Shkenca dhe kërkimi, ndër të rrallët kapituj ku Maqedonia ka marrë rekomandime të reja nga BE

Komisioni Evropian ka vlerësuar se Maqedonia e Veriut ka nivel të mirë përgatitjeje në fushën e shkencës dhe kërkimit, përkatësisht Kapitullin 25. Nënvizohet se është bërë njëfarë progresi në kapacitetet e kërkimit dhe inovacionit si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat pasi fondet e reja për inovacione u janë shpëndarë kompanive private. Ky është një nga kapitujt e rrallë, që vendi i ka zbatuar plotësisht rekomandimet e vitit të kaluar dhe këtë vit ka rekomandime të reja, transmeton Portalb.mk.

Raporti nënvizoi si pozitiv hartimin e Udhëzuesit Kombëtar për Infrastrukturën e Kërkimit dhe sigurimin e qasjes në Horizon Europe dhe European Open Science Cloud.

Megjithatë, sigurisht që Maqedonia ka akoma rrugë për të bërë në këtë fushë. Sidoqoftë, për dallim nga raporti i vitit të kaluar, kur u përsëritë rekomandimet e vitit 2020, këtë vit nuk ka ndodhur kështu. Vendi ka marrë rekomandime të reja, që do të thotë se i ka zbatuar të gjitha sugjerimet e BE-së.

Në vitin e ardhshëm, vendi duhet:

  • të zhvillojë masa për të promovuar Horizon Europe dhe instrumente të tjera financuese të BE-së në zonë;
  • të sigurojë financim të mjaftueshëm të Fondit të Inovacionit;
  • të miratojë Strategjinë e specializimit smart dhe fillojë të zhvillojë masa për zbatimin e saj.

Nënvizohet po ashtu se është bërë njëfarë progresi për t’u përafruar me standardet evropiane për kërkimin dhe inovacionin. Rreth 50 projekte shkencore dhe kërkimore me interes të veçantë kombëtar, ose për zhvillimin e burimeve laboratorike, morën rreth 4 milionë euro fonde publike.

“Që nga gushti i vitit 2021, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë pjesë aktive në punën e European Open Science Cloud Governance Board. Veç kësaj, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike është pranuar si anëtar i “European Open Science Cloud”. Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik ndërmori një vlerësim të strategjisë së zbatimit për kërkimin dhe inovacionet 2015-2020. Pavarësisht zhvillimeve të tilla, investimi në kërkim dhe inovacion është ende i ulët, në 0.38% të PBB-së. Në veçanti, pjesëmarrja e sektorit privat në shpenzimet e përgjithshme të kërkimit mbetet e ulët, në 0.1 % të PBB-së”, thuhet në raportin e KE-së.

Performanca e vendit në Horizon Europe, Programi kornizë i BE-së për Kërkim dhe Inovacion, thuhet në raport, ka vazhduar të përmirësohet (duke arritur 14 projekte me 2.8 milionë euro financim në 2021). Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut për asociimin e plotë të saj me Horizon Europe u nënshkrua në dhjetor 2021, me efekt prapaveprues që nga 1 janari 2021.

“Lidhur me Zonën e re Evropiane të Kërkimit, kapaciteti kërkimor i vendit është përmirësuar pak, falë një investim publik prej rreth 3.6 milionë euro. Megjithatë, kapaciteti i kërkimit, krahasuar me mesataren e BE-së, mbetet i dobët. Vendi nënshkroi një marrëveshje të re për bashkëpunim në fushën e arsimit, shkencës dhe zhvillimit teknologjik me Kinën, duke e çuar numrin total të marrëveshjeve ndërkombëtare në këtë fushë në 27, nga të cilat 11 janë të nënshkruara me shtetet anëtare të BE-së. Megjithatë, fondet dhe shtrirja e bashkëpunimit mbeten modeste. Udhërrëfyesi kombëtar për nevojat e infrastrukturës kërkimore u finalizua me mbështetjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit”, nënvizon raporti i KE-së.

Sa i përket inovacionit, Tabela Evropiane e Inovacionit e klasifikon Maqedoninë e Veriut si ‘novator në zhvillim’ me performancë të përmirësuar, sipas standardeve të BE-së. Që nga themelimi i tij në vitin 2014, Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik ka investuar më shumë se 80 milionë euro fonde publike në rreth 800 kompani për të stimuluar inovacionet dhe adoptimin e teknologjive të reja.

Përgatitja për Strategjinë e Specializimit “smart”, thuhet më tej, ka arritur në fazën përfundimtare – procesin e zbulimit të sipërmarrjes dhe më pas duhet të miratohet dhe zbatohet

Kapitulli 25 i reformave për anëtarësim në BE, ka të bëjë me ofrimin e mbështetjes së konsiderueshme për kërkimin dhe inovacionin. Të gjitha shtetet anëtare mund të përfitojnë nga programet kërkimore të BE-së, veçanërisht kur ka përsosmëri shkencore dhe investime solide në kërkime.

Për dallim nga ky kapitull, gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut nuk bëri asnjë progres në Kapitullin 8 – Politika e konkurrencës. Vendit iu rekomandua që të forëcojë kapacitetet administrative dhe financiare, të rrisë transparencën e ndihmës shtetërore dhe të harmonizojë legjislacionin zbatues në ndihmën shtetërore dhe antitrustin. Ndërkohë, kapitulli –  Shërbimet financiare ka shënuar progres në lidhje me përafrimin e pjesshëm me acquisin e BE-së për përfundimin e shlyerjes dhe për letrat me vlerë dhe fondet e investimeve, sidoqoftë, përsëri rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe një pjesë e rekomandimeve vlejnë edhe për këtë vit. Përparim të kufizuar, vendi shënoi edhe me avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale në përdoruesit e buxhetit si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror dhe miratimin e ligjit të ri organik të buxhetit në shtator 2022.

KE-ja vlerësoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të mbuluara nga Klasteri 2 në tregun e brendshëm, përkatësisht lëvizja e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, pronësisë intelektuale, politikës së konkurrencës, shërbimeve financiare dhe mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit. Në Kapitullin 1, BE-ja thekson qartë dhe pa ekuivoke se vendi nuk ka pasur progres në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. E njëjta gjë nënvizohet edhe për Kapitullin 2, ndërsa Kapitulli 3 ka pasur progres të kufizuar.

Kujtojmë se raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button