Gjykata e Lartë Administrative e ktheu në rigjykim rastin e koncesioneve të minierës “Ilovica”

Gjykata e Lartë Administrative pranoi ankesën e “Euromax Resources” kundër vendimit të Gjykatës Administrative për rrëzimin e padisë së tyre, e cila konfirmoi vendimin e Qeverisë për revokimin e koncesionit Ilovica 6 për minierën malore Ograzhden. Kjo do të thotë se çështja për revokimin e koncesionit i kthehet Gjykatës Administrative për rigjykim. Kjo është hera e tretë që Gjykata e Lartë Administrative anulon vendim të Gjykatës Administrative që rrëzon ankimin e “Euromax” për koncesionin e hequr, transmeton Portalb.mk nga SDK.

Vendimi i ri i Gjykatës së Lartë Administrative shqetësoi aktivistët kundër minierave në Strumicë “Zdrava Kotlina” të cilët prisnin që përfundimisht ta mbyllnin çështjen me minierën e Ilovicës.

Sipas tyre, koncesionari “Euromax” nuk kishte përmbushur shtatë nga nëntë detyrimet e koncesionit dhe Gjykata e Lartë Administrative pa asnjë argument e kthen çështjen në rigjykim.

“Gjyqësori në Maqedoni është sistematikisht i korruptuar deri në palcë dhe arsyeja më e madhe për këtë janë partitë politike që e kontrollojnë. Një aktgjykim skandaloz i Gjykatës së Lartë Administrative, në të cilin, më e turpshme, pa asnjë argumentim ligjor dhe shpërfillje të plotë të fakteve të vërtetuara, guxon të pyesë nëse në vitin 2022 ka kushte për dhënien e licencës për shfrytëzim, për një kërkesë jo të plotë të vendosur në vitin 201, ndërs afati për kërkesë kaq të plotë është deri në vitin 2016”, thonë aktivistët nga “Zdrava Kotlina”.

Në arsyetimin e Gjykatës së Lartë Administrative për kthimin e çështjes, thuhet se fillimisht duhet të përcaktohet nëse ka kushte për dhënien e lejes për shfrytëzimin e pasurive minerale në lokacionin Ilovica.

“Gjykata vlerëson se fillimisht duhet të zgjidhet ky rast, për të përcaktuar nëse ka kushte për dhënien e lejes për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale, xeheve të bakrit dhe arit në lokalitetin Ilovica, gjegjësisht ky rast është çështje e mëparshme, zgjidhja e së cilës do të varet nga zgjidhja e çështjes e cila ka të bëjë me zgjidhjen e kontratës në të cilën paditësi paraqitet si palë kontraktuese”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Lartë Administrative e cila ka marrë vendim në përbërje të Subhi Jakupit, kryetar i këshillit, dhe anëtaret Diana Dimitrova dhe Emria Zyberi Amiti.

Aktivistët e “Zdrava Kotlinës” vitin e kaluar në këtë kohë mbajtën protestë para Gjykatës së Lartë Administrative, për të zgjidhur përfundimisht çështjen me minierën Ilovica-Shtukë, gjatë së cilës kërkuan ndërprerjen e kalimit të çështjes nga njëra gjykatë në tjetrën, pasi sipas tyre, për shkak të kushteve të paplotësuara nga marrëveshja e koncesionit, është e kotë vazhdimi i seancave gjyqësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button