Taravari pas takimit me Kovaçevskin: Nuk kemi marrë ofertë për hyrje në qeveri, por nëse e marrim mund ta shqyrtojmë

Nuk kemi marrë ofertë zyrtare apo jozyrtare për hyrje në Qeveri. Kështu deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, njofton Portalb.mk.

“Nuk kemi filluar bisedimet për hyrje në qeveri, por nëse fillojmë, do të kemi linjat tona të kuqe. Kemi pako të masave që si opozitë do t’i prezantojmë”, tha Taravari.

Ai tha se nëse marrin ofertë serioze nga qeveria, do ta mendojnë dhe do të vendosin.

“Nuk e hedhim mundësinë për të hyrë në qeveri, organet partiake do të vendosin për këtë”, shtoi Taravari.

Taravari deklaroi se VMRO-DPMNE po i zvogëlon kapacitetet për bashkëpunim me partitë shqiptare.

“VMRO-DPMNE garon me Levicën se cila parti është më nacionaliste dhe kjo ne na dëmton”, tha Taravari.

Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se gjithçka që flitet për takimin e sotëm me Taravarin në aspektin e hyrjes së ASH-së në qeveri, është pjesë e spekulimeve.

“Takimi i sotëm me zotin Taravari është vazhdimësi e takimit të liderëve që kemi pasur gjatë periudhës së kaluar me kryetarët e të gjitha partive politike parlamentare. Në periudhën e ardhshme planifikoj të zhvilloj takime individuale me kryetarët e të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, për të vazhduar diskutimin për vendimet që duhet të merren për të ardhmen evropiane të vendit, të cilat kërkojnë një konsensus të gjerë politik dhe social”, tha Kovaçevski pas nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë turke “Teknopanel” për investim në TIRZ Shkup.

Paraprakisht, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se negociatat e Aleancës për Shqiptarët për hyrjen në Qeveri janë sekret publik dhe se për këtë flitet me javë të tëra

Megjithatë, ky takim  vjen në një kohë kur në periudhën e kaluar një pjesë e mediave, të cilat iu referuan burimeve partiake, publikuan informacione për hyrjen e mundshme të Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar. Sidoqoftë pretendime të tilla u mohuan nga kryeministri Kovaçevski.

Tema e hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar doli në opinion në fund të shtatorit, kur ishte Taravari ai që tha se nëse i vjen një ofertë, partia do ta shqyrtojë.

Pas deklaratës së Taravarit, kryeministri Dimitar Kovaçevski më 7 tetor deklaroi se nuk kanë biseduar për një opsion të tillë, por tha se duhet të diskutohet për çdo mbështetje të mundshme të Qeverisë së tij.

Në ndërkohë, në Kuvend u mbajt takimi i liderëve i iniciuar nga kryeministri Kovaçevski, ku të pranishëm ishin liderët nga pothuajse të gjitha partitë parlamentare. Lideri i Lidhjes Demokratik (PLD), Pavle Trajanov, pas mbledhjes së kryesisë tha se një parti me tetë deputetë pret të hyjë në Qeveri, aq sa ka Aleancë për shqiptarët.

Taravari, nga ana tjetër, pas mbledhjes së kryesisë nuk ka dashur të komentojë për një opsion të tillë.

Kryeministri Kovaçevski përsëriti qëndrimin e tij një javë më parë se aktualisht nuk diskutohet për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët  në Qeveri, por tha se i vjen mirë që qëndrimet e qeverisë për të ardhmen e vendit kanë mbështetjen e kësaj partie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button