MPB: Paralajmërimet për bomba në 23 shkolla fillore në Shkup të rrejshme

Ministria e Brendshme njoftoi se të gjitha paralajmërimet për vendosje të bombave në 23 shkolla fillore në Shkup kanë rezultuar të rrejshme, transmeton Portalb.mk.

“Janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme në lidhje me paraqitjet e sotshme në 23 shkolla fillore në Shkup pas marrjes së porosive në mënyrë elektronike me kërcënime për vendosjen e mjeteve shpërthyese dhe është konstatuar se bëhet fjalë për denoncime të rrejshme”, informuan nga MPB.

Nga ministria kanë bërë të ditur se, menjëherë pas marrjes së denoncimeve, janë marrë masat nga nëpunësit policor për evakuimin e objekteve, ndërsa më pas janë kryer edhe kontrolle të detajuara nga ekipet për kontrolle antiterroriste.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot para deputetëve në Kuvend prezantoi raportin si dokument të klasifikuar për atë se çfarë ka treguar deri më tani hetimi për raportimet për bomba të vendosura në shkolla dhe objekte të tjera.

Përndryshe, MPB deri më tani ka bërë padi penale ndaj dy të miturve, të cilët kanë përdorur kërcënimet hibride për të bërë alarm të rremë.

Gjatë pushimeve dimërore pritet që raportimet për mjete shpërthyese të vendosura në objekte të tjera publike të bëhen më të shpeshta.

Raporti i parë i rremë për bombë të vendosur ka ndodhur më 26 tetor, çka rezultoi në boshatisjen e pesë shkollave të mesme të Shkupit. Që atëherë, raportet janë dërguar rregullisht, ndërsa raportime përveç shkollave janë dërguar edhe në adresat elektronike në aeroportin e Shkupit, ndërtesat e banimit dhe qendrat tregtare. Shumica e raporteve dërgohen në Shkup. Të gjitha raportimet u gjetën të rreme. Rasti për të cilin flet Spasovski i referohet vetëm dy prej dhjetëra kërcënimeve të rreme me bombë. Për pjesën tjetër të kërcënimeve, që cilësohen si sulm hibrid ndaj shtetit, autori ende nuk është zbuluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button