Këshilli Gjyqësor zgjodhi Ivan Xholevin për kryetar të Gjykatës Penale të Shkupit

Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme njëzëri me 13 vota “për”e zgjodhi për kryetar të Gjykatës Themelore Penale Shkup Ivan Xholevin. Këshilli i dha për herë të dytë mandatin për të drejtuar gjykatën më të madhe në vend, ku ndër të tjera përfshihet edhe departamenti që merret me çështjet gjyqësore në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

Përndryshe, Xholev deri më tani mbante postin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të kësaj gjykate, në të cilën u emërua nëntorin e kaluar, pasi i mbaroi mandati paraprak katërvjeçar si kryetar dhe Këshilli Gjyqësor në atë kohë nuk zgjodhi të ri. Pas kësaj u publikua shpallje edhe për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Themelore Penale Shkup, ndërsa procedura ka zgjatur gati një vit për shkak se vlerësimi i kandidatëve për gjyqtarë dhe kryetarë të gjykatave është bërë sipas metodologjisë së re që përfshin kritere më cilësore dhe sasiore, të cilat përfshijnë edhe testet psikologjike dhe testin e integritetit.

Xholev ishte i vetmi kandidat i regjistruar për kryetar të gjykatës më të madhe në vend. Në seancë u theksua se Xholev është vlerësuar me 200 pikë. Pas zgjedhjes së tij, duke shpjeguar arsyet pse e votuan Xholevin, të gjithë anëtarët e Këshillit theksuan se ai është kandidat cilësor, i cili ka treguar rezultate të shkëlqyera në drejtimin e gjykatës në mandatin e kaluar katërvjeçar dhe si ushtrues detyre në periudhën e kaluar njëvjeçare.

Ivan Xholev, siç u theksua në seancën e sotme, për gjyqtar është zgjedhur në vitin 2008, ndërsa mandatin e parë si kryetar i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit e ka marrë në vitin 2017.

Xholev, siç theksuan anëtarët e Këshillit, ka rritur azhurnimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup, si dhe transparencën dhe llogaridhënien e gjykatës.

“Në kohën e koronavirusit, një numër i vogël i gjyqtarëve dhe stafit arritën ta mbajnë gjykatën në funksion”, tha ndër të tjera kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.

Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme duhej të zgjidhte kryetarin e Gjykatës Themelore në Tetovë, por kjo pikë u hoq nga rendi i ditës për shkak se ende nuk ishte gati raporti i kontrollit të rregullt të kësaj gjykate nga ana e Këshillit. Kështu u përgjigj anëtarja e Këshillit, Loreta Gorgieva, e cila tha se mendon se raporti nga kontrolli i rregullt nuk ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit të gjykatës. Me të nuk u pajtua kryetarja e Këshillit, Dameva, e cila tha se duhet vërtetuar të gjitha faktet.

Ndryshe, sot përveç kryetarit të Gjykatës Themelore Penale Shkup, u zgjodhën edhe kryetarët e Gjykatave Themelore në Resnjë dhe Vinicë, si dhe në Tetovë, pika e cila u hoq nga rendi i ditës. Në shpallje kishte vetëm një kandidat për të katër gjykatat, një fakt që Dameva e theksoi si negativ.

“Kur të ketë më shumë kandidatë do ta kemi më të lehtë të zgjedhim më të mirin”, tha kryetarja e Këshillit Gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button