arsovska i prishi relacionet me VMRO-DPMNE-në https://wp.me/patqqI-3q7G
27 shtator Angela Aggeler u betua si ambasadore e re e SHBA-së në RMV https://wp.me/patqqI-3qx8
29 shtator Emërimi i dy drejtorëve të BDI-së në Qytetin e Shkupit, shkaku i prishjes së Aleancës për Shqiptarët me Danella Arsovskën https://wp.me/patqqI-3qCU
Seanca gjyqësore për rastin e djegies së Spitalit Modular, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

TETOR

4 tetor U ndërprenë Marrëveshjet e Koncesionit për shtatë hidrocentrale të vogla në Parkun Kombëtar Mali Sharr https://wp.me/patqqI-3qNw
5 tetor Qeveria e RMV-së publikoi listë me emrat e shtetasve që luftuan për ISIS-in https://wp.me/patqqI-3qQE
7 tetor U hap klubi bullgar “Car Borisi i Tretë” i Bullgarisë në Ohër, protestë me parulla antifashiste https://wp.me/patqqI-3qSX
12 tetor KE e publikoi raportin për RMV-në: Lëvdata për sanksionet ndaj Rusisë, por duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit https://wp.me/patqqI-3r1F
14 tetor Për herë të parë nga pavarësia, Maqedonia e Veriut hoqi dorë nga pjesëmarrja në Eurovision https://wp.me/patqqI-3r6T
20 tetor Nuk ka autobusë, Shkupi për herë të parë në histori pa transport publik në mandatin e Danella Arsovskës https://wp.me/patqqI-3rl5
26 tetor Kërcënime për vendosje të bombave në 8 shkolla https://wp.me/patqqI-3rvh
26 tetor Maqedonia e Veriut e nënshkroi “Marrëveshjen për Fronteks” https://wp.me/patqqI-3rx4
27 tetor Bilall Kasami akuzoi organizatën Space Tetova për aktivitete pornografike, aktivistët hodhën poshtë pretendimet https://wp.me/patqqI-3rxL
30 tetor U hap klubi kulturor maqedonas “Nikolla Vapcarov” në Bllagoevgrad të Bullgarisë si kundërpërgjigje ndaj klubeve bullgare në RMV https://wp.me/patqqI-3rDy
31 tetor Ndaluan së qarkulluari linjat e autobusë privat të “Mak ekspres”, pasi Qyteti i Shkupit nuk ua ka paguar borxhin https://wp.me/patqqI-3rET
Gjimnazi "Josip Broz Tito" në Shkup, foto: Meta.mk, shkolle, bomba, kercenim
Policia në Gjimnazin “Josip Broz Tito” në Shkup pas alarmit të rrejshëm për vendosje të “bombës”, foto: Meta.mk

NËNTOR

2 nëntor Kuvendi i RMV-së ndaloi me ligj regjistrimin e fondacioneve, shoqatave dhe partive politike që thirrin në fashizëm https://wp.me/patqqI-3rJD
3 nëntor Liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit nënshkruan marrëveshje për njohjen e diplomave dhe letërnjoftimeve https://wp.me/patqqI-3rLb
7 nëntor Islam Abazi u zgjodh shef i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, reagime të shumta për lidhjen e tij me BDI-në https://wp.me/patqqI-3rVe
9 nëntor Përleshje fizike në ndeshjen futbollistike Shkupi – Shkëndija, u arrestuan 3 tifozë https://wp.me/patqqI-3rZX
11 nëntor Skandal, Maqedonia e Veriut i ka dhënë nënshtetësi oligarkut pro-rus nga Ukraina Oleksandr Onyshenko i sanksionuar nga SHBA-ja https://wp.me/patqqI-3s4I
14 nëntor U mbaj mbledhja e dytë e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë: U nënshkruan 21 marrëveshje https://wp.me/patqqI-3s6B
14 nëntor Studentët dhe shteti arritën marrëveshje për vaktin e subvencionuar https://wp.me/patqqI-3saJ
14 nëntor 112 të punësuar në Higjienën Komunale u larguan nga puna, protestë para zyrës së drejtoreshës Kosana Mazneva https://wp.me/patqqI-3sgs
23 nëntor Dosje: Një vjet nga aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona https://wp.me/patqqI-3snk
25 nëntor Shkrimtari Ismail Kadare u shpall qytetar nderi i Tetovës https://wp.me/patqqI-3stj
28 nëntor Autobusët e kompanive private filluan me bllokada, komunikacioni në Shkup u paralizua, qytetarët paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve të Danella Arsovskës me kompanitë private https://wp.me/patqqI-3sxi
30 nëntor Vrasja e hendbollistit Denis Tot, Gjykata Penale shpalli vendimin: 52 vjet burg për tre të akuzuarit https://wp.me/patqqI-3sBa
Bllokada e autobus transportuesve privat, foto: Portalb.mk
Bllokada e transportuesve privat, foto: Portalb.mk

DHJETOR

2 dhjetor Skandal me certifikatat për juristët e UEJL, institucionet verifikojnë nëse dhe universitetet tjera kanë lëshuar të tilla https://wp.me/patqqI-3sFS
3 dhjetor Mlladen Çadikovski u rizgjodh në pozitën e kryetarit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë https://wp.me/patqqI-3sHQ
6 dhjetor Ambasadorja amerikane njoftoi se një ekip amerikan do të hetojë funksionarët e korruptuar në Maqedoni https://wp.me/patqqI-3sNg
6 dhjetor Rasti “Durmo Turs” për aksidentin e autobusit në Llaskarcë është “bllokuar” në Gjykatë tanimë tre vjet https://wp.me/patqqI-3sMV
6 dhjetor Në Tiranë u mbajt Samiti për Ballkanin Perëndimor – Bashkimin Evropian u nënshkrua marrëveshja për roaming më të lirë https://wp.me/patqqI-3sKm
6-7 dhjetor Fondacioni Metamorfozis e mbajti konferenca e 18-të ndërkombëtare “e-Shoqëri.mk” https://wp.me/patqqI-3sO9
9 dhjetor Përveç shkollave, alarme për bomba edhe në institucione dhe qendra tregtare https://wp.me/patqqI-3sTy
14 dhjetor Qeveria emëroi Zarko Milloshevskin drejtor të ri të Agjencisë për Siguri Kombëtare https://wp.me/patqqI-3t5V
16 dhjetor Gjykata e Apelit e shpëtoi Mijallkovin nga 12 vjet burg, reagime te ashpra nga qytetarët dhe kreu shtetëror https://wp.me/patqqI-3taX
21 dhjetor Rasti Perandoria, prej 19 të hetuarve, Prokuroria ngriti akuzë vetëm kundër tre personave https://wp.me/patqqI-3tmr
23 dhjetor Hajrullahi u rizgjodh njëzëri shef i Prokurorisë së Lartë të Shkupit, Shterjev i Këshillit të Prokurorëve akuzoi gazetarët për sensacion https://wp.me/patqqI-3tlB
23 dhjetor Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi Buxhetin prej afër 5.3 miliardë euro për vitin 2023 https://wp.me/patqqI-3trE
25 dhjetor Shkupi në top treshin e qyteteve më të ndotura në botë https://wp.me/patqqI-3tt7
26 dhjetor Aksion policor në Pikën Kufitare “Tabanoc”, janë arrestuar 12 policë, të cilëve u janë gjetur 20.000 euro https://wp.me/patqqI-3twz
28 dhjetor Komisioni për Antidiskriminim e konfirmoi hulumtimin e Portalb: Komuna e Karposhit diskriminon personat me pengesa https://wp.me/patqqI-3tzz
Ish shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov
Ish shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov

LEXO NGJARJET E VITEVE PARAPRAKE

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button