KE e kritikoi RMV-në për ndalesën e eksportit të grurit dhe drurit për ngrohje, Qeveria: Ishin vendime të arsyetuara

Përkundër kritikave të BE-së, se vendi ka bërë kufizime të panevojshme dhe të paarsyetuara tregtare, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, mendon se përkundrazi, ata vendime kanë qenë të arsyetuara. Sipas ekzekutivit, këto kufizime kanë ardhur për t’i parandaluar shqetësimet në tregun e vendit që mund të ndodhin me eksportin e disa produkteve ose pasi kompanitë kanë pasur vështirësi në importimin e disa produkteve, transmeton Portalb.mk.

Mirëpo edhe pse të pyetur, nga Qeveria nuk u përgjigjën se përse nuk është njoftuar Komisioni Evropian për këto kufizime në kohë, nga ekzekutivi thanë vetëm që “Qeveria “tashmë” e ka njoftuar Komisionin”, duke nënkuptuar se kjo ka ndodhur pas kritikave në Raportin e progresit dhe jo në kohën kur është marrë vendimi.

“Në korrik të vitit 2022, për të parandaluar shqetësime serioze në tregun e vendit, të cilat mund të ndodhin me eksportin e grurit dhe miellit nga vendi, Qeveria mori vendim që deri në fund të vitit, gjegjësisht deri më 31.12.2022 të kufizojë eksportin e grurit dhe miellit. Sa i përket ndalimit të eksportit të grurit, miellit dhe farave të lulediellit, kjo është për shkak të sasisë së disponueshme të rendimentit të grurit prej 256,000 tonë për vitin 2022 për t’i ofruar kryesisht tregut vendas nga korrja e re dhe për të përdorur kuotën pa doganë të 80.000 ton për import të grurit, kuota e cila aplikohet pas hyrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut në OBT më 4 prill 2003. Në mënyrë shtesë në ndalesën për eksport ishte edhe ndalimi i Serbisë për eksportin e grurit dhe miellit të tyre”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Portalb.mk.

Komisioni kritikoi se vendi ende vijon të ketë kufizime tregtare dhe se të njëjtat duhet të hiqen menjëherë.

“Kufizimet e mbetura të eksportit për lloje të caktuara të drurit duhet të hiqen pa vonesë nëse nuk paraqitet justifikim i mjaftueshëm”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Bëhet fjalë për vendimin për kufizimin e eksportit të druve të zjarrit dhe peletit. Sidoqoftë, Qeveria nuk e ka në plan që këtë kufizim ta tërheqë para fundit të këtij viti, pavarësisht kërkesës decide të KE-së.

Eksport - Import

“Lidhur me Vendimin për kufizimin e eksportit të druve të zjarrit, Qeveria tashmë e ka njoftuar KE-në se nuk ka ndërmend të vazhdojë vlefshmërinë e tij pas datës 31.12.2022. Ndalimi për eksportin e druve të zjarrit për ngrohje dhe peletit është aplikuar pasi kompanitë maqedonase kanë hasur në vështirësi gjatë importimit të paletave dhe llojeve të tjera të drurit për ngrohje nga BE-ja dhe vendet e tjera, si dhe çmimet e importit të peletit dhe çmimi i energjisë elektrike në bursën e HUPX u bë jashtëzakonisht e lartë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Nga Qeveria arsyetohen se nuk janë vendi i vetëm me kufizime të tilla, duke shtuar se shumica e vendeve të CEFTA-s (Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina) miratuan zgjidhje të përkohshme për ndalimin e eksportit të druve të zjarrit dhe peletit, gjë që më tej krijoi problem për furnizimin e rregullt të tregut tonë vendas.

“Qeveria në kushte krize monitoron vazhdimisht situatën e tregut me këto produkte. Prandaj, në fillim të muajit tetor, është marrë Vendimi për ndërprerjen e vlefshmërisë së Vendimit për kufizimin e eksportit të mallrave të caktuara (grurë dhe shkrifët, grurë dhe miell spelte) dhe fara luledielli (të thyera ose të grimcuara), gjë që tashmë është shënuar në Raportin e Komisionit Evropian të publikuar në tetor 2022”, thonë nga Qeveria.

Kujtojmë se Komisioni Evropian në raport theksoi se Maqedonia e Veriut sa i përket politikës së përbashkët tregtare, vazhdoi të koordinojë pozicionet e saj dhe t’i harmonizojë ngushtë politikat e saj me ato të BE-së, përfshirë brenda OBT-së, dhe po mbështet reformën e OBT-së.  Nuk ka pasur progres në negociatat për anëtarësim në Marrëveshjen e OBT-së për Prokurimin Qeveritar. Kapaciteti administrativ i Ministrisë së Ekonomisë, përgjegjëse për politikën tregtare, duhet të forcohet më tej.

Në mars 2022, theksohet në raport, qeveria vendosi kufizime sasiore që ndalonin eksportin e vajit të lulediellit, grurit, elbit, misrit dhe miellit të grurit, duke e justifikuar atë me mungesa kritike të produkteve thelbësore në tregun e brendshëm në dritën e luftës në Ukrainë dhe me këtë rast vendit vitin e ardhshëm iu rekomandua:

  • të heqë kufizimet e mbetura të pajustifikuara tregtare;
  • të krijojë kuadër ligjor që mbulon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe politikat e zhvillimit, si dhe ndihmën humanitare ndaj vendeve jashtë BE-së në përputhje me politikat dhe parimet e BE-së;
  • të përfundojë zbatimin e mëtejshëm të Protokollit 6 të CEFTA-s për tregtinë e shërbimeve, dhe të përfundojë dhe miratojë Protokollin 7 të CEFTA-s për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
  • LEXO: BE: Maqedonia e Veriut ka bërë kufizime të paarsyetuara tregtare

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button