Festat e Nëntorit

Nuk është e rastit që Dita e alfabetit të gjuhës shqipe i paraprin Ditës së flamurit dhe të pavarësisë së shtetit shqiptar. Pa alfabet dhe pa arsimim të mirëfilltë nuk mund të flitet për perspektivën e kombit e as për flamurin dhe pavarësinë. Si që ka thënë i madhi Naim Frashëri: “Vetëm popujt e arsimuar s’mund të jenë të robëruar.” Arsimimi është esenca e vetëdijes kombëtare dhe perspektiva e vetme e një kombi. E arsimimi nuk mund të fillojë pa një alfabet.

Kongresi i Manastirit është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. I mbajtur mes datave 14 dhe 22 Nëntor të vitit 1908 i ka paraprirë për katër vite datës 28 Nëntor 1912, që njihet botërisht si Dita e Flamurit Shqiptar dhe Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Dita e flamurit na bashkon të gjithëve ashtu siç fillon himni kombëtar: “Rreth flamurit të përbashkuar…” Por ajo që i ka hapur rrugën asaj dite të madhe ka qenë pa dyshim ajo që ka ndodhur në Manastir në vitin e largët 1908.

Dikujt mund t’i duket e çuditshme që një popull e feston ditën e alfabetit duke iu referuar një date të fillimit të shekullit XX. Sigurisht, për shumë popuj dhe civilizime të lashta që kanë pasur alfabetin e tyre mijëra vite para erës sonë, kjo mund të duket një datë e vonuar. Por ajo që është fasinuese është mënyra se si një civilizim i lashtë ballkanik ka arritur të mbijetojë për mijëvjeçarë të tërë, dhe në fillim të shekullit XX të krijojë alfabetin e unifikuar dhe të rilindë ndjenjën kombëtare duke kulminuar kështu me krijimin e shtetit modern shqiptar. Ky fakt është fascinues sepse rrallë civilizime, kultura dhe etnitete kanë arritur të mbijetojnë për një kohë kaq të gjatë, lëre më nën ndikime dhe sundime të ndryshme që kanë bërë çmos për asimilimin e tyre. E megjithatë shqiptarët kanë mbijetuar dhe kanë arritur ta ruajnë identitetin e tyre etnik, gjuhësor dhe kulturor ndër shekuj.

Ajo që është posaçërisht mbresëlënëse lidhur me Kongresin e Manastirit është vetëdija e lartë e delegatëve pjesëmarës, në kohëra shumë të rrezikshme dhe të pasigurta, kur shteti shqiptar ende nuk ka eksistuar dhe ku pikërisht në Manastir janë vërejtur ndikimet më të thella të pushtimit otoman dhe atij grek. Në kohëra të tilla, plejada e rilindasve kombëtar të një populli të vogël evropian, ka vendosur të bashkohet rreth identitetit etnik para çdo identiteti tjetër. Në Kongresin e Manastirit kanë marë pjesë mendjet më të shquara të asaj kohe të cilët para së gjithash janë identifikuar si shqiptarë. Në atë kohë, kur ndikimi fetar ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ku identiteti fetar ka qenë ai që ka mbisunduar kudo, dijetarë shqiptarë që kanë qenë myslymanë, katolikë, orthodoksë e bektashinj janë mbledhur dhe kanë diskutuar për atë se çfarë alfabeti duhet të ketë gjuha shqipe. Këta dijetarë të bashkuar kanë vendosur që të lënë mënjanë alfabetet që deri atëherë janë përdorur nga shqiptarët, e që kryesisht kanë qenë alfabeti me shkronja arabe dhe alfabeti me shkronja greke, dhe kanë përfunduar që alfabeti më i përshtatshëm për gjuhën shqipe është alfabeti me shkronja latine. Rilindasit kanë qenë vizionarë të pashoq që kanë arritur në ato kohëra të turbullta dhe të pasigurta të shohin dhe të vendosin se vetëm perspektiva evropiane e bazuar në vlera perëndimore është ajo e duhura për shqiptarët. Orienti, i përfaqësuar nga alfabeti arab dhe ai grek, nuk është parë si i përshtatshëm, edhe përskaj ndikimit të madh që këto kultura i kanë pasur në atë kohë në vendbanimet shqiptare, edhe përskaj faktit që këto territore për një kohë të gjatë kanë qenë të sunduara pikërisht nga ato kultura. Eshtë vërtet fascinuese se si në atë kohë, kur një pjesë e madhe e popullatës ka qenë analfabete, ka pasur dijetarë të tillë që jo vetëm kanë qenë eruditë, por kanë pasur ndjenja të forta kombëtare dhe pasqyrë të qartë së çfarë është kombi shqiptar dhe afër cilave civilizime botërore duhet të qëndrojë. E gjithë kjo në fillim të shekullit të XX.

Sot që shekulli XXI ka më shumë se njëzet vjet që ka filluar, sot, në kohën kur informatat botërore i kemi në pëllëmbë të dorës, sot kur jemi të lirët të jemi vetvetja, sot pra, ka ende që nuk e kuptojnë atë që rilindasit e kanë kuptuar më shumë se njëqind vjet më parë. Sot ka më shumë ndasi mes shqiptarëve se që ka pasur në kohën e rilindjes. Sot ka poashtu më shumë konfuzion se cili identitet duhet të mbizotërojë. Sot gjuha jonë e bukur bastardhohet nga vetë ne, ndërsa alfabeti jonë i pasur me plot 36 shkronja cungohet për të paktën 4-5 shkronja përdorimin e të cilave nuk arrijmë dot ta mësojmë as në shkollë as në shtëpi.

Mes festave të nëntorit që janë të shenjta për shqiptarët, pra mes Ditës së Alfabetit dhe Ditës së Flamurit, me konkretisht sot, në të enjten e fundit të muajit nëntor, partneri më i rëndësishëm stategjik i shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e feston Ditën e Falenderimeve. Gjithmonë më ka lënë parshtypje kjo festë, kur amerikanët bashkohen me familjet e tyre dhe i shprehin falenderimet. Është një festë familjare që e festojnë të gjithë në SHBA, pavarësisht kombësisë së tyre, është diçka që lidhet me identitetin amerikan, prandaj të gjithë e festojnë, pavarësisht identiteteve të tyre dytësore konkurusese.

Në këtë ditë falenderimesh, besoj që ne si popull kemi borxh tu falenderohemi rilindasve tanë, që në ato kohë të pasigurta dhe plot reziqe, vendosën ta mbajnë gjallë së pari pishtarin e arsimit i cili më pas arriti ti ndezë të gjithë pishtarët tjerë të identitetit kombëtar shqiptar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button