Libri burim i qytetarisë

Libri vazhdon ende të mbetët elementi kryesor i njerëzimit, për të arritur deri tek dituria. Edhe pse tani kohëve të fundit, vazhdimisht ka përpjekje për t’ia humbur vlerën e madhe që posedon libri, sërish ka njerëz që i ndriçojnë mendjet e tyre me lexim. Kam menduar gabimisht se liria fshihet tek kutia, brenda televizionit, në fakt, liria nuk gjendet tek kutia, por te libraria.

Libri na ofron pafundësisht përfitime dhe të mira. Na bën mendje ndritur, shoqëri më produktive dhe më të përgatitur për sfidat e jetës. Po ashtu na ndihmon të largohemi nga dukuritë negative dhe humbja e kohës në gjëra të padobishme, pra investimi më i rëndësishëm i shoqërisë tonë është mbjellja e dëshirës për të lexuar. Rinia jonë duhet të jetë më shumë e fokusuar nëpër biblioteka, në kërkim të librave dhe dijes. Duhet të ju kushtohet më shumë rëndësi librave, mos ta vrasim kohën vetëm nëpër kafenetë e qytetit.

Leximi i librave duhet të jetë një prioritet i të rinjve, pasi vetëm përmes tyre mund të përfitojnë kultura të mëdha. Le të bëhemi ne të rinjtë motori kryesor i ndryshimeve të sistemit me anë të punës dhe dijes. Një prej shkaqeve të lumturisë dhe suksesit është përkushtimi ndaj librit, dëshira për lexim dhe pasurimi i mendjes.

Përveç gjërave që u thanë më lart, mbetëm me idenë se libri është pasuria më e madhe që të sjell dobi falas. Kush e ka një bibliotekë të pasur me libra, ka një jetë të kulturuar. Ne lexojmë për të qenë më të lidhur me realitetin, rreth asaj çfarë ka ndodhur ose çfarë po ndodhë, jashtë gjërave që i kemi ne në kontrollë. Shoqërohuni me librin dhe respektojeni si ushqim të domosdoshëm, si fuqi që ua pasuron trurin dhe jetën. Do e përfundoj me një thënie të Abraham Lincoln që thotë: Miku im më i mirë është ai që më dhuron një libër të cilin nuk e kam lexuar.

 

Shkruan: Nexhibe Emini

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button