Rënia e besimit në institucionet e Maqedonisë së Veriut

Luftërat e dy shekujve të fundit në Evropë morën jetën e milionave evropianëve. Miliona të tjerë ishin viktima të regjimit komunist. Tri dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, Ballkani Perëndimor mbetet jashtë BE-së dhe shumë pak i zhvilluar ekonomikisht. Ndërkohë diplomatë të huaj kanë bërë thirrje për luftë ndaj korrupsionit. Mirëpo, krimi i organizuar politik dhe korrupsioni nuk mund të luftohen pa institucione të drejta dhe të hapura.

1.Gjatë Samitit të unionit në Tiranë, BE-ja ofroi një ndihmë të jashtëzakonshme prej 1 bilion dollarë për shtetet e Ballkanit Perëndimor për të tejkaluar krizën energjetike. Duhet pranuar se për gjatë dy shekujve, shtetet e zhvilluara kanë pasur tendenca të jenë më demokratike. Disa këtë e argumentojnë me idenë se demokracia e rrit prodhimin dhe nxit prosperitetin ekonomik. Edhe pse demokracitë në perëndim kanë përjetuar një zhvillim të hovshëm ekonomik dhe në veçanti pas LDB-së dhe Planit Marshall, kjo nuk nënkupton që në një shtet demokratik do të kemi rritje të madhe ekonomike dhe institucione të shëndosha e transparente. Rasti është me vendet e Ballkanit ku edhe pse të gjithë thonë se  kanë përqafuar demokracinë, përsëri nuk kemi rritje ekonomike dhe as institucione të drejta. Në fakt në rajonin e pa inkuadruar në BE, zhvillimi i ngadalshëm ekonomik ka ndikuar në rritjen e dallimeve në mes klasave shoqërore, ndëretnike dhe rritje të korrupsionit endemik. Reformat demokratike të nevojshme pas komunizmit, kanë lënë pasoja në ekonomitë kombëtare, pasi veprimet qeveritare nuk janë shoqëruar me një sërë nismash për të modernizuar veprimtarinë e prodhimit. Pasi qeveritë rajonale kanë kopjuar atë se çfarë është bërë në BE dhe në SHBA, në fakt ata nuk kanë ndonjë metodë premtuese për të rritur zhvillimin ekonomik dhe krijuar institucione të besueshme.

2.Që nga fillimi i Luftërave Ballkanike u shkatërrua në tërësi ai sistem të themi i ekonomisë mbi baza të lidhjeve fisnore dhe funksionimit të marrëdhënieve në mes klasës borgjeze dhe të varfër. Dalja në skenë e ekonomisë sovjetike përfundimisht i dha një goditje të fortë ekonomisë së izoluar kapitaliste të viteve të 30-ta të shek. 20. Dhe kjo u ndie më shumë në disa rajone të Ballkanit. Gjeneratat e politikanëve të edukuar në këtë sistem e drejtuan shtetin pas viteve të 90-ta me pak sukses dhe shumë disfata. Sot si p.sh. në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe në Shqipëri pjesa vitale e popullatës ka migruar. Tri dekadat nuk kanë lënë ndonjë trashëgimi të suksesshme ekonomike. Shkapërderdhja e atij kapitali të mbetur nga ish- sistemi la pasoja të mëdha tek popullata duke marrë ngjyrime të kolonializmit dhe të sundimit të një grupi politikanësh që morën mbi vete një pjesë të mirë të kapitalit shoqërorë. Një aspekt që është diskutuar më vite dhe vazhdon të jetë temë qendrore qeverive ballkanike është origjina e institucioneve, si bartëse të proceseve të transformimit. Siç e theksuam më lartë, institucionet në rajonin e Ballkanit kryesisht janë të ndërtuara gjatë kohës së komunizmit sovjetik dhe jugosllav. Reformat institucionale që sot BE-ja dhe SHBA-ja po i kërkojnë nga qeveritë kanë një histori të hershme që nxisin efekte të kundërta. Por, pasi në krye të tyre kemi liderë me besueshmëri të ultë, institucionet janë lënë në fatin e rastit. Pra nuk mund të kemi një transformim të rastësishëm, ajo duhet bërë në bazë të një planifikimi të organizuar dhe me një vizion se çfarë duam të ndërtojmë. Kjo nuk po ndodh në Ballkanin Perëndimor, andaj dallimi është shumë i madh me demokracitë perëndimore. Edhe pse institucionet mund të mbijetojnë nga transformimet e çastit, përsëri është e nevojshme që të bëhet përshtatja e tyre me rrjedhën e zbulimeve të reja teknologjike dhe zhvillimeve tregtare.

Këtu dihet se shtetet e Ballkanit për sa i përket besueshmërisë institucionale mund të krahasohen me ato të Amerikës Latine. Nga ana tjetër, transformimi demografik, investimet dhe edukimi janë një tregim në vete ku shtetet e Ballkanit kanë ngecur. Për ta kuptuar këtë dhe rolin e faktorëve duhet t’i vërejmë efektet e luftërave dhe analizojmë origjinën e shteteve të formuara pas vitit 1991. A do të kemi rritje ekonomike dhe transformim të vërtetë të institucioneve në kushtet që na ofron demokracia? Kjo mbetet të shihet nëse do t’i afrohemi deri në vitin 2030, BE-së dhe shteteve me ekonomi të përparuar. Ndryshe si Maqedonia e V. dhe shtetet tjera mbeten me demokraci hibride dhe institucione të ndikuara nga partitë politike dhe besueshmëri të ultë që njëkohësisht kanë pasoja në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe natyrisht një demokraci funksionale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button