Memorandumi i MPJ-ve të RMV-së dhe Shqipërisë parashikon organizim të trajnimeve dhe ligjëratave nga folës dhe diplomatë

Në kuadër të seancës së Përbashkët të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, e cila u mbajt në Shkup, ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani dhe ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka nënshkruan memorandume bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve.

Me Memorandumin e Bashkëpunimit në fushën e Edukimit Diplomatik, hapen mundësi të reja për organizimin e trajnimeve dhe ligjëratave të folësve dhe diplomatëve relevantë, e veçanërisht në kontekst të negociatave të filluara për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

Me Memorandumin e dytë, do të mundësohet shkëmbimi i përvojave në fushën e digjitalizimit të shërbimeve konsullore. Ky projekt në Shqipëri funksionon prej disa vitesh, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut është në fazën finale të vënies së të njëjtit në funksion, e me këtë në mënyrë drastike thjeshtohen dhe shkurtohen procedurat për ofrimin e shërbimeve konsullore.

Mes tjerash, Osmani dhe Xhaçka iu referuan edhe dinamikës së marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës eurointegruese të të dyja vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button