Efektet shkatërruese të kapjes së shtetit në administratën publike

Përderisa në Bruksel delegacioni nga Maqedonia e Veriut (MV) i ka vazhduar bisedimet rreth Kapitullit 23,  gjyqësia ende është nën ndikimin e partive politike. Vendi ka një administratë joefektive dhe aspak transparente. Në MV si në gjithë Ballkanin, administrata publike është në gjendje të mjerueshme. Që nga pavarësia, në MV administrata publike është mbushur me anëtarë të partive politike dhe në disa raste edhe me individë të pa kualifikuar. Në teori “administrata publike është një fushë e gjerë që mbulon shërbimet administrative të nevojshme për të ndihmuar në ndërtimin dhe forcimin e shoqërisë”.

Siç dihet, shërbimet publike në MV janë në gjendje të tmerrshme dhe aq më keq në mjediset e përziera etnike dhe fetare. Në vitin 2020, Komisioni Evropian (KE) paraqiti disa propozime për një proces të zgjeruar të anëtarësimit, për të ofruar një perspektivë më serioze të BE-së për Ballkanin Perëndimor. “Në thelb të procesit të anëtarësimit në BE duhet një përqendrim edhe më i fortë në reformat themelore, të vendeve kandidate, duke filluar me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe natyrisht të administratës publike.”- thuhet në raport.

Vendet kandidate janë zotuar se do zvogëlojnë numrin e administratorëve dhe do të kenë një administratë që do t’i plotësojë kërkesat e BE-së. Mirëpo, për dy dekada një gjë të tillë nuk e kemi parë në MV dhe as në shtetet tjera të rajonit. Këtu kemi disa vështirësi me transformimin e një klase të mësuar nga ish -sistemi dhe pas 1991-shit për tu sistemuar vetëm në sektorin publik. Dhe kjo ka një shpjegim sepse sektori privat është në gjendje edhe me të vështirë kur flitet për punësime për të bërë akomodimin e administratorëve. Në vendet e përziera etnike dhe fetare e sidomos në MV, reformat në administratën publike do t’i prekin më shumë etnitë që janë në numër më të vogël dhe anëtarët e partive që nuk janë në pushtet. Shtetet e Ballkani Perëndimor janë munduar që vërejtjet dhe kërkesat e BE-së të plotësohen rreth reformave.

Realiteti tregon se rekomandimet nga Brukseli nuk janë marrë në konsideratë. Kjo mund të shihet nga veprimet e qeverive për një klasë administratorësh të zgjedhur mbi baza të nepotizmit partiak dhe familjarë. Gjendja si duket do të vazhdojë edhe për një kohë të pacaktuar, pasi historikisht nuk kemi pasur një sistem cilësor të punonjësve publik dhe kjo lidhet me sistemin e qeverisjes dhe kalimit nga në një ekonomi gjysmë të kontrolluar në një ekonomi të lirë dhe të hapur. Ekonomisti skocez Adam Smith (1723-1790) besonte se “qeveria duhet të sigurojë mbrojtjen kombëtare, administrimin e drejtësisë dhe të mirat publike”.

Në kuadër të euro-integrimeve qeveria e Maqedonisë së Veriut në Shkup ka publikuar strategjinë kombëtare për reforma në administratën publike (2018-2022). Deri më tash nga ajo që është shkruar dhe publikuar shumë pak është realizuar nga objektivat e vëna si: Depolitizimi i administratës publike dhe rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet; shteti juridik funksional dhe sundimi i ligjit; politika të përmirësuara që do të sigurojnë zhvillim në të gjitha sferat e shoqërisë; ndërtimi i strukturave dhe kapaciteteve administrative të përgatitura për negociatat e anëtarësimit në BE; një administratë publike të riorganizuar dhe optimizuar institucionalisht; zyrtarë të rinj dhe kompetent; institucione, menaxherë dhe punonjës të përgjegjshëm, dhe transparent; dhe shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset. Nga të gjitha çështjet e theksuara më lartë, mund të përfundojmë se Maqedonia e Veriut si të gjitha shtetet fqinjë ka ngecur në reformat. Viti 2023 është vendimtar se çka është shkruar në Planin Aksional të Reformës (PAR) për administratën ku duhet të bëhet vlerësimi i ecurisë të po kësaj reforme apo të aksionit qeveritarë në administratën publike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button