Në Universitetin e Tetovës kemi uzurpim, keqpërdorime financiare e shkelje të normave ligjore, alarmoi Aleanca për Shqiptarët

Ligji për Arsimin e Lartë dhe Statuti i Universitetit të Tetovës janë shkelur, vlerësojnë nga Aleanca për Shqiptarët, pasi nuk janë mbajtur zgjedhjet për rektor tash e një kohë, transmeton Portalb.mk.

“Ka mbi një vit që mbizotëron uzurpimi institucional i UT, ku janë thyer të gjitha normat ligjore për funksionimin e Universitetit në korniza të ligjit të Arsimit të Lartë dhe të statutit të UT”, deklarojnë nga ASH-ja.

Ata theksojnë që në bazë të ligjit për arsim të lartë konkursi duhej të dilte në maj të vitit të kaluar.

“Në vend që të ndodh një gjë e tillë, ne sot pas një viti e gjysmë kemi vetëm ndërrime postesh ndërmjet rektorit dhe prorektorëve, hiqu njëri vendosu tjetri”, deklarojnë nga ASH-ja.

Partia opozitare theksoi që këto veprime po tolerohen nga Qeveria dhe Inspektorati i arsimit të lartë.

“Në tetor dhe nëntor të vitit 2021 Universiteti ishte edhe pa Rektor e për pasojë edhe konstituimi i Senatit në nëntor të vitit të kaluar ishte i jashtëligjshëm. Këto ditë në mënyrë tinëzare kemi prapë ndryshime të posteve, ku ushtruesi i detyrës Rektor, Vullnet Ameti zgjidhet anëtar i Senatit që i njëjti të zgjidhet Kryetar i Senatit”, përkujtojnë nga ASH-ja.

Në reagimin e kësaj partia, në listën e parregullsive numërohen edhe keqpërdorimet financiare, ndërsa propozojnë që Kuvendi i RMV-së të caktojë një ushtrues detyre – rektor, deri në zgjedhjen e rektorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button