Bubevski: Shpresoj se do të ketë vendim definitiv për “Titanik 2” para se të vjetërohet lënda për Mijalkovin

Se ish-shefit të DSK-së Sashi Mijallkov, së shpejti i vjetërohet lënda për rastin “Titanik 2”, sot konfirmoi edhe shefi i Prokurorisë së Shkupit, prokurori Gavril Bubevski, i cili përfaqëson prokurorinë. Më saktësisht, lënda vjetërohet më 7 prill të vitit të ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

“Lënda vjetërohet për katër muaj vetëm në lidhje me të akuzuarin Sasho Mijalkov, pasi veprimet për të cilat ai akuzohet janë deri në pesë vjet burgim. Sa i përket të akuzuarve të tjerë lënda mbetet në procedurë për shkak se afatet për vjetërim janë shumë më të mëdha. Megjithatë, mund të shihni qartë se gjykata po bën përpjekje që të gjitha këto të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Shpresoj se Apeli do të marrë vendim në afatin e paraparë, deri në fillimin e vjetërimit absolut”, tha prokurori Bubevski.

Akuza penale e “Pranimit të shpërblimit për ndikim të paligjshëm” skadon për pesë muaj, ose në prill 2023. Ai ndiqet penalisht për pjesëmarrje në parregullsi zgjedhore në zgjedhjet vendore të vitit 2013.

Të akuzuarit e tjerë në këtë rast, deputeti Menduh Thaçi, ish-anëtari i KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi dhe tre ish anëtarë të tjerë të KSHZ-së, nuk kanë mundësi të shpëtohen nga vjetërimi. Ata ndiqen penalisht për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Për atë se si ndihet që pas kaq shumë punë, mbledhje të provave dhe përballje me pengesa, disa nga rastet janë gati të vjetrohen, Bubevski thotë:

“Ndjenja është e njëjtë me të gjithë qytetarët në vend. Drejtësia që duhet të ishte bërë e mundur nga PSP, padyshim që nuk u dha, të paktën nga pikëpamja e disa çështjeve që ende nuk kanë përfunduar, megjithëse, megjithatë, ne jemi një palë në proces dhe të pandehurit së bashku me avokatët mbrojtës janë palë tjetër në proces dhe në fund gjykata është ajo që gjykon në çështje. Natyrisht, ato janë disa segmente që ndikojnë si në zvarritjen e procedurës, ashtu edhe në ndjenjën se a është vënë drejtësia në raste të caktuara. Vetëkuptohet që sistemi ynë porotë është i vjetëruar, nuk është funksional dhe ndoshta ky është problemi më i madh pse deri tani nuk kemi drejtësi më të shpejtë. Ai sistem në Ligjin e ri për procedurë penale disi duhet të korrigjohet dhe të mos varet nga vendimet dhe juria nuk ka një ndikim të tillë”, thotë Bubevski.

Pas mos-sjelljes ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov në seancën gjyqësore për “Titanik 2” dhe përplasjes publike mes drejtorisë së burgut në Strugë dhe Gjykatës Themelore Penale Shkup, mëngjesin e sotëm ai u soll në seancën e re për këtë proces gjyqësor.

Në prani të dy avokatëve të tij, Lubomir Shvërgovski dhe Petar Vasilev, mëngjesin e sotëm Mijallkov u ul në rreshtin e pestë në sallën ku filloi seanca, ku u morën në pyetje disa dëshmitarë, mes të cilëve edhe ish anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Mos-sjellja e tij ishte shkak për përplasjen mes institucioneve. Drejtori i burgut në Strugë, Valon Qulla, tha se rasti i mos-sjelljes së Mijalkovit ka ndodhur për shkak të gabimit teknik në datat e Gjykatës Penale. Nga ana tjetër këta të fundit u përgjigjën se “në kthimin e urdhrit është shkruar data e saktë e seancës, pra 22 dhjetori”.

Në ndërkohë, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve ka kryer vëzhgim të jashtëzakonshëm në burgun e Strugës. U konstatua se nuk ishte faji i administratës së burgut dhe u konstatua se ishte gabim i gjykatës.

“Duke pasur parasysh se Burgu i Strugës paraprakisht ka vepruar si duhet për të gjitha kërkesat gjyqësore dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për veprim të gabuar, por për gabim të shërbimeve gjyqësore, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve vlerëson se nuk ekziston përgjegjësi te ndonjë prej të punësuarve në Burgun e Strugës”, thuhet në kumtesë.

Mijalkov mund t’i shpëtojë dënimi për “Titanik 2”

Ish-drejtori i DSK-së po gjykohet për herë të dytë në procesin gjyqësor “Titanik 2”, i cili ka të bëjë me marrëveshjet e fshehta të votimit në KSHZ në lidhje me kundërshtimin e VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet lokale të vitit 2013. Përveç Mijalkovit, të akuzuar janë edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe ish anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev.

Rigjykimi pason pasi Gjykata e Apelit në Shkup e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin Mijalkov u dënua me 3 vjet burgim, Menduh Thaçi 3 vjet e 2 muaj dhe të akuzuarit e tjerë, ish anëtarë të KSHZ-së, po ashtu me burgim.

Të gjithë akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe kompetencave, përveç Mijalkovit, i cili po ndiqet penalisht për marrje të shpërblimit për ndikim kundër korrupsionit.

Kjo lëndë vjetërsohet në prill 2023. Gjykimi tani është në procedurën e provave, mbeten për t’u marrë në pyetje edhe disa dëshmitarë, por edhe në rastin e një vendimi të shkallës së parë në Gjykatën Penale, pyetja është se sa do të ketë sukses Apeli për të marrë vendim pas ankesave të mundshme nëse merret parasysh kohëzgjatja e procedurës para gjykatës së shkallës së dytë.

Kujtojmë se më 8 mars 2019, Gjykata Penale për këtë rast dënoi ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov me tre vjet burgim dhe kreun e PDSH-së, Menduh Thaçin, me 3 vjet e 2 muaj. Bedredin Ibraimi u dënua me 4 vjet e 6 muaj, Vlatko Sajkovski 3 vjet, Sasho Sërcev me 3 vjet dhe Elizabeta Stefanovska po ashtu 3 vjet burg.

Thaci, Ibraimi, Sajkovski, Sërcev dhe Stefanovska u dënuan për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, ndërsa Thaçi u dënua edhe për nxitje.

Mijalkov u dënua për marrjen e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, vepër kjo që u ngarkohej njerëzve në pozita të fuqishme, në këtë rast si drejtor i atëhershëm i DSK-së, të cilët kërkojnë apo urdhërojnë zyrtarë dhe persona të tjerë të kryejnë vepra penale.

Sipas aktakuzës së PThP-së, Mijalkov përmes liderit të PDSH-së Menduh Thaçi ka urdhëruar bashkë-partiakun e tij nga KSHZ-ja Bedredin Ibraimi të votojë për anulimin e votimit të rregullt në një vendvotim në Strumicë, në favor të Vasil Pishev nga VMRO-ja në dëm të kandidatit të atëhershëm për kryetar komune Zoran Zaev.

Megjithatë, në dhjetor të vitit 2019, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurës dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button