Cërvenkovska pas dorëheqjes: Shpresoj që kryetari i ardhshëm do të jetë i përshtatshëm për këtë elitë biznes-gjyqësore

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e saj. Vendimin ajo e ka bërë të ditur në fillim të seancës së sotme, e cila është vazhdimësi e javës së kaluar kur pati një rebelim të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, transmeton Portalb.mk.

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetares së këshillit gjyqësor”, tha Cërvenkovska në fillim të seancës.

Më pas u ngrit dhe u largua nga salla, ndërsa gjatë largimit për gazetarët e pranishëm, shtoi se opinioni do të informohet më tej për arsyet. Nënkryetari Selim Ademi pas daljes nga seanca është habitur nga vendimi dhe tha se e ka marrë vesh në këtë moment. Ai ka shpjeguar se në mungesë të kryetares, ai si zëvendës është i ngarkuar me udhëheqjen e seancës, ndaj ka dhënë gjysmë ore pauzë.

Njëri nga anëtarët pyeti nëse jep dorëheqje vetëm si kryetare apo edhe si anëtare, pas së cilës zëvendësi theksoi se Cërvenkovska tha se po jep dorëheqje nga funksioni i kryetares dhe më tej sqaroi se dorëheqja si anëtar i Këshillit dorëzohet në Kuvend, duke qenë se ajo është zgjedhur nga parlamenti.

Pas paraqitjes së dorëheqjes së parevokueshme, kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, është shprehur përmes një kumtese, në të cilën, siç thekson, menjëherë pas zgjedhjes së saj në këtë funksion, filloi ndjekja mediatike me qëllimin përfundimtar të japë dorëheqje pasi zgjedhja e saj si kryetare nuk korrespondonte me grupin e “elitës biznes-gjyqësore”.

“Deri më sot, ndjekja nuk është ndalur përmes shpërndarjes së informacionit të rremë për gazetarët, ndërsa në vazhdimësi janë penguar dhe me vetëdije janë zvarritur proceset e brendshme në Këshill, të cilat janë të një rëndësie kyçe për detyrat e kryera me sukses dhe për funksionimin e gjyqësorit. U bë për të ardhur keq që në vend që t’i përkushtoheshim aktiviteteve dhe reformave dhe përmirësimit të situatës në drejtësi, për dikë u bë më e rëndësishme se si të më sulmonte dhe si të dëmtonte projektet”, thuhet në njoftim.

Shembulli i fundit i brifim të rrejshëm të gazetarëve, shton ajo, ka të bëjë me vendimin tim të paligjshëm për të zgjedhur anëtarin e Këshillit drejtues të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, ndonëse nuk kam propozuar dhe as votuar për anëtarin e Këshillit Gjyqësor Zoran Gerasimoski.

“Shpresoj që kryetari i ardhshëm do të jetë i përshtatshëm për këtë elitë biznes-gjyqësore. U jam mirënjohëse atyre kolegëve që treguan respekt dhe më mbështetën në synimet e mia për të ndryshuar diçka, por megjithatë Këshilli si organ kolektiv vendos se në cilën rrugë do të lëvizë gjyqësori”, tha Cërvenkovska.

Dorëheqja e Cërvenkovskës vjen pas seancës së fundit të Këshillit Gjyqësor, kur pati rebelim të shtatë anëtarëve të zgjedhur nga gjyqtarët që penguan kalimin e listës së gatshme për votim për pozitat kyçe në Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pas kësaj, Cërvenkovska në një prononcim për “360 gradë” është përgjigjur se në seancë ka ardhur me listë emrash të propozimeve për pozita të caktuara në Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, e jo me listë siç dëshironin ta paraqesin disa anëtarë të Këshillit Gjyqësor.

Pavlina Cërvenkovski u zgjodh kryetare e Këshillit Gjyqësor më 28 prill 2021. Ajo u zgjodh unanimisht dhe pasoi Kiro Zdravevin, mandati i të cilit përfundoi një ditë para kësaj date.

Për zgjedhjen e kryetarit nevojiten tetë vota, ndërsa për Cërvenkovskën “për” votuan të gjithë 12 anëtarët Këshillit Gjyqësor që ishin të pranishëm në seancë.

Si anëtare të Këshillit Gjyqësor, Kuvendi e zgjodhi Cërvenkovskën në dhjetor të vitit 2020. Nga viti 2006 deri në vitin 2020 ka punuar si këshilltare gjyqësore në Gjykatën e Apelin Shkup. Paraprakisht, ajo ka qenë këshilltare në kabinetin e Vlado Buçkovskit derisa ai ishte kryeministër në qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së (2004-2006), si dhe ishte shefe e një departamenti në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa Buçkovski ishte ministër (2002-2004). Ajo ka përvojë edhe si juriste dhe praktikante në Gjykatën Penale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button