MEDUZA DHE CINCINATI 

“O pushtet me vështrimin e Meduzës!”, kështu Stefan Zweig-u e përshkruan pasionin e pashuar për pushtet.

Meduza, sipas mitologjisë, ishte gorgonë e frikshme, që i ngurtësonte njerëzit me një vështrim. Simbolikisht: kush e shijoi nektarin dhe ambrozin e pushtetit, vështirë se hoqi dorë nga të qenit pjesë e skenës politike.

Sa e sa njerëz i gurëzoi, i shpërfytyroi dhe i robëroi vështrimi i gruas flokëgjarpër. Sa e sa njerëz, fare të zakonshëm, për shkak të këtij vështrimi, u bënë makina mizore dhe ngulën thika në shpinat e miqve e të afërmve. Sa e sa njerëz, për shkak të opiumit të pushtetit, u bënë ingranazh i sistemit të egër shtetëror.

Ishin të paktët që s’i magjepsi ky vështrim. Ishin të paktët që i mbyllën veshët dhe s’i dëgjuan zërat e sirenave mahnitëse të pushtetit. Ishin të paktët që vullneti për pushtet s’ua shoi pasionin për njerëzoren, për të lartësuarën. Të paktët e kanë Perseun brenda vetes, vrasësin e mizores shikimvrasëse, nga gjaku i së cilës lindi Pegasi – simboli i frymëzimit poetik. Se, për t’i takuar botës së lartësuar, duhet, paraprakisht, ta vrasim meduzën në qenien tonë.

Historia njerëzore jep pak shembuj kur prijësit i braktisën postet dhe iu rikthyen jetës së rëndomtë pasi e përmbushën një mision. I tillë ishte Cincinati (Lucius Cincinnatus, rreth 519 –  430 p.e.s.), një burrë shteti romak, i cili i shërbeu atdheut të rrezikuar dhe sapo kaloi rreziku hoqi dorë nga funksionet, i refuzoi nderet dhe iu rikthye parmendës. Sot përmendet si simbol virtyti, ndershmërie, guximi, përulësie e patriotizmi, ndonëse pati edhe anë të errëta në jetën e tij. Ai i frymëzoi edhe artistët, në sytë e të cilëve u shfaq si prijës ideal, i ndershëm, i drejtë ndaj njerëzve dhe ndaj vendit.

Kurrë nuk kemi për ta mësuar se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është legjendë në biografinë e tij. Ashtu siç ndodh me biografitë e njerëzve të veshur me pushtet. Mendja njerëzore di edhe ta teprojë. Por, dimë një gjë: në kohën tonë as nuk mund ta ëndërrojmë një udhëheqës si Cincinati. Prijësit si ai, të ëndërruar e të dëshiruar nga popujt e përvuajtur, janë përjashtime, janë shfaqje të rralla në botën e politikës.

Historia jep shembuj të panumërt udhëheqësish të ndryshëm nga Cincinati, që mund t’i krahasojmë me Princin e Makiavelit dhe me politikanët pa skrupuj moralë, të cilët bënë gjithçka për pushtet.

Cincinatin vetëm mund ta dëshirojmë e ta ëndërrojmë, veçanërisht sot, pavarësisht se propaganda flet për shumë Cincinatë të kohës sonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button