Takim i NATO-s në Bukuresht, ShBA do të njoftojë ndihmën e re për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara do të shpallin ndihmë të re “të rëndësishme” për Ukrainën gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët do të takohen sot dhe nesër në Rumani, shkruan gazeta Guardian. Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin ndihmë financiare për Ukrainën për ta ndihmuar atë të përballet me dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse në infrastrukturën e saj energjetike, thanë zyrtarë të lartë amerikanë.

Ndihma, e cila do të shpjegohet nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken në margjinat e takimit të NATO-s në kryeqytetin rumun Bukuresht, “është thelbësore dhe jo e fundit,” u tha gazetarëve dje një zyrtar i lartë amerikan.

Ai vuri në dukje se administrata e Joe Bidenit buxhetoi 1.1 miliardë dollarë për të mbuluar kostot e energjisë në Ukrainë dhe Moldavi.

Ministrat e jashtëm të NATO-s do të takohen të martën dhe të mërkurën në Bukuresht për të diskutuar mbështetjen e aleancës për Ukrainën pas pushtimit rus.

Gjermania, e cila aktualisht kryeson G7, ka thirrur një takim për këtë pasdite në margjinat e një takimi të NATO-s për të diskutuar krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Rumania, si dhe Moldavia fqinje, janë prekur keq nga lufta në Ukrainë dhe rreth dy milionë njerëz që ikin nga Ukraina kanë kaluar nëpër vend. Bukureshti aktualisht pret pothuajse 80,000 refugjatë, raporton Guardian.

Ndryshe, luftimet në front vazhdojnë në Ukrainë, kryesisht në rajonet Donetsk dhe Luhansk. Në betejën për qytetin Bakhmut, Guardian shkruan se çdo ditë ka qindra të vdekur dhe të plagosur, sepse as forcat ruse dhe as ato ukrainase nuk mund të bëjnë përparim të rëndësishëm pas disa muaj luftimesh në këtë qytet.

Rusia ka sjellë formacione të reja rreth Bakhmutit në javët e fundit, duke përfshirë përforcime të vendosura më parë në rajonin Kherson, por luftimet rreth Bakhmutit janë shndërruar në një luftë llogore që të kujton Luftën e Parë Botërore.

Gjatë fundjavës, u shfaqën imazhe të ushtarëve ukrainas në llogore dhe fusha beteje të përmbytura, me baltë, të rrethuar nga trungje pemësh të prera nga kazermat e artilerisë.

Luftimet e ashpra vazhduan rreth qytetit Soledar, me mercenarë nga korporata ushtarake private ruse Wagner, e cila përfshin të dënuar të falur, në ballë të luftimeve.

“Njerëzit po strehohen në bodrume, shumë prej të cilëve janë plot me ujë,” tha Guvernatori i Donetsk Pavlo Kirilenko.

Civilët në qytetet ku po zhvillohen luftime të ashpra jetojnë në kushte katastrofike pa energji elektrike dhe ngrohje.

Ndryshe, përkundër agresionit ushtarak rus, autoritetet ukrainase po përgatiten për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Autoritetet e Kievit planifikojnë të ngrenë pemët e Krishtlindjeve pa drita në të gjithë kryeqytetin për të kursyer energjinë elektrike.

“Askush nuk do të anulojë Vitin e Ri dhe Krishtlindjet, dhe atmosfera e Vitit të Ri duhet të jetë këtu,” tha kryetari i komunës së Kievit, Vitali Klitschko.

“Nuk mund ta lejojmë Putinin të na vjedhë Krishtlindjet”, thotë ai.

Klitschko tha se nuk do të ketë tubime masive apo koncerte për të pritur Vitin e Ri në Kiev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button