Rexhepi për pjesëmarrjen në konferencën për shtyp të “Grupit të Zjarrit”: bashkëveproj me strukturat e BDI-së

“Bashkëveproj me strukturat e BDI-së”, kjo është përgjigja e Kastriot Rexhepit për pyetjen e Portalb.mk se a është bërë pjesë e partisë me të cilën udhëheq Ali Ahmeti, pasi sot ishte prezent në konferencën për shtyp të funksionarëve të pakënaqur të BDI-së apo të të ashtuquajturve “Grupi i Zjarrit”.

Në lidhje me rolin e tij në “Grupi i Zjarrit”, Rexhepi thotë rezultatet mund të jenë më të mëdha nëse veprohet në mënyrë ekipore dhe për këtë shkak edhe bashkëvepron me deputet e zonës nga ku vjen.

“Si deputet i shumicës do mundohem të jap kontributin tim personal në çdo iniciativë e cila do të kishte sjellë përmirësim përmbajtësor në performancën e qeverisë në realizimet e projekteve kapitale në dobi të shqiptarëve dhe të tjerëve në RMV. Duke pasur parasysh që rezultatet mund të jenë më të mëdha nëse veprohet në mënyrë ekipore për këtë shkak edhe bashkëveproj me kolegët e mi deputet të zonës dhe komunës nga e cila vi edhe vetë. Më vjen mirë që përgjatë të gjithë këtyre proceseve në asnjë moment nuk vihet në pikëpyetje angazhimi dhe orientimi i kësaj qeverie pro integrimeve europiane në të cilën kam dëshmuar edhe personalisht me veprimet e mia në momente kyçe”, thotë për Portalb.mk Rexhepi.

Përndryshe, deputeti Rexhepi të më 11 nëntor nuk u paraqit në seancën kuvendore për votëbesimin e Qeverisë dhe me këtë i prishi numrat e shumicës së paralajmëruar prej opozitës dhe dështoi votimi i votëbesimit.

Ai nëpërmjet Facebookut njoftoi se nuk do të merr pjesë në seancë, për procesit dhe sinjaleve tw forta nga partnerët strategjik SHBA dhe shtetet e BE-së që i janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Pavarësisht deklarimit të tij, kryetarët e partive të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dyshuan se ndoshta Rexhepi është ndaluar në mënyrë të pavullnetshme të vijë në seancë dhe nuk do t’i besojnë një statusi në FB, derisa Rexhepi nuk del me figurë dhe zë.

Për këtë, Kasami e ka paraqitur në Polici si të zhdukur. Dyshimet për rrëmbimin e tij, vazhduan edhe pse, Rexhepi u paraqit me video-porosi se është shëndosh dhe mirë dhe s’ka nevojë askush të shqetësohet për shëndetin e tij.

Kastriot Rexhepi pastaj është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Bit Pazar të Shkupit. MPB asokohe, për Portalb.mk, njoftoi se Rexhepi ka dhënë deklaratë se paraqitja për zhdukjen e tij është e pavërtetë.

Pas kësaj, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha se e ka përjashtuar deputetin Rexhepin, nga strukturat e partisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button