Raport i fokus grupit: Qytetarët në RMV besojnë se politikanët punojnë vetëm për interesat e tyre dhe partitë janë përçarëse

Shumica e pjesëmarrësve në fokus grupet besojnë se të gjithë politikanët punojnë për interesa personale. Qytetarët besojnë se politikanëve u mungon dëshira për ndryshime reale dhe vullneti për të zbatuar reformat më të nevojshme, thuhet në hulumtimin tematik nga tetë fokus grupe të kryera me qëllim të hulumtimit më të mirë të perceptimit publik për cilësinë e jetës, besimin tek institucionet dhe aktorët politikë, si dhe polarizimi në Maqedoninë e Veriut, të cilin e prezantoi sot Instituti për Demokraci, transmeton Portalb.mk.

Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit ishin të shqetësuar për politikën partiake dhe përçarjet e shkaktuara nga partitë politike.

Sipas shumicës së pjesëmarrësve, partitë politike janë kryesisht të interesuara për agjendën dhe interesat e tyre, jo për të mirën e përbashkët dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Për të kuptuar më mirë pikëpamjet e qytetarëve për politikanët dhe partitë politike, personat në fokus grupe morën pjesë në një ushtrim me personifikim dhe u kërkua të identifikojnë partitë politike me një kafshë. Nga ushtrimi, kuptuam se pjesëmarrësit kryesisht identifikojnë të gjitha partitë politike me dhelprën, duke përdorur atribute të tilla si dinake, mashtruese, e pabesueshme dhe me interes vetjak”, thuhet në hulutmtim.

Ndër pjesëmarrësit vërehet një mungesë e përgjithshme besimi në vullnetin dhe aftësinë e institucioneve për të përmirësuar situatën në vend. Korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, interesat personale dhe partiake, lidhjet politike e familjare janë problemet më të shpeshta të përmendura në lidhje me institucionet dhe janë burimi kryesor i mosbesimit.

Sa i përket Kuvendit, pjesëmarrësit shpesh theksojnë se institucioni është në krizë apo bllokadë të vazhdueshme, ndërsa për qeverinë, pjesëmarrësit kryesisht besojnë se zgjedhjet nuk rezultojnë me qeveri më të mira që zgjidhin problemet e qytetarëve, por vetëm qeveritë që punojnë për interesa personale.

Duke marrë parasysh punën e gjyqësorit, mendimi kryesor i pjesëmarrësve është se gjyqësori është institucioni më i korruptuar dhe gëzon besimin më të ulët. Sipas mendimit të tyre, partitë politike gjithmonë gjejnë mënyra për të shkelur mbi punën e gjyqësorit përmes mekanizmave korruptive.

Pjesëmarrësit folën edhe për polarizimin e shkaktuar nga propozimi francez, për shkak të të cilit ata janë ose maqedonas ose tradhtarë. Për shumë, polarizimi është pasojë e “mentalitetit partiak” dhe shkaktohet nga retorika e përdorur nga partitë politike. Disa nga pjesëmarrësit shprehën zhgënjimin me politikën e jashtme të vendit dhe mungesën e angazhimit të brendshëm për tejkalimin e problemeve të qytetarëve, si dhe dialogun, konsensusin dhe kompromisin mes partive politike.

Studimi me fokus grupe është realizuar në shtator të këtij viti në të tetë rajonet planifikuese dhe në to kanë marrë pjesë 67 pjesëmarrës. Hulumtimi është realizuar në kuadër të Programit për Mbështetje Parlamentare (PSP), i cili mbështetet nga Qeveria e Zvicrës, dhe realizohet në partneritet me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Qendrën për Menaxhim me Ndryshime (CUP).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button