Panairi i Librit “Tetova 2022” hapi dyert për lexuesit

Dashamirët e librave dhe jo vetëm këtë javë kanë se çfarë të bëjnë në Tetovë pasi sonte u hap Panairi i Librit “Tetova 2022”. Organizatorët theksojnë se përveç blerjes së librave lexuesit kanë mundësi të takojnë botuesit, autorët si dhe të zhvillojnë biseda me to. Pritet të ketë vizitorë sidomos nga nxënësit dhe studentët, pasi lokacioni i panairit është mjaft atraktiv për to, në qendrën tregtare “REmall”, shkruan Portalb.mk.

Panairi u hap nga poeti Lulzim Haziri.

“Ky panair ngritët mbi paragjykimet e njerëzve për panairet si një agorë në një hapësirë ku duhet të vijë lexuesi. Në këtë kohë të krizës së leximit, në këtë kohë ku botuesit përballen me problemet e tyre të librit, të mbash një panair në një hapësirë të këtillë është një urti”, tha Haziri.

Profesoresha dhe botuesja Vjollcë Berisha thekson se të gjithë bashkërisht duhet të pajtohemi që leximi është pak a shumë në krizë, por aktivitetet e tilla ndikojnë në rritjen e vëmendjes së njerëzve ndaj librit.

“Tetova jonë e dashur nuk është që nuk ka parë panaire të suksesshme, përpiqemi ta zëmë atë fillin që ku këput diku”, tha Berisha.

Në panair janë mbi 2500 tituj mes të cilëve ka edhe tituj të rinj. Ndërsa pjesëmarrës ka shtëpi botuese nga vendi, Kosova dhe Shqipëria.

“Një libër që nuk e kemi lexuar gjithmonë është i ri, paçka se është botuar në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Lexuesit kanë për të gjetur librat që u interesojnë”, theksoi Berisha.

Panairi nuk ka vetëm shit-blerjen e librave, ka edhe aktivitete tjera

“Në kuadër të panairit të librit ka pasur edhe aktivitete tjera si promovime librash, mbrëmje poetike, debate dhe gjëra të tjera, nuk do të jetë vetëm kjo pjesë e shitjes së librave, do të ketë edhe aktivitete tjera”, tha Muhamed Asllani, nga shtëpia botuese “Nobel”

This slideshow requires JavaScript.

Panairi është organizuar me baza vullnetare, pa përkrahje të institucioneve. Këtë vit organizatorët nuk kanë kërkuar mbështetje institucionale. Por për mbajtjen gjallë sa më gjatë të panaireve të tilla ata theksojnë se është e domosdoshme mbështetja institucionale.

Panairi do të jetë i hapur deri me 26 dhjetor (e hënë), nga ora 10 në mëngjes deri në 10 në mbrëmje.

Kujtojmë që ky është panairi i tretë që organizohet nga shtëpia botuese “Syth” dhe “Nobel”, i pari ishte para një viti dhe i dyti gjatë verës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button