E përshëndesim ekipin amerikan kundër korrupsionit, por ardhja e tyre në RMV është dështim për politikën, thonë nga Antikorrupsioni

E përshëndesim ardhjen e ekipit amerikan për vështrim më agresiv ndaj funksionarëve të korruptuar, por, njëkohësisht kjo është dështim për politikën. Kështu deklaruan sot nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK), me rastin e Ditës Botërore Kundër Korrupsionit, gjatë një takimi me gazetarët, ku mes tjerash deklaruan dhe aktivitetet të cilat planifikon t’i bëjë në periudhën e ardhshme, raporton Portalb.mk.

“Në parim, ne si Komision, çdo luftë apo aktivitet e shohim të mirëseardhur. Dhe kjo e fundit, duke e pasur parasysh se të gjitha rekomandimet që i kemi marrë nga faktori i jashtëm, duke e përfshirë atë të Amerikës, nuk janë marrë mjaft seriozisht që vetë t’i kryejmë detyrat tona dhe tani, normalisht na ndodh kjo që po na ndodh. Për ne është dështim, pasi që ne nuk i kemi mbaruar të gjitha detyrat e shtëpisë. Për korrupsionin e lartë nëse ka qëllime të sinqerta, mund të ndodh diçka mirë. Ne jemi kandidat serioz për hyrje në BE, amerikanët për këtë na mbështesin dhe na japim nxitje, por kështu siç jemi, realisht kemi problem me sistemin juridik dhe ne këtë duhet ta zgjidhim. Ata na japim ndihmë që ne ta kalojmë atë problem dhe më lehtë të shkojmë përpara në rrugën drejt BE-së”, tha kryetarja e KSHPK-së apo Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska.

Anëtari Goce Trpenoski deklaroi se gëzimi i politikanëve për ardhjen e ekipit nga Uashingtoni nuk është real, pasi që mu ata janë përgjegjës për situatën të cilën ndodhemi.

“Sa miliona kanë gjuajtur për trajnim të gjykatësve dhe prokurorëve, mendoj që do të ketë ndonjë efekt duke  i parë reagimet e politikanëve tanë. Të gjithë që i udhëheqin sektorët në të cilat ka më shumë korrupsion, të gjithë shprehen se luftojnë kundër korrupsionit. Ministri Bujar Osmani deklaroi se shteti i ka ftuar që mendoj se nuk është bash ashtu. Mendoj se nuk është gëzim real i tyre, është humbje për politikën. Pasi, të të vijë në atë nivel ekip nga Amerika, është ta prekësh fundin. Të gjitha gënjeshtrat të cilat i kanë ofruar se ja ne luftojmë kundër korrupsionit dhe informatat e gabuara që ua kanë dhënë, tani do të vijnë që të dëgjojnë dhe shohin me veshët dhe sytë e tyre se ku janë ata gënjeshtra”, deklaroi Trpenoski.

Nga Antikorrupsioni deklaruan se nuk e dinë nëse ekipi do të takohet me ata. Ne nuk kemi kurrfarë paralajmërimi se a do të takohet ekipi me ne. A do të ketë kërkesë, sigurisht do të ketë, por për çfarë do të kemi bashkëpunim do ta shohim më tej.

Gjatë takimit të sotëm me gazetarët, KSHPK shpalosi e në periudhën e ardhshme do të angazhohen në ngritjen e vetëdijes për lobimin dhe promovimin e Ligjit për Lobim, i cili ka hyrë në fuqi këtë vit, pavarësisht se në vend edhe nuk ka lobistë.

Ata gjithashtu promovuan një sofuter për mbrojtjen e sinjalizuesve, të cilin disa institucione në vend e kanë pranuar për ta përdorur.

Ky softuer është krijuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe ofron një metodë të komunikimi të sigurt (të koduar) për raportimin e rasteve te personat përgjegjës në komision. Treguesit, duke përdorur aplikacionin e disponueshëm, mund të hapin një temë në KSHPK ​​në një mënyrë të thjeshtë dhe në të njëjtën kohë të qëndrojnë në komunikim me KSHPK-në ​​për veprime të mëtejshme ose informacione shtesë. Zgjidhja softuerike garanton konfidencialitetin e komunikimit dhe të dhënat janë në dispozicion vetëm për personin përgjegjës në KSHPK.

Më poshtë mund të shihni një video me këshilla se si mund të përdoret softueri:

Gjithashtu, Antikorrupsioni njoftoi se kanë punuar disa module për e-mësim, gjegjësisht trajnim të kandidatëve të ri të cilët punësohen në administratën publike. Temat për trajnim do të jenë për përforcim të integritetit personal dhe institucional, mbrojtje të sinjalizuesve, sundimi i ligjit dhe të ngjashme të cilat kanë të bëjnë me antikorrupsionin.

Dita botërore kundër korrupsionit: Si u vlerësua Maqedonia gjatë vitit 2022?

Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me kritika serioze për korrupsion, siç është kjo e fundit nga ambasadorja e SHBA-së.

 raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, publikuar në prill të këtij viti, Maqedonia e Veriut u radhit në grupin e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Nuk ka përmirësime.

Organizata Transparency International në janar të këtij viti, nxori raportin e vitit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë në të cilin theksohej se Maqedonia e Veriut ka një indeks 39, së bashku me Kosovën, dhe është në gjysmën e fundit të tabelës së 180 vendeve në botë.

Analiza e Youth Alliance në të cilën kanë marrë pjesë mbi 440 të rinj nga RMV tregon se pikërisht për shkak të shkallës së korrupsionit, katër nga dhjetë të rinj do ta braktisnin shtetin, ndërsa çdo person i tretë i ri konsideron se pikërisht korrupsioni është motivimi kryesor që të inkuadrohet dhe të kontribuojë në luftën kundër veprimeve korruptive. Vetëm katër për qind e të rinjve mendojnë se gjendja e këtillë i detyron të bëhen pjesë e zinxhirit të korrupsionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button