Malesheva është përplot me mundësi për turizëm alternativ, por mungojnë të rinjtë dhe infrastruktura

Natyra dhe gjelbërimi, ushqimi i shëndetshëm dhe ajri i pastër janë adutet kryesore të Maleshevës. Zhvillimi i turizmit alternativ dhe tërheqja e vizitorëve me pasuritë që i ofron ky lokalitet janë një nga mënyrat kryesore për zhvillim të qëndrueshëm dhe sigurim të të hyrave për popullatën lokale. Bizneset e gjelbra, që në të shumtën e rasteve bazohen te prodhimi tradicional, janë e ardhmja për këtë rajon. Oferta është po aq e pasur sa edhe natyra, ndërsa prodhuesit vendor ofrojnë qumësht, bylmet, mjaltë dhe sapunë me produkte të bletëve, kremra, vajra natyralë, shkruan Meta.mk.

Në dy vitet e fundit në këtë pjesë të vendit u shpallën edhe dy zona të mbrojtura, pjesë e maleve të Osogovës dhe Maleshevës, si një vërtetim për vlerat e mëdha natyrore të kësaj zone. Kjo paraqet një bazë të mirë, e cila duhet të përmirësohet me një ofertë adekuate, infrastrukturë dhe promovim, sepse tendenca e largimit të të rinjve është mjaft e madhe.

Çifti i ri bashkëshortor Antonio dhe Verica Arnautovski tashmë një dekadë janë pronarë të një bletarie në fshatin Vlladimirovë, që ka filluar si një hobi, por dalëngadalë po shndërrohet në një biznes të qëndrueshëm. Këto të rinj thonë se kanë vendosur që të mos largohen, të investojnë në natyrën e pastër të Maleshevës, t’i shfrytëzojnë dobitë e saj dhe të ndërtojnë këtu një jetë për veten dhe familjen e tyre.

Prodhojnë mjaltë, produkte të mjaltit dhe raki me mjaltë dhe të gjitha sasitë e prodhuara tashmë i kanë të shitura. Këtë vit e kanë hapur edhe epiqendrën “Klladençe”, ndërkohë që përvojat për këtë lloj të mjekësisë alternative i mësojnë nga Sllovenia.

“Në fillim së bashku me bashkëshorten bletarinë e kishim vetëm hobi, sa për tu relaksuar dhe sa për të pasur mjaltë për familjen tonë. Lokaliteti është ekologjik dhe i pastër, ndërsa shtëpizat e bletëve ndodhen në një vend ku nuk ka komunikacion dhe që ofron pushim nga të gjitha sfidat e përditshmërisë”, thotë Antonio.

Në të ardhmen numri i familjeve të bletëve në Klladençe do të rritet, ndërsa Antonio dhe Verica duan që ta zhvillojnë jo vetëm aspektin mjekësor, por edhe atë edukativ dhe turistik të bletarisë.

“Malesheva është një pikë e errët, por me ndihmën e turizmit dhe ushqimit ekologjik ne mund ta zhvillojmë këtë rajon. Na mungojnë të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë po largohen. Të paktë janë ata si ne që kanë mbetur këtu, që duan të qëndrojnë dhe të investojnë”, thotë Antonio.

Manoill Stefanovski nga Pehçeva është pronar i fermës familjare blegtare “Agro Çuka” dhe prodhues i qengjave organikë, djathit, gjizës si dhe kumbullave, mollëve dhe dardhëve organike prej të cilave bëjnë gliko, liker frutash dhe produkte të tjera. Në vitin 2010 së bashku me 12 fermerë nga ky lokalitet kanë filluar një projekt për ruajtjen e llojit të vjetër të deleve, pramenka-ovçepollka, për të cilën kanë krijuar edhe qendër reproduktive. Stefanovski mendon se pikërisht ushqimi i shëndetshëm dhe kuzhina tradicionale janë adutet e Maleshevës për tërheqjen e turistëve.

“Malesheva është e pasur me male të mahnitshme, pyje, ujëra, ujëvara… Natyra është ideale për zhvillimin e turizmit, por që të mund të shfrytëzohet duhet të bëjë përpjekje edhe pushteti lokal dhe shteti. Është e domosdoshme që të përmirësohet infrastruktura, por kemi nevojë edhe për promovimin e produkteve tona organike lokale dhe ushqimeve shtëpiake, sepse kuzhina e Maleshevës është e njohur për produktet e saj cilësore”, thotë Manoilli.

Ai tregon se vizitorë të shpeshtë janë turistët e huaj të cilët duan të ecin nëpër male dhe të shohin dhe përjetojnë pasuritë tona natyrore, por që duan edhe t’i degustojnë specialitetet lokale. Megjithatë, problemi është se s’ka kush i pret në Pehçevë, sepse tendenca e largimit të të rinjve është shumë e madhe.

“Ky rajon ka perspektivë për të rinjtë, por gjithnjë e më rrallë vendosin të fillojnë ndonjë biznes këtu. Ata duan të gjejnë siguri tek punësimi në institucione shtetërore, ndoshta për më pak para, por më sigurt. Në Maleshevë turizmi ka potencial, por nuk ka vazhdimësi, për shembull në periudhën e dimrit nuk ka turistë dhe mbijetesa është e vështirë. Kemi nevojë për objekte, infrastrukturë dhe për promovim të pasurive tona natyrore”, thekson Stefanovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button