Deri në fund të vitit tender për deponinë rajonale në Sveti Nikole, ndërtimi vitin e ardhshëm

Me një vonesë prej gati një viti së shpejti do të shpallet tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e deponisë rajonale në Komunën e Sveti Nikoles dhe gjashtë stacioneve për ngarkim në rajonin planor Lindor dhe Verilindor. Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini në konferencën e sotme për media tha se dokumentacioni i përgatitur për tenderin është rishikuar tërësisht dhe deri në fund të javës do t’i dorëzohet Sektorit për financim qendror dhe lidhje të marrëveshjeve (CFSD) dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian për miratim, transmeton Portalb.mk.

“Hapi i radhës është shpallja e tenderit, i cili do të pasohet nga një periudhë 90-ditore për dorëzimin e ofertave nga ofertuesit e interesuar dhe zbatimin e procedurës së vlerësimit. Lidhja e kontratës dhe fillimi i aktiviteteve ndërtimore janë planifikuar për në gjysmën e dytë të vitit 2023”, tha ministri Nuredini.

Sot ai bëri të ditur se dokumentacioni i projektit për ngritjen e një sistemi të integruar dhe të pavarur rajonal të menaxhimit të mbeturinave në të dy rajonet planore është hartuar në vitin 2012/2023 dhe arsyeja e vonesës së zbatimit të tij janë lokacionet problematike në të cilat ka qenë i paraparë ndërtimi i stacioneve për ngarkim të mbeturinave në Kumanovë, Rankovcë dhe Vinicë.

Ministri Nuredini informoi se në lokacionet origjinale ku është paraparë të ndërtohen këto stacione ndërtimi ka qenë i pamundur. Stacioni në Kumanovë ka qenë i paraparë të ndërtohet më pak se 50 metra nga rruga Korridori 8 drejt Bullgarisë, me çka ligjërisht në këtë lokacion nuk mund të ndërtohet. Në Komunën e Rankovcës, stacioni i mbeturinave ishte planifikuar të ndërtohej nën gazsjellësin magjistral që çon drejt Bullgarisë, ndërsa sa i përket stacionit në Vinicë, lokacioni i zgjedhur nuk ka pasur rrugë të hapur për qasje deri tek ai.

Problemet e këtilla është dashur të zgjidhen, e gjithashtu theksoi se lokacionet e tre stacioneve për mbeturinat janë caktuar nga ekspertë ndërkombëtarë, e jo nga ministria.

Nuredini pret që CFSD dhe Delegacioni i BE-së deri në fund të vitit ta miratojnë tenderin, pas çka do vijojë shpallja e tij. Burimet financiare janë siguruar përmes programit IPA 2 të BE-së dhe përfaqësojnë një grant të pakthyeshëm në vlerë prej rreth 40 milionë eurosh.

Ministri Naser Nuredini sot zyrtarisht nuk deshi të komentojë kundërshtimin e deritanishëm të Komunës së Sveti Nikoles për lokacionin e zgjedhur ku duhet të ndërtohet deponia rajonale në fshatin Meçkuevci të Ovçe Poles. Përndryshe, në fillim të vitit, në disa raste, kryetari i komunës së Sveti Nikoles deklaroi publikisht se ishte kundër ndërtimit të kësaj fabrike moderne të mbeturinave dhe në të njëjtën frymë për këtë çështje u shprehën edhe këshilltarët nga këshilli komunal i Sveti Nikoles.

Meta.mk tashmë ka shkruar se Komisioni Evropian në Raportin e fundit për progresin e reformave të vendit në rrugën drejt BE-së i kritikoi autoritetet maqedonase për vonesën e ndërtimit të deponisë rajonale në rajonin lindor dhe verilindor. Në Raport Komuna e Sveti Nikoles thuhej se bllokon procesin për ndërtimin e deponisë moderne rajonale për të dy rajonet, për të cilën tashmë janë siguruar mjete financiare nga BE-ja.

“Filluan aktivitetet për ndërtimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave në disa rajone. Vendosja e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonin verilindor dhe lindor po vonohet edhe më tej për shkak të rezistencës nga komuna e Sveti Nikoles si lokacion ku duhet të ndërtohet kapaciteti qendror për menaxhimin e mbeturinave”, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian mbi progresin e reformave të vendit drejt BE-së në vitin 2022.

Ndryshe, me një reagim për vonesën në ndërtimin e sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave kanë dalë edhe organizatat ekologjike në vend. Kah mesi i dhjetorit të këtij viti, organizatat ekologjike do të prezantojnë raportin e ri në hije mbi Kapitullin 27 – Mjedisi jetësor dhe Klima.

Kohëve të fundit në një trajnim dyditor mbi monitorimin e progresit të zbatimit të nënkapitujve të Kapitullit 27 – Mjedisi jetësor dhe Klima, organizuar nga Qendra për Ndryshimet Klimatike, u përmend se situata aktuale në vend karakterizohet me shumë pak progres në zhvillimin e infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave. Deponitë ekzistuese komunale nuk i plotësojnë as kërkesat elementare për deponim të sigurt të mbeturinave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button