Shkupi në ditën e tretë të bllokadës nga transportuesit privatë: duan patjetër zgjidhje

Shkupi ndodhet nën bllokadë për të tretën ditë me radhë. Autobusët privatë që prej tre ditësh po bllokojnë rrugët kyçe në qytet për shkak të të cilëve qarkullimi në kryeqytet është kaotik, ndërsa qytetarët shpenzojnë më shumë kohë për të shkuar në punë apo në destinacionin e dëshiruar, transmeton Portalb.mk.

Sipas deklaratave të kompanive private “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres”, ata nuk do të dorëzohen derisa Qyteti i Shkupit t’ua paguajë borxhin e papaguar, i cili sipas tyre është mbi 90 milionë denarë. Kryetarja Danela Arsovska, nga ana tjetër, dy ditët e fundit ka heshtur. Ajo dje u shpreh, por vetëm njoftoi se do të lëshojë shpallje publike për transportuesit privatë në linjat e qytetit me numër 20 dhe 22. Pjesa tjetër e paraqitjes së saj, nga ana tjetër, i referohej thirrjeve drejtuar dy partive më të mëdha politike, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.

“Nuk ka asnjë reagim nga Qyteti i Shkupit, askush nuk po thotë asgjë nga ana e tyre, për momentin bllokadat do të mbesin”, ka thënë Lenin Jovanovski, drejtor i transportuesit privat të autobusëve “Sloboda prevoz”.

Edhe “Sloboda prevoz” edhe “Makeskpres” në ndërkohë kanë marrë njoftime nga autoritetet e qytetit për ndërprerjen e kontratave për shkak se Qyteti i Shkupit konsideron se nuk i plotësojnë kushtet dhe nuk i respektojnë dispozitat e kontratave.

Portalb.mk paraprakisht informoi se qytetarët e Shkupit e vazhdojnë ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve mes transportuesve privat dhe Qytetit të Shkupit, derisa Qeveria rri anash dhe shpallet jokompetente për t’ia marrë kompetencat Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për ta rregulluar çështjen e transportit publik, i cili është jetik për funksionimin e kryeqytetit.

Autobusi që duhet të vijë në 7-8 minuta vjen në 30 minuta. Grumbuj qytetarësh mund të vërehen në çdo stacion autobusi duke pritur për t’u ngjitur në autobusët, të cilët për shkak vonesave janë të stërmbushur me udhëtarë. Në atë gjendje, nxënës, punëtorë, të moshuar, të sëmurë detyrohen të shtypen njëri me tjetrin vetëm për të arritur në destinacionin përkatës, pasi që për autobusin e radhës duhet të presin kushedi sa. Por, ka raste kur për shkak të stërmbushjes, autobusët fare nuk ndalojnë në stacione.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Sot Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”

D.m.th. të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Portalb.mkështë ndër mediat e para që ka shkruar për problemin me transportuesit privat, i cili pastaj u shndërrua në problem kryesor të qytetit.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button