Miratimi i Planit Gjeneral Urbanistik brenda gjashtë muajve të parë mbetet premtim i parealizuar i Kasamit

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në periudhën parazgjedhore premtoi se në gjashtë mujorin e parë me Komunën e Tetovës do miratohet plani gjeneral urbanistik. Por, tani që ka kaluar më shumë se një vit që kur ai është në krye të komunës, ky plan nuk është miratuar ende ndërsa Kasami thotë se së shpejti do dalin me informatë për këtë proces. Ky premtim mbetet i parealizuar në afatin e dhënë, shkruan Portalb.mk.

I pyetur me 14 tetor të vitit të kaluar në #DebatPërnime se sa kohë i duhet për të miratuar planin gjeneral urbanistik për Tetovën, Kasami deklaroi kështu:

“Ne planin gjeneral urbanistik do ta miratojmë menjëherë, në gjashtë mujorin e parë dhe pastaj do të vazhdojmë me planet detale urbanistike dhe kjo nuk do ti kushtojë Komunës së Tetovës më shumë se 1.8 milion euro.”

Por, sot që ka kaluar një vit që kur Kasami është në krye të komunës kjo nuk ka ndodhur.

Pyetëm Kasamin se deri në çfarë faze është kjo pikë, kështu u përgjigj ai me 11 nëntor 2022:

“Sa i përket planit gjeneral urbanistik ne arritëm për një periudhë rekord të bëjmë ndryshime të pjesës tekstuale, që i bie se plani gjeneral urbanistik është përmirësuar, është përditësuar dhe tani më qytetarët kanë mundësi të ndërtojnë me parametra të ri të dyfishuar, edhe për banim individual edhe për banim kolektiv . Veç më ditën e djeshme unë kam pranuar një kornizë të procedurave dhe afatit kohor që duhet për miratimin e planit të ri gjeneral në të cilin veç më janë angazhuar ekspertë të jashtëm të cilët e kanë përpiluar propozimin-draftin dhe besoj për një periudhë të shpejtë ne do të dalim me një plan aksional për kohën dhe resurset që do të duhen për miratimin e planit gjeneral urbanistik për Komunën e Tetovës.”

Nisur nga fakti se Kasami premtoi se plani gjeneral urbanistik do miratohet brenda gjashtë mujorit të parë që nga ardhja e tij në krye të komunës, mund të konkludojmë se ky premtim nuk është realizuar në afatin e dhënë.

Përndryshe, miratimi i planit gjeneral urbanistik është nevojë e madhe për qytetin pasi shihet si zgjidhje për zvogëlimin e kaosit në trafik dhe ndërtimeve. Për herë të fundit plani gjeneral urbanistik u miratua në vitin 2003. Në vitin 2019 filloi procedura për sjelljen e një plani të ri, por kjo ngeci.

Burime:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button