Politika gjatë vitit 2022 në RMV, pa vullnet për bashkëpunim – kërkesa të vazhdueshme për zgjedhje

Në prizmin politik viti 2022 ka qenë vit i qetë, me kërkesa të vazhdueshme nga partitë opozitare, kryesisht VMRO-ja, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër nga Qeveria, e cila assesi nuk pranon, përveç atyre të rregulltave që do të mbahen në vitin 2024. Pas disfatës së LSDM-së në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021, që shtyu atëkohë ish-kryeministrin Zaev të japë dorëheqje, në krye të ekzekutivit erdhi Dimitar Kovaçevski, Qeveria e të cilit u votua më 16 janar të vitit 2022. Ajo mori mbështetjen e 62 deputetëve, 46 kundër, ndërsa nuk kishte të përmbajtur. Qeveria e re kishte shumë sfida përpara, përfshirë këtu pandeminë, krizën energjetike si dhe zgjidhja e kontestit me Bullgarinë, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e Kovaçevskit u votua nën presion 

Para zgjedhjes së Qeverisë së re, pesë deputetë të koalicionit qeverisës të udhëhequr nga LSDM-ja e kushtëzonin mbështetjen e qeverisë së re me kërkesën që brenda tre muajve të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Kuvendin e RMV-së. Por, edhe pse kjo nuk ndodhi, ata përsëri mbështetën Qeverinë e re.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

VMRO-DPMNE-ja nga ana tjetër, që në janar kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, fillimisht me arsyetimin se vendi po bën lëshime të mëdha karshi Sofjes për çështjen e eurointegrimeve. Kur kjo çështje u mbyll përkohësisht me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në dhe fillimin e skriningut, VMRO-ja filloi të kërkojë zgjedhje për shkak të, siç deklaronin ata, përballjes së pasuksesshme të Qeverisë me krizën energjetike, të pandemisë dhe sfidat e tjera.

Madje Mickoski, por edhe Lëvizja Besa disa ditë më parë kërkuan përsëri zgjedhje të parakohshme. Kjo e fundit, kushtëzoi Qeverinë se do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, vetëm nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kriza botërore rriti konfliktet mes partive

Ekzekutivi i vendi, si edhe shumë vende të botës u përball me kriza të vazhdueshme, që sollën një sërë shtrenjtimesh dhe masash për kursim të energjisë elektrike. Kriza filloi të jetë edhe më e pranishme me fillimin e agresionit rus në Ukrainë. Institucionet dhe krerët e vendit dënuan luftën, por u shprehën se qytetarët duhet të jenë të qetë dhe se nuk do të ketë as krizë dhe as rritje të çmimeve për ushqimet bazë. Por në fakt nuk ndodhi kështu, çmimet bazë u rritën për të disatën herë, po e njëjta ndodhi edhe me derivatet e naftës dhe as pas gati një viti nuk po kthehen në nivelin e dikurshëm. Pompat e benzinës filluan të kufizojnë shitjen e derivateve, me qëllim që pas rritjes së çmimeve ta shisnin më shtrenjtë, gjë që u dënua nga kreu u KRRE-së.

Një periudhë të caktuar pati mungesë të vajit, miellit dhe produkteve të tjera bazë, për shkak të frikës së krizës dhe mungesës së këtyre produkteve, por edhe sepse një gjë të tillë e bënin vetë tregtarët për përfitim. Mirëpo, edhe pasi mediat ngrisnin zërin për parandalimin e përfitimit në kushte krize, institucionet mohonin se ekzistojnë probleme të tilla.

Për këto arsye, shtoheshin vazhdimisht edhe kritikat e partive politike opozitare kundrejt Qeverisë, duke e akuzuar këtë të fundit për paaftësi.

Zgjedhjet në Tetovë, Q. Zhupë, Mavrovë dhe Rostushë

Vitin 2022 e shënuan edhe zgjedhjet në Komunën e Tetovës për Këshillin Komunal pasi i njëjti nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor. Zgjedhje pati edhe për kryetar në Qendër Zhupë dhe Mavrovë dhe Rostushë. Zgjedhjet u mbajtën më 20 gusht.

Në Mavrovë dhe Rostushë për kryetaru zgjodh Medat Kurtovski nga koalicioni “Më e mira për komunën time” udhëhequr nga LSDM, ndërkaq në Qendër Zhupë, Arijan Ibraim nga Partia Demokratike e Turqve.

Ndërkohë gjatë këtyre zgjedhjeve në Tetovë të gjitha partitë, përveç Lëvizjes Besa pësuan rënie të votave. Për dallim prej vitit 2021, me këto zgjedhje jashtë Këshillit të Tetovës mbeti iniciativa “Më mirë për Tetovën” dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilët paraprakisht kishin nga 2 këshilltarë.

Lëvizja BESA fitoi 12 mandate apo 4 më shumë se vitin paraprak, ndërkaq BDI fitoi 11 mandate, apo 1 më shumë. PDSH dhe Alternativa nga 1. Në kampin maqedonas, VMRO-DPMNE ka marrë 4 mandate, ndërkaq LSDM 2.

Greva dhe protesta të vazhdueshme

Ky vit gjithashtu karakterizohet edhe nga greva dhe protesta të shumta rreth rritjes së pagave dhe përmirësimin e kushteve. LSM, SAShK, Ujësjellësi dhe kanalizim, Drejtoria e librave amë, Mjekët amë, Posta e Maqedonisë dhe institucione e sindikata tjera, nga prilli e deri në nëntor kanë shprehur revoltë dhe pakënaqësi të vazhdueshme. Disa prej tyre arritën të gjejnë zgjidhje me ministritë përkatëse, disa të tjera as nuk janë dëgjuar nga institucinet, kurse disa akoma vazhdojnë të kërkojnë kushte më të mira pune. Partitë politike, herë në njërin krah e herë në tjetrin akuzonin njëra-tjetrën për këtë situatë.

Çfarë pritet në vitin 2023?

Viti 2023 pritet të jetë një vit i “nxehtë” në skenën politike, për shkak të përplasjes së partive politike rreth ndryshimeve kushtetuese që mund të çojnë edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mirëpo, kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk pranon zgjedhje, pavarësisht se nuk ka numra për të bërë ndryshimet kushtetuese. Nga ana tjetër këto ndryshimet duhet bërë deri në fund të vitit 2023. Se cili është plani për të bindur deputetët e opoizitës për të pranuar votimin e ndryshimeve nuk dihet akoma. Nëse nuk ka ndonjë plan atëherë ekzistojnë dy mundësi:

  • Ose kryeministri dhe Qeveria aktuale të lëshojë pe dhe të organizojë zgjedhje të parakohshme, që po ashtu nuk japin ndonjë garanci për ecjen përpara të ndryshimeve kushtetuese, pasi mund të fitojë VMRO-ja që me diskursian aktual karshi eurointegrimeve nuk jep shpresa për progres.
  • Ose, ndryshimet të mos ndodhin dhe të priten zgjedhjet ardhshme në vitin 2024, gjë që do të stagnojë për një vit ose edhe më tepër procesin eurointegrues, pasi nuk dihet se cila do të jetë qasja e Qeverisë së mundshme të ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button