Superekspertiza për “Llaskarcën” më në fund mbërriti në Gjykatën Penale, procesi gjyqësor do të nisë nga fillimi në janar

Superekspertiza për aksidentin e autobusit në fshatin Laskarcë të Shkupit, e cila e vonoi procesin gjyqësor për një kohë të gjatë, ka mbërritur sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, pak para fillimit të seancës kryesore, njoftuan nga Gjykata, transmeton Portalb.mk.

Lënda në Byronë për ekspertizë gjyqësore është dërguar për superekspertizë një vit më parë, gjë që ka qenë arsyeja që procesi gjyqësor ka ngecur pavarësisht disa urgjencave dhe afateve që gjykata i ka dhënë Byrosë për përgatitjen sa më të shpejtë të saj.

“Sot, menjëherë para fillimit të seancës kryesore për rastin me K. nr. 1407/19 lidhur me aksidentin e autobusit në afërsi të fshatit Llaskarcë lënda i është dorëzuar gjykatës me të gjitha shkresat dhe ekspertizën dhe mendimin e përgatitur nga Byroja e ekspertizës gjyqësore ku lënda para një viti është dërguar në superekspertizë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale të Shkupit. 

Një kopje e ekspertizës dhe mendimit, njoftojnë nga atje, në seancën e sotme kryesore, nga këshilli gjyqësor, i është dorëzuar prokurorit publik dhe të akuzuarve e në procedurë, përmes avokatëve të tyre, për njohje me gjetjet.

Gjyqi, siç njofton gjykata, do të vazhdojë më 24 janar 2023, kur edhe zyrtarisht duhet të nisë nga fillimi pasi kanë kaluar më shumë se 60 ditë nga seanca paraprake.

“Një kopje e ekspertizës dhe mendimit të seancës së sotme kryesore, nga këshilli gjyqësor, i është dorëzuar prokurorit publik dhe të pandehurve në procedurë, përmes mbrojtësve të tyre, për shqyrtim. Gjyqi do të vazhdojë më datë 24.01.2023, kur edhe zyrtarisht duhet të nisë nga fillimi, për të cilin ka edhe pëlqimin e palëve dhe më pas do të thirren në seancë ekspertët që kanë bërë konstatimet, në mënyrë që të përfundojë procedura e provave dhe të paraqiten fjalët përfundimtare të palëve para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë”, thuhet në njoftim.

Këshilli Gjyqësor, në marrëveshje me palët në procedurë, caktoi shtatë data gjatë janarit dhe shkurtit të vitit 2023 për të përshpejtuar dinamikën e procedurës.

Gjykata paraprakisht, në fund të nëntorit, i kishte dhënë afat Byrosë për ekspertizë gjyqësore deri më 5 dhjetor të këtij viti, që të dorëzojë ekspertizën për aksidentin e autobusit në afërsi të fshatit Llaskarcë të Shkupit. Megjithatë, përkundër këtij afati, Byroja e ka dorëzuar raportin e superekspertit tek sot.

Vitin e kaluar, më 21 dhjetor, gjykata e dërgoi çështjen në Byro për ekspertizë, pasi të dyja palët në këtë proces gjyqësor – prokuroria dhe mbrojtja – kanë dorëzuar ekspertizën e tyre. Paraprakisht, Fakulteti Teknik në Manastir kishte refuzuar kryerjen e ekspertizës për shkak të mungesës së ekspertëve.

Që atëherë e deri më tani janë dërguar rreth dhjetë kërkesa urgjente për përgatitjen dhe dorëzimin e superekspertizës.

Zvarritja e proceseve gjyqësore ngjalli një ndjenjë revolte tek familjarët e udhëtarëve të vdekur në aksidentin e autobusit, për këtë arsye ata u mblodhën para gjykatës në mes të nëntorit dhe kërkuan drejtësi.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button