Ajri në Shkup edhe mëngjesin e sotëm i rrezikshëm për shëndetin, hynë në fuqi masat për tejkalimin e pragut të alarmit

Sot në mëngjes Shkupi ishte sërish në listën e qyteteve botërore me ajrin më të ndotur, por këtë herë në vendin e 16-të me indeks të ndotjes 153. Megjithatë, kjo nuk e bën situatën më pak shqetësuese, pasi sipas platformës iqair, shkalla e ndotjes së ajrit është ende e rrezikshme për shëndetin, transmeton Portalb.mk.

Sipas matjes së cilësisë së ajrit para orës tetë të mëngjesit të sotëm, ndotësi kryesor në Shkup aktualisht është grimca PM 2.5, përqendrimi i së cilës aktualisht është 11.8 herë më i lartë se vlera vjetore e udhëzimeve për cilësinë e ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). .

Momentalisht, sipas iqair, në kryeqytet ka përqendrim prej 59 mikrogramë për metër kub të grimcave PM 2.5.

Për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit, të shtunën në Shkup, Kërçovë, Kavadar dhe Strumicë, e nga dje edhe në Gostivar, kanë hyrë në fuqi rekomandimet dhe masat për tejkalimin e pragut të alarmit për grimcat e suspenduara deri në 10 mikrometra. Vendimi është marrë nga Qeveria në bazë të informacioneve të marra nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) pasi vlera e grimcave PM 10 prej 150 mikrogramë për metër kub është tejkaluar në pikat matëse në këto qytete gjatë dy ditëve radhazi.

Sipas vendimit të qeverisë, MMJPH në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë u rekomandon të gjitha subjekteve juridike që të lirojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, ata që kanë pasur infarkt miokardi ose goditje në tru, pavarësisht moshës, me rekomandim të mjekut të amë, si dhe të riorganizojnë orari i punës dhe personat  në ambient të hapur të punojnë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Në ndërkohë MMJPH informoi se është ndërprerë pragu i alarmimit për Gostivarin, Kërçovën dhe Kavadarin.

“Sipas të dhënave të Sistemit Shtetëror të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit të Ambientit më 25.12.2022, përqëndrimet mesatare ditore të grimcave të pezulluara PM10 janë nën pragun e përcaktuar të alarmimit prej 150 мg/m3, epizodi i dy ditëve radhazi është ndërprerë në Gostivar, Kërçovë dhe Kavadar. Rekomandimet dhe masat për tejkalimin e pragut të alarmit pushojnë së zbatuari për këto qytete”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button