Komunat e Pollogut të paguajnë detyrimet ndaj “Rusino – Pollog” për menaxhim më të mirë të mbeturinave

Kryetarët e Komunave të Pollogut sot u takuan për të diskutuar temat që tangojnë këtë rajon. Kryetari i ri i Këshillit për zhvillimin e rajonit planor të Pollogut i cili u përzgjodh sot, Arben Taravari së bashku me kryetarin e deritanishëm të këtij këshilli, Bilall Kasami theksuan se komunat duhet të angazhohen që të paguajnë borxhet ndaj ndërmarrjes publike rajonale “Rusino – Pollog” e cila menaxhon me deponinë Rusino, ku komunat e Pollogut deponojnë mbetjet, shkruan Portalb.mk.

Taravari theksoi se pas 31 dhjetorit NP “Rusino- Pollog” duhet të ketë qëndrueshmëri vetë si ndërmarrje publike.

“Komunat duhet të angazhohen pak më shumë që t’i shlyejnë borxhet dhe ta rrisin pagesën që të mund të funksionojë si duhet”, theksoi Taravari.

Ai theksoi se është biseduar mundësia që të gjendet rajon i ri për deponi në rajonin e Pollogut, dhe shpreson se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të punojë në këtë drejtim së bashku me komunat që prej vitit 2026 të ketë deponi tjetër rajonale, pasi Rusino do të funksionojë deri në vitin 2025.

Arben Taravari, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për borxhin e komunave ndaj “Rusino – Pollog”, Kasami tha se është diskutuar që komunat të gjejnë mënyra si të paguajnë obligimet.

Për atë nëse do të ndryshojë çmimi i hedhjes së mbeturinave në Rusno, a do jetë i përballueshëm për komunat, Kasami tha:

“Besoj që ndërmarrjet publike është dashur këtë ta kenë në planet e tyre për vitin e ardhshëm”.

Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Siç bëri të ditur Kasami në rend dite të takimit të sotshëm ka qenë edhe miratimi i projekteve shtesë sa i përket financimit nga Byroja për Zhvillim Rajonal dhe Agjencionit Zviceran.

Në këtë mbledhje, Fatmir Saiti u rizgjodh drejtor i Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut për periudhën Janar 2023 – Janar 2027.

Kujtojmë që disa nga komunat ende kanë borxhe ndaj NP “Rusino-Pollog” dhe kjo gjë rrezikon funksionimin e kësaj ndërmarrjeje.

Ndryshe, kohë më parë, Qeveria Zvicerane (SECO) miratoi projekt propozimin për rehabilitimin e deponisë “Rusino”. Ndërmarrja “Rusino – Pollog” e vuri në funksion deponinë Rusino më datë 26 janar të këtij viti kur me vendim të Drejtorisë për mjedis jetësor nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, NP “Rusino- Pollog” e fitoi të drejtën të menaxhojë me deponinë Rusino.

Faza e parë e këtij projekti mbaron në fund të muajit, ndërsa pritet të fillohet me fazën e dytë e cila parashikon ndërtimin e infrastrukturës dhe vendosja e sistemit të menaxhimit të mbeturinave, ku pritet të investohen mbi 20 milion euro në këtë drejtim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button