Gjashtëmbëdhjetë ditë më vonë

Sot është data 1 Dhjetor dhe sapo kanë mbaruar Gjashtëmbëdhjetë ditët e aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore të cilat tradicionalisht fillojnë me 14 Nëntor, që shënohet si Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave. Dhe lajmi që qarkullon sot që në orët e mëngjesit është vrasja e gruas shtatzënë në oborrin e spitalit të Prishtinës nga ana e bashkëshortit të saj me të cilin kishin qenë në prag të divorcit. Pak ditë më parë, me 25 nëntor, kur gjithandej nëpër rajon bëheshin aktivitete lidhur me kampanjën 16 ditë aktivizëm kundër dhunës në bazë gjinore, një tjetër bashkëshort në Kosovë e vrau bashkëshorten. Në një shtet të vogël, për më pak se dy javë dy gra viktima të vrasjes vetëm pse ishin gra, dy femicide gjatë kampanjës kur të gjithëve u pëlqejnë t’i vendosin shallet ngjyrë portokalli për të treguar solidaritetin ndaj grave. Shtetet dhe shoqëritë tona mbeten esencialisht të papërgatitura dhe pa vullnet për të mbrojtur të drejtën esenciale të gruas, të drejtën për të jetuar.

Dhuna në bazë gjinore është realiteti i hidhur i shoqërive tona, pa përjashtim. Kjo dukuri nuk është karakteristike vetëm për një shtet apo për një rajon, por është karakteristike për tërë botën, ku gratë sot e kësaj dite vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre themelore, për një pozitë më të mirë në shoqëri, për mundësi të barabarta me burrat, por në të shumtën e rasteve, ato luftojnë për të drejtën e tyre esenciale të ekzistencës. Gratë përballen me dhunë brenda dhe jashtë familjeve të tyre, dhe shpesh duhet të luftojnë për jetën e tyre dhe më pas edhe për ekzistencën ekonomike. Karakteristike është se në të gjitha rastet e femicidit, dhe këtu nuk bën përjashtim as rasti i fundit, viktima e ka paraqitur paraprakisht dhunën e ushtruar ndaj saj, e megjithatë, në fund rasti ka përfunduar me vrasje. Ky fakt është shqetësues në më shumë nivele.

Rasti i gruas shtatzënë të vrarë nga bashkëshorti i saj një ditë para se ajo të lindte dhe gjatë momentit kur ajo ka shkuar në spital, tregon se deri në çfarë niveli shkon egërsia e njeriut që është në gjendje ta vrasë gruan vetëm pak orë para lindjes së fëmijës. Është akt makabër i denjë për dënimin më të lartë të mundshëm. Por e keqja është se asnjë dënim, sado i ashpër të jetë, nuk do ta kthejë në jetë gruan e as fëmijën. Dy jetë janë shuar pa kuptim, njëra prej tyre është shuar para se të fillojë.

Nuk ka dënim që vendos drejtësi të plotë në këto krime, prandaj të njëjtat duhet të parandalohen dhe jo gjithçka të koncentrohet tek veprimet që duhen ndërmarrë pasi krimi të jetë kryer. Po, kryerësi duhet të shkojë në burg dhe të qëndrojë përjetësisht aty. Por kjo vepër mund të parandaloheshte shumë lehtë nëse organet e rendit do të ishin më vigjilente, nëse viktimat e dhunës në familje do të merreshin më seriozisht, nëse traumat që ato i përjetojnë nuk do të relativizoheshin, dhe nëse policia dhe prokuroria do të ishin më të shpejta dhe efikase për të parandaluar krimet duke vendosur masa të cilat parashihen nga legjislacionet tona për ata që kryejnë dhunë në familje.

Rastet e femicidit janë raste të dukshme që na shokojnë dhe na tmerrojnë sa here që i lexojmë nëpër lajme. Por duhet të kemi parasysh që ato janë raste ekstreme, edhe pse të njëjtat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Problemi është se përveç femicidit ka raste të tjera të fshehura të dhunës në bazë gjinore për të cilat ne nuk dimë sa duhet, opinion nuk informohet, e shpesh edhe viktimat nuk janë të vetëdijshme se janë viktima. Përqindja më e madhe e dhunës ndaj grave është dhunë psikologjike. Pjesa më e madhe e grave dhe vajzave rriten dhe jetojnë në ambiente të cilat i konsiderojnë ato jo sa duhet të mençura, jo sa duhet të afta, dhe të mangëta për veprimet, punët dhe shpërblimet që meshkujve duket se u takojnë me automatizëm. Rolet e përcaktuara në shoqërinë patriarkale janë të tilla që femrën e vendosin gjithmonë në disavantazh, ku ajo duhet të mendojë për të gjithë derisa askush nuk mendon për të, ku ajo duhet t’i bëjë pa pagesë të gjithë punët që askush tjetër nuk i bën, dhe ku ajo asnjëherë nuk është plotësisht e pavarur ekonomikisht. Në raste të tilla, edhe gra që në shikim të parë duken të lira dhe të pavarura, shpesh nuk arrijnë as vet ta shohin kafazin e artë ku janë futur.

Aktivizmi kundër dhunës në bazë gjinore duhet të jetë diçka më shumë se një kampanjë dyjavore me shalle portokalli. Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe përpjekjet për barazi gjinore dhe mundësi të barabarta duhet të jenë pjesë e mendësisë së çdonjërit në shoqëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button