Mbi rrethanat shpresëthyese të së ardhmes

Kosova është në prag të luftës. Në veriun e saj janë futur paramilitarët e armatosur serbo-rusë. Lufta psikologjike e medieve të kontrolluara nga pushtetarët e Beogradit është në kulmin e saj dhe ka militarizuar serbët si kurrë më parë. Aktualisht, kërkesa kryesore e tyre për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se është vetëm pretekst për të përsëritur aventurën e ripushtimit të gjithë Kosovës.

S’do mend se kurajon e lidershipit serb për të mbetur në histori si politikani që synon rrumbullakësimin e projektit Bota serbe, nëpërmjet bashkimit të territoreve ku ka qoftë edhe një varr të vetëm serbi, e ushqejnë marrëveshjet e dëmshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bëra pas hyrjes në fuqi të Pakos së Ahtisarit, që e bënë Kosovën shtet të brishtë. Ekspansionin serb e ushqen dhe heshtja mortore e Shqipërisë në momemte rreziqesh serioze për gjithë shqiptarët,  naiviteti i lidershipit shqiptar, që prej muajsh, madje edhe në takime të rëndësishme diplomatike, bën avokatin mbrojtës të presidentit luftënxitës dhe prorus serb, duke e prezantuar atë si burrështetas që ruan paqen në Ballkan, pa çka se rrethepërqark Kosovës ai mban në gatishmëri të lartë lufte njësitet speciale ushtarake, duke pritur momentin e përshtatshëm për përsëritjen e mynxyrave të mësuesit të tij kasap. Kapaku i kësaj vakie është qëndrimi i luhatshëm i BE-së, që bën kinse nuk i kupton lojërat e rrezikshme të Vuçiqit. Parësia e saj qibare zhagitet pas ngjarjeve që rrezikojnë paqen e gjithë kontinentit. Ajo nuk denjon të ndajë fajtorin nga jofajtori dhe viktimën nga agresori. Nyjen mes Kosovës dhe Serbisë ajo “e zgjidh” me barazimin e palëve në konflikt, njëra prej të cilave përpiqet të mbrojë atdheun dhe lirinë e vet, kurse tjetra fut serbes brenda territorit të huaj paramilitarë të maskuar, të armatosur dhe të gatshëm për t’ia rivënë flakën Ballkanit.

Ata që e njohin udhën plot sakrifica të Kosovës gjer në shpalljen e saj shtet i pavarur, nuk e kuptojnë përse Beogradi nuk është i kënaqur me të drejtat e garantuara të serbëve me Pakon e Ahtisarit, që e shndërroi Kosovën në shtet arnë me mbi dyzet xhepa/eksteritore, ku nuk mund të shkelë asnjë këmbë joserbi; nuk e kuptojnë Listën serbe me 10 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me 10 kuaj trojanë, që kryejnë detyrat e Serbisë për rrënimin e shtetit, të cilin duhet ta mbrojnë, ashtu siç ngjet me gjithë kuvendarët e shteteve të botës. Ata nuk i kuptojnë “padrejtësitë” ndaj një popullate që nuk paguan tatime, që nuk paguan rymë, që regjistron veturat me targa të një shteti tjetër, që nuk përfilln sistemin arsimor të shtetit ku jetojnë…, po që marrin paga të rregullta nga Kosova, sepse kjo nuk bie ndesh me synimet serbe për ta bërë Kosovën shtet jofunksional.

Si është e mundur që shteti i cili e bëri Kosovën disa herë shkrumb e hi, shteti ushtarët dhe paramilitarët e të cilit dhunuan mbi 20.000 vajza dhe gra shqiptare, shteti që masakroi mijëra qytetarë të paarmatosur, mes të cilëve dhe mijëra fëmijë, shteti që ka rrezikuar dem baba dem paqen dhe lirinë e fqinjëve të saj…, të guxojë të përsëris gjenocidet e papara, për të cilat kanë lënë dëshmi të dokumentuara vetë serbët, si oficeri Dimitrije Tucoviq, i cili në veprën “Serbia dhe Shqipëria”, në cilësinë e dëshmitarit okular, shkroi për krimet serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike. Ja si e përshkroi ai njërën prej mizorive të ushtrisë serbe në vendbanimet shqiptare, që krahas maskave të kasapëve të së shkuarës, heq dhe maskat e pinjollëve të tyre, të cilët shiten sot si burrështetas të urtë: “Shqiptarët u tërhoqën me mashtrim afër zjarrit artilerik. Menjëherë pastaj, shrapnelat tanë bënë kërdinë më të tmerrshme në ta. Shqiptarët binin në grumbuj, klithmat e tërbimit dhe dhembjes gati barazoheshin me bubullimat e topave. Në ajër fluturonin duart, këmbët, kokat dhe copat e mishit të shqiptarëve . E kur zjarri artilerik u ndal, fushëbeteja ishte e mbuluar jo me kufoma, por me gjymtyrë të copëtuara, që dukeshin si ndonjë masë e ngjyer me ngjyrë të kuqe karmini”. 

Të njëjtën gjë e bëri dhe mësuesi nga Leskoci, Josif H. Kostiqi, që qe pjesëmarrës i gjenocidit në Sanxhakun e Nishit, por që më vonë ndjeu keqardhje dhe në librin e tij “Çlirimi i qytetit të Leskocit” shkroi për natën e tmerrshme të dëbimit të mbi 100 mijë shqiptarëve nga vatrat shekullore: “Atë natë shumë fëmijë me qerre apo me djep në krahët e nënave vdiqën nga të ftohtit e madh deri sa familjet shqiptare iknin përgjatë luginës së lumit Morava. Pranë rrugës gjatë grykës së Gërdelicës, deri ke Vranja dhe Kumanova, nga tërhiqeshin familjet shiheshin fëmijët e hudhur, të vdekur dhe pleq të ngrirë. Tërheqja ishte tragjike…”.

Ata që ndjekin marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë njohin dhe intelektualë, analistë, gazetarë dhe politikanë të sotëm serbë, të cilët, pavarësisht rreziqeve për jetë, e thonë zëshëm të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët, duke shpëtuar kësisoj atë që mund të shpëtohet nga pjesa e mbetur e dinjitetit të etnisë së tyre. Por, fatkeqësisht, përqindja e të militarizuarve, të infektuarve dhe të krisurve që duan reprizën e makabriteteve të para njëzet e ca viteve është shumë më e madhe dhe shumë më shpresëthyese për të nesërmen ndryshe të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button