Policia e Kosovës i mbylli për qarkullim dy pikat kufitare në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka mbyllur përkohësisht rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë, pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, si të dyshuar për organizim sulmesh ndaj zyrtarëve të KQZ-së e Policisë së Kosovës, raporton Koha.net.

“Personi i dyshuar ka qenë i përfshirë në organizimin e sulmeve në zyrat e KKZ-së dhe sulmeve ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës. Me qëllim të pengimit të veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar, persona/grupe të caktuara në orët e pasdites kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda. Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave. Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë, që ka ftuar qytetarët të mos bien pre e thirrjeve të personave a grupeve kriminale.

Veriu i Kosovës qe disa ditë është duke u përballur me tensione, që kur në disa komuna pati sulme ndaj zyrtarëve komunalë të zgjedhjeve e policëve, derisa tentuan t’i hapnin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore. Ata u sulmuan me shok-bomba e armë. Në një sulm tjetër, një polic u plagos.

Pas ngritjes së tensioneve në veri, në prag të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar të shtunën se zgjedhjet janë shtyrë për në prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button