Portali MKD: Drejtori i ngrohtores “Shkup Veri”, Kushtrim Ramadani e ka sharë dhe ofenduar gazetaren tonë në telefon

Portali “MKD”, sot njoftoi se drejtori i ngrohtores Shkup Veri, Kushtrim Ramadani, nëpërmjet telefonit e ka sharë dhe ofenduar gazetaren e tyre Katerina Dodevska, e cila paraprakisht e ka shkruar një tekst për lejet e ngrohtores.

“Pasi u konsultua dhe në mënyrë korrekte iu transmetua deklarata në tekstin e botuar se ngrohtorja Shkup Veri punon në mazut, por pa leje, ka thirrur në telefon dhe në vend që të reagojë për deklaratën e tij, me sharje dhe ton të lartë të zërit i është drejtuar gazetares së MKD-së”, thonë nga portali.

Ata njoftojnë se sharjet, bërtitjet dhe kërcënimet i kanë raportuar në shoqatat e gazetarëve.

Mediumi, gjithashtu e ka publikuar edhe transkriptin e bisedës mes drejtorit Ramadani dhe gazetares Dodevska, të cilën mund ta gjeni: KËTU.

Në ndërkohë ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), e cila kërkoi që Ramadani të japë dorëheqje.

“SHGM paralajmëron se ky qëndrim ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias nga persona përgjegjës është i papranueshëm dhe i pavend. Një përballje personale me gazetarë apo punonjës të medias nuk mund të justifikohet në asnjë rast dhe për këtë arsye kjo marrëdhënie mund të çojë në autocensurë. Një marrëdhënie e tillë paraqet gjithashtu një presion mbi lirinë e informimit të publikut dhe një kërcënim për interesin publik”, thonë nga SHGM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button