Mbi shpresën

Javën e kaluar pata rastin të udhëtoj në Zagreb për të marrë pjesë në një konferencë. Ashtu si e gjithë Evropa dhe bota në përgjithësi, edhe Kroacia përballet me krizën ekonomike dhe energjetike që pasoi fill pas krizës së pandemisë Covid-19. E megjithatë, ajo që vërehej ishte një atmosferë jashtëzakonisht e magjishme në lidhje me festat e fundiviti, dhe padyshim, edhe me pjesëmarrjen e kombëtares së tyre në Kampionatin botëror të futbollit.

Rrugët në Zagreb ishin të mbushura me njerëz dhe me shumë ndriçim. Kishte reklama gjithandej për festimet e ndërlidhura me Advent-Zagreb dhe posaçërisht mbrëmjet ishin shumë mbresëlënëse, me një atmosferë festive që vazhdonte çdo natë, me ndërtesa dhe parqe të zbukuruara me drita, me shtëpiza të vogla ku shitej ushqim dhe pije, me njerëz familjarë që së bashku me fëmijët e tyre kalonin kohë të bukur në netët e freskëta të dhjetorit, dhe me këngë të festave të fundvitit që degjoheshin nga secili cep i qytetit. Ka studime që dëshmojnë se atmosfera e këtillë e fundvitit ndikon shumë pozitivisht në disponimin e qytetarëve dhe i bën ata të kenë një ndjenjë pozitive dhe plot shpresë për vitin që vjen. Një disponim i tillë ndjehej mes qytetarëve të atjeshëm të cilët poashtu vraponin pas punëve të përditshme dhe sigurimit të eksistencës, ashtu si edhe ne.

Në fakt, ngjashmëritë mes Zagrebit dhe Shkupit si dy qytete post-socialiste janë shumë të mëdha. Tipi i ndërtesave me arkitekturë brutaliste nga koha kur këto qytete kanë qenë në të njëjtin shtet, nuk mund të mos vërehet. Edhe atje si këtu, i shihni të njejtët njerëz me probleme të ngjashme që hynë dhe dalin nëpër autobuset urbane. Edhe atje, si këtu i shihni të njëjtat përpjekje për të punuar dhe për të siguruar një jetë më të mirë për pasardhësit. Normalisht, qendra e qytetit ndryshon dhe pjesa historike e Zagrebit është më e afërt me perandoritë e lashta evropiane që kanë lënë gjurmët e tyre në këtë qytet, por në përgjithësi, është një ndiesi që nuk bëhet fjalë për njerëz dhe fate shumë të ndryshme. E megjithatë, ajo atmosferë që mbizotëronte atje rrallë herë vërehet tek ne, sidomos gjatë viteve të fundit, ku krizë pas krize, po përfundojmë në një realitet distopik dhe të zymtë ku ngadalë por sigurtë humbet shpresa dhe ndjenja pozitive se në vitin e ardhshëm apo kurdoherë në ndonjë të ardhme të afërt do të bëhet më mirë.

Ajo që më bëri posaçërisht përshtypje ishte dita e ndeshjes futbollistike mes Brazilit dhe Kroacisë. Ndeshja do të luhej në orën 16:00, por që në orën 14:00 nxënësit u lëshuan nga shkolla, të punësuarit u lëshuan nga vendet e punës dhe të gjithë u drejtuan për nga shtëpitë e tyre ose për nga sheshi i qytetit ku do të ndiqnin ndeshjen e shumëpritur. Entuziazmi ishte aq i dukshëm sa kishe ndiesinë se mund ta prekje në ajrin e qytetit. I gjithë shteti i bashkuar reth ngjyrave të kombëtares priste me shqetësim rezultatin e ndeshjes. Me një shpirt të tillë ekipi i një vendi të vogël ballkanik arriti ta eliminojë nga konkurimi legjendën e futbollit, Brazilin. Ajo ditë mbetet e paharuar jo vetëm për ata që e ndiqnin lojën e ekipit të tyre kombëtar por edhe për gjithë të tjerët si ne që atë ditë rastisën aty për t’i bashkëndjerë ato emocione.

Ajo që na shtyn përpara në jetë është pikërisht shpresa se një ditë do t’ia dalim. Por që vërtet t’ia dalim, përveç shpresës duhet edhe shumë kurajo, vendosmëri dhe veprim i bashkuar dhe solidar. Kombëtaret e vendeve të vogla që arrijnë suksese të mëdha e kanë pikërisht këtë shpresë, kurajo dhe vendosmëri për të ecur përpara dhe për t’u përballur me gjigantët. Sepse në esencë, përveç punës, përgatitjes dhe investimit, është shpirti ai që triumfon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button