Taravari për shpëtimin e Mijallkovit: Drejtësia në agoni, shteti kapitulloi përballë krimit dhe korrupsionit

Sistemi i drejtësisë tanimë është në agoni dhe shteti ka kapitulluar para krimit dhe korrupsionit. Rikthimi në pikën zero i lëndës së Mijallkov për përgjim masiv të qytetarëve të vendit është dëshmia më e mirë për këtë. Arsyetimi se në shkallën e parë janë bërë lëshime, vetëm se dëshmon rrjetin e organizuar të krimit në drejtësi, ku gjykatat themelore qëllimisht bëjnë lëshime për t’i dhënë alibi gjykatës së apelit që të shfuqizojë vendimet. Kështu deklaroi u.d. kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari pasi sot Gjykata e Apelit miratoi vendim skandaloz me të cilin e ka shfuqizuar aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa”, ku Sasho Mijallkov ishte i dënuar me 12 vjet burg, shkruan Portalb.mk.

Sipas Taravarit, Këtë e mundëson gjyqësori i kapur nga partitë në pushtet dhe i kriminalizuar deri në palcë.

“Në RMV nuk ka më siguri ligjore dhe as drejtësi të pavarur. Institucionet me në krye Presidentin e vendit kanë dezertuar nga lufta kundër korrupsionit dhe thonë publikisht se nuk kemi kapacitet për veting. E vetmja shpresë ështe që ShBA-të të nisin një shok terapi, duke filluar me futjen në listën e zezë amerikane për të larguar nga skena aktorët e korruptuar nga politika dhe sistemi i drejtësisë. Pra, përveç politikanëve te korruptuar, duhet pastruar edhe sistemin e drejtësisë së kalbur nga murtaja e korrupsionit”, tha Taravari.

Sipas tij, përveç politikanëve te korruptuar, duhet pastruar edhe sistemin e drejtësisë së kalbur nga murtaja e korrupsionit.

“Urgjentisht nevojitet reformë e tërësishme e sistemit të drejtësisë. Këtu hyn ligji për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimi i gjykatave speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (duke integruar shkallën e parë dhe të dytë në një ombrellë institucionale), krijimi i këshillit të emërimeve në drejtësi dhe të inspektoratit të lartë të drejtësisë, përgjegjës. Në këto institucione duhet medoemos të ketë edhe komisionerë ndërkombëtarë”, theksoi Taravari.

Ai iu drejtua ambasadores së SHBA-ve në vend, duke thënë se qytetarët  tanimë shohin kah ambasada amerikane si e vetmja shpresë për të ndryshuar gjendjen katastrofike në të cilën ky pushtet e ka sjellur sistemin tonë të drejtësisë.

Zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska, pas lajmit se Gjykata Penale e ka shfuqizuar vendimin e shkallës së parë për rastin “Target-Fortesa”, kërkoi nga Gjykata e Apelit që publikisht t’i tregojnë arsyet e vendimit.

“Me dozë të madhe të shqetësimit e pranova informatën se Gjykata e Apelit e ka shfuqizuar aktgjykimin e shkallës së parë për lëndën “Target-Fortesa”, në të cilën, nëpërmjet keqpërdorimit të detyrës zyrtare, masivisht janë përgjuar mijëra qytetarë tanë. Ende më shqetësuese janë informatat se, për shkak të veprimit jo të përditësuar të gjykatësve, është e mundshme që të vjetërsohet vepra penale e cila nënkupton shkelje të të drejtave themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë. Gjykata Penale ka obligim që para qytetarëve, në mënyrë transparente dhe të detajuar ta sqarojë këtë vendim, për të cilin ka dyshim se nuk shkon në drejtim të sundimit të së drejtës dhe barazisë para ligjit”, kërkoi Grkovska.

Nga ana tjetër, ministri Oliver Spasovski, duke e komentuar vendimin e Apelit, tha se kjo dërgon në humbjen e besimit të qytetarëve në sistem.

“Kryesisht them se nuk duhet t’i komentojmë vendimet gjyqësore, po, unë përmbahen në atë si njeri prej asaj fushe, megjithatë ajo është tërësisht poshtëruese, dhe ajo është diçka që dërgon në humbjen e besimit të qytetarëve në sistem. Domethënë, do të punohet nga ana e institucioneve, policisë, Prokurorisë Publike, do të mblidhen provat, do t’i ofrohen gjykatës, do të udhëhiqen procedurat dhe në fund do të vijmë në një pozitë të këtillë. Kjo nuk është mirë dhe është pasqyrim i asaj që ndodh me perceptimin e qytetarëve në pjesën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit”, deklaroi Spasovski.

Gjykata e Apelit sot ka miratuar vendim skandaloz me të cilin e ka shfuqizuar aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa”, i cili ka të bëjë me përgjimet masive të paligjshme të mijëra qytetarëve të RMV-së në periudhën 2008-2015, në të cilin ish shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov ishte i dënuar me 12 vjet burg. Para 10 ditëve e Apeli shpëtoi Mijallkovin edhe nga 8 vjet burg nga një rast tjetër.

Rikthimi nga e para e lëndës “Target-Fortesa” hapë mundësi reale që Mijallkov dhe të akuzuarit tjerë të shpëtojë nga përndjekja penale për përgjimet masive, për [ka u formua dhe Prokuroria Speciale Publike, pasi që në fillim të vitit 2025, apo për dy vite, veprat penale vjetërsohen.

Gjasat janë edhe më të mëdha që të Mijallkov t’i ikë përndjekjes penale, duke e pasur parasysh se vetëm për miratimin e aktgjykimit të parë u nevojitën më shumë se tre vjet, pasi që ekipi i avokatëve të Mijallkovit e zvarriste procedurën gjyqësore.

Vetëm para dhjetë ditëve, më 25 nëntor Gjykata e Apelit e ka shfuqizuar edhe aktgjykimin e shkallës së parë në rastin “Thesari” në të cilin Mijallkov u dënua me 8 vjet burg.

Ndryshe, vendimi i Apelit për rastin “Target-Fortesa”, të cilin e ka hapur ish Prokuroria Speciale Publike (PSP), erdhi rreth një vit pasi u shpall aktgjykimi. Për këtë rast, Gjykata Themelore Penale – Shkup më 26 shkurt 2021 dënoi me 55 vjet burg dhe 10 vjet dënim me kusht.

Ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 12 vjet burg për veprat penale “bashkim kriminal”, “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”. Ndërkaq, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, është dënuar me katër vjet burg për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Gjyqtarë raportues në seancën e sotme për ankesë është Enver Bexheti, ndërsa përfaqësues i Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup është prokurori Elvin Veli.

Ndryshe, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, më 29 dhjetor u lirua nga paraburgimi pasi gjykata ka pranuar garancinë e ofruar prej 11 milionë euro. Mijallkov nga 26 shkurti është në paraburgim në burgun e Shkupit, ai u dënua me tetë vite burg për rastin “Thesar”, për furnizim të pajisjes britanike për ndjekje të komunikimit elektronik për DSK. Gjykim të shkallës së parë prej 12 vitesh burg ka edhe për rastin “Target – Fortesa” për përgjim të paligjshëm ndërsa në rrjedhë janë edhe disa lëndë të tjera për të cilat është i akuzuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button