Mijalkov nuk u dërgua në gjyqin për “Titanik 2”, ftesa ka qenë me datë të gabuar

Nuk mbërriti sot në mëngjes furgoni përcjellës nga burgu i Strugës me të akuzuarin Sasho Mijalkov në Gjykatën Themelore Penale Shkup, edhe pse gjykata pretendon se i është dërguar ftesë për vazhdimin e sotëm të gjykimit “Titanik 2”, për keqpërdorime dhe ndikime në Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve. Mijalkovit i i vjetërsohet lënda në mars ose prill. Ai do të shpallet i pafajshëm nga ndjekja penale, ndërsa të pandehurit e tjerë të rastit jo, transmeton Portalb.mk.

“Për seancën e sotme ka thirrje formale nga gjykata. Nuk e dimë pse nuk ka ardhur i akuzuari Mijalkov, kjo do të hetohet”, thanë nga Gjykata Penale.

Gjykata ka vërtetim nga burgu në Strugë se aty është pranuar fletëthirrja për Mijallkovin, i cili duhet të jetë aty për të vuajtur dënimin me burg prej tre vitesh pas pranimit të fajësisë në rastin “Perandoria”.

“Gjyqtarët që udhëheqin procesin janë thirrur në burgun e Strugës, nga ku janë përgjigjur se nuk kanë marrë urdhër për përcjelljen e të akuzuarit Sasho Mijalkov. Por urdhri është marrë tetë ditë më parë, më 14.12.2022”, thonë nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, të cilët ishin të pranishëm herët në mëngjes aty.

Drejtori i Burgut të Strugës Valon Qulla deklaroi se gjykata ka bërë gabim teknik, gjegjësisht në vend 22 dhjetor, në ftesë është shkruar 12 dhjetor. Ministria e Drejtësisë tha se do të verifikojë se çfarë ka ndodhur.

Më 8 mars 2019, Gjykata Penale për këtë rast dënoi ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov me tre vjet burgim dhe kreun e PDSH-së, Menduh Thaçin, me 3 vjet e 2 muaj. Bedredin Ibraimi u dënua me 4 vjet e 6 muaj, Vlatko Sajkovski 3 vjet, Sasho Sërcev me 3 vjet dhe Elizabeta Stefanovska po ashtu 3 vjet burg.

Thaci, Ibraimi, Sajkovski, Sërcev dhe Stefanovska u dënuan për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, ndërsa Thaçi u dënua edhe për nxitje.

Mijalkov u dënua për marrjen e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, vepër kjo që u ngarkohej njerëzve në pozita të fuqishme, në këtë rast si drejtor i atëhershëm i DSK-së, të cilët kërkojnë apo urdhërojnë zyrtarë dhe persona të tjerë të kryejnë vepra penale.

Sipas aktakuzës së PThP-së, Mijalkov përmes liderit të PDSH-së Menduh Thaçi ka urdhëruar bashkë-partiakun e tij nga KSHZ-ja Bedredin Ibraimi të votojë për anulimin e votimit të rregullt në një vendvotim në Strumicë, në favor të Vasil Pishev nga VMRO-ja në dëm të kandidatit të atëhershëm për kryetar komune Zoran Zaev.

Megjithatë, në dhjetor të vitit 2019, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurës dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button