Filozofia e provincës (I)

“Aman, së paku një herë në jetë lejoni që pallanka të arratiset nga  ju!”

Këto janë fjalët që një tifoz malazez përmes Twitter-it ia drejtonte para tre ditësh D.S. Piksit, trajnerit të kombëtares serbe në futboll, i cili gjatë ndeshjes me Zvicrën në kampionatin botëror “Katar 2022”, i nxehur nga ngjarjet në terren, loja briliante e Xhakës dhe Shaqirit dhe disfata që po e parandjenjte, në mënyrë të paskurpullt, rrugaççe, ofendoi shqiptarët. “Piksi, legjendë e futbollit… shan nënën shqiptare në Mundialin që i bashkon të gjitha vendet e botës, edhe atë në një vend mysliman…!” – shprehet futbolldashësi i sipërcituar. Ky tweet ishte një regjistrim yni rastësor nga rrjetet sociale në kohën kur mendonim të përgatisnim këtë kolumnë-recension. Një nga fjalët e postimit korrespondonte me temën, me filozofinë e pallankës apo provincës. Po edhe vetë aktori, një provincial nga jugu i Serbisë (Nishi) që as karriera ndërkombëtare s’kishte arritur t’ia eliminonte pallankën që e bart në shpirt apo zemër. Këtë e vërtetojnë edhe komente të tjera si: “Piksi, klasična seljačina” (Piksi, një provincial klasik serb!).

Dhe në vazhdim do të vëmë nën fokus librin që më së miri e shpjegon këtë frymë, këtë anti-etos: Filozofija palanke (1969), që është shqipëruar si filozofia e provincës që ndërkohë përbën edhe një ekzegjezë sociologjike e kësaj sinatgme, e fenomenit provincë dhe kulturës provinciale në përgjithësi. Filozofia e provincës (Logos-A, 2022) apo e pallankës/pallangës është vepër e filozofit dhe letrarit të njohur serb Radomir Konstantinoviq (1928-2011) – autor edhe i veprave Kuća bez krova (Shtëpia pa kulm, 1951), Daj nam danas (Na jep sot, 1954), Čisti i prljavi (I pastri dhe i ndyti, 1958), Izlazak (Dalja,  1960), Pentagram, beleške iz hotelske sobe (Pentagrami, shënime nga dhoma e hotelit, 1966), Biće i jezik (Qenia dhe gjuha, 1983), Dekartova smrt (Vdekja e Dekartit,  1996), Beket prijatelj (Beketi mik, 2000) etj.

Ky libër zbërthen shpirtin provincial – duke marrë si rast studimor atë serb – që izolohet prej botës, që frikohet prej tjetrit, prej qenieve “përtej kodrinës së vet”, që në mënyrë të vrazhdë dhe intolerante është i kthyer kah tradicionalja dhe që është bartës i narcizmit dhe (etno)nacionalizmit. Në fakt, pallanga (në origjinal: palanka) është një turqizëm me gjenezë kurde për qytezën e vogël periferike, në këtë rast nocion për provincializmin, prapambetjen, primitivizmin, mbylljen, ksenofobinë, kultin e vdekjes, ndjenjën agresive të kolektivitetit, vetëdijen totalitare, antimodernizmin. (Ivanković, 2009) Fjala kurde palanka ose palanke në rajonin e Mazgirtit nënkupton struktura/ndërtime të vogla, të improvizuara, të bëra prej balte dhe druri. Pallanga (siç shkruhet shqip) mund të ketë lidhje edhe me shprehjet e vjetra greke falangos (shkop i trashë), falangs (aradhe luftarake, batalion), me fjalën latine falangae (rul druri), atë hungareze palánkvār (rrethojë, gardh i bërë nga trungje pemësh) etj.

Filozofia e provincës, e ndarë në dy pjesë, teorike dhe praktike, një ndër veprat më të botuara deri në vitin 2008 ndër sllavët e jugut, është cilësuar si një nga tekstet më të rëndësishme të postmodernes serbe, si “Bibël dhe breviar (libër lutjesh) i antifashizmit”, libër që e ka paralajmëruar ngadhënjimin e frymës radikale të pallangës (disa vite para luftës në një takim kushtuar Kërlezhës, në Sarajevë, Konstantinoviqi qe shprehur: “Kriza jonë është e madhe…”), që i ka shpjeguar krimet serbe, ngjarjet tragjike në Ballkan, ku jetojnë popujt e vonuar. Ky është një libër pa të cilin nuk mund të kuptohet deri në fund historia serbe e shekullit XIX dhe XX, që e ndan Serbinë në “të parën”, e cila e shkakton krimin, dhe “të dytën”, që e kundërshton atë. Ky libër profetizues e analizon rolin dhe pozitën strukturale të këtij shpirti në ngjarjet që e kanë goditur Serbinë në fund të shekullit XX, por shkon edhe më gjerë – e deshifron në mënyrë kritike edhe shpirtin provincial ballkanas (Belančić, 2008), të homo balkanicus-it, që nuk arrin ta rrokë trenin e modernizimit dhe demokratizimit të mirëfilltë, por edhe e dekonstrukton këtë frymë të lokales, që rri si fantazmë mbi këtë gadishull malor.

Konstaninoviqi e trajton pallangën si një botë mes fshatit dhe qytetit, që predikon “fenë e mbylljes”, banorët e së cilës janë “rojtarë të stilit të pallangës”, që paraqesin vertikalen morale të kulturës bashkëkohore serbe (Velikić). Në të, shoqëria e këtij habitati cilësohet si formë bazike e homogjenizimit të një komuniteti të prapambetur, paramodern (Belančić, 2011), ku më me rëndësi është ta ndjekësh zakonin sesa të jesh personalitet, ku jeta rutinore i përngjan fëmijërisë së zgjatur nën flatrat e familjes, në çka Konstantinoviqi e vëren infantilizmin. Ky komunitet i njëtrajtësisë, i së kaluarës, beson në kultin e pastërtisë, i çuar deri në mani, si në sferën e botës materiale, ashtu edhe në atë të vlerave morale, në kulturën nacionale të ngurtësuar, në të kaluarën dhe mitet shtetndërtuese.

Filozofia e provincës është tekst për ata që janë të gatshëm për aventura më komplekse dhe më të larta (Cakarević). Ajo na mëson ta kundërshtojmë një nga banalitetet më të pështira të provincës: shprehjen “mos filozofo!”. Që nga koha kur është botuar për herë të parë në revistën “Treći Program” (1969), ky tekst është cilësuar si kritikë e shpirtit patriarkal, si literaturë ekstremiste, si një libër i palexuar, i margjinalizuar, si praxis filozofie, ithtarët e së cilës merren me të ardhmen; si narracion që bie ndesh me nacionalizmin që si locus e ka historinë. Ky libër është i vetmi në kulturën serbe që merret me aktualitetin, madje edhe disa dekada pas publikimit të vet; ai ia rrit prestigjin autorit, kurse është tragjedi e vërtetë për shoqërinë të cilën Konstantiniviqi e quan “fisi në agoni”, që implikon idenë e të qenët i pari në katund, që pallanga t’ju vlerësojë pa dalë në agorën e botës. Filozofi Dakoviq ka sugjeruar që Filozofia e pallangës të përkthehet në gjuhën frënge, gjermane, angleze (deri tani është përkthyer në maqedonisht dhe hungarisht), të largohet prej mjedisit të vet, sepse aty “për fat të keq as që do të lexohet ndonjëherë.” Llatinka Peroviqi, në këtë vepër, ka gjetur topthin e kristaltë në të cilin duket ana joeuropiane e serbit, “frymën provinciale si infrastrukturë e nacionalizmit që edhe më tej e mban Serbinë në distancë ndaj Europës” (Ćirjaković, 2016). /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button