“Stop shkatërrimit të standardit studentor”: Studentët do të protestojnë para Kuvendit

Lëvizja rinore studentore “Rezistenca studentore” ka paralajmëruar për sot në orën 16:00 protestë paqësore para Kuvendit me moton “Stop shkatërrimit të standardeve studentore”. Ata në ora 16:30 duhet të takohen me ministrin e Arsimit Jeton Shaqiri dhe deputetët propozues të ndryshimeve në Ligjin për standardet studentore, transmeton Portalb.mk.

“Rezistenca studentore” kërkon tërheqjen e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për standardet e studentëve, barazimin e bursave me masën më të lartë, përjashtimin e studentëve nga masat antikrizë të qeverisë për racionalizimin dhe kursimin e energjisë elektrike dhe përmirësimin e kushteve dhe sanimin urgjent aty ku është e nevojshme në konviktet e studentëve.

“Me dekada studenti nga Maqedonia është viktimë e politikave të këqija dhe pasivitetit institucional. Është koha të ngrihemi kundër shkatërrimit të standardit studentor. Ndaj është koha e rezistencës studentore!”, thonë nga Rezistenca studentore.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski pajtohet se studentët kanë të drejtë të luftojnë për të drejtat e tyre duke paralajmëruar takim me ministrin përkatës. Sipas tij, është mirë që të mbahet seancë parlamentare për të diskutuar për standardin studentor, siç inicoi deputeti i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov. Kovaçevski do të merrte pjesë në atë seancë sepse mendon se është një mundësi e mirë për të krahasuar konceptin aktual me atë të paraprak për studentët.

“Do të kenë takim në Ministrinë e Arsimit ku do të diskutohet për vërejtjet e studentëve lidhur me zgjidhjen e propozuar ligjore. Edhe unë kam dy vërejtje, si faktorë kufizues që janë vendosur dhe mendoj se nuk duhet të jenë dhe ia kam thënë dje ministrit të Arsimit dhe Shkencës”, tha dje Kovaçevski.

Deputetja e PLD-së, Monika Zajkova, e cila është një nga propozuesit e ndryshimeve ligjore, dje ka deklaruar se nuk është e vërtetë që dikush dëshiron të heqë shujtën e studentëve, por se kërkohet zgjidhje e përhershme dhe sistematike që ai të funksionojë siç ishte menduar fillimisht dhe sipas modelit të aplikuar në Republikën e Sllovenisë.

Zajkova thekson se Ligji për ushqimin e subvencionuar të studentëve si iniciativë e PLD-së nga viti 2018 është miratuar unanimisht nga qeveria dhe opozita në vitin 2020, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka gjetur mundësi për ta zbatuar në mënyrë sistematike, kështu që vitin e kaluar vendosi ta ndryshojë atë në mënyrën se si paguhen paratë në llogaritë e transaksioneve të studentëve pa pasur asnjë pasqyrë nëse ato shpenzoheshin për ushqim apo për qëllime të tjera. Si kompromis për reagimin e sektorit të të rinjve dhe asamblesë universitare, në ligjin ekzistues u fut një dispozitë kalimtare, e cila ishte e vlefshme deri në fillim të këtij viti akademik.

“Ndryshimet e ligjit cenuan të gjithë konceptin e tij dhe e ulën në nivelin e mbështetjes financiare. Pasi edhe pas një viti të tërë, MASH nuk ka krijuar sistem zbatimi dhe ka skaduar dispozita kalimtare, jemi përballur me një periudhë vakum, gjegjësisht periudhë kur studentët nuk e shfrytëzojnë masën për shkak të boshllëkut ligjor”, theksoi deputetja Zajkova.

Ajo njofton gjithashtu se për të mos humbur kohë në komisionet parlamentare do të tërheqin tërësisht ndryshimet e ligjit dhe do të përgatisin një tekst të ri në pjesën e kritereve, në përputhje me propozimet e organizatave studentore.

Lidhja demokratike përmes një njoftimi për mediat ka kërkuar dje që Kuvendi të mbajë seancë urgjente për të diskutuar për standardin studentor dhe problemet e tjera me të cilat përballen studentët dhe për të miratuar zgjidhje konkrete përmes pranimit të plotë të kërkesave të tyre.

“Subvencionimi i ushqimit të studentëve, ngrirja e çmimeve në restorantet dhe konviktet studentore, përjashtimi i konvikteve studentore dhe fakulteteve nga masat e kursimit të energjisë, rritja e kredive dhe bursave studentore, janë kushtet minimale që shteti duhet të sigurojë për të gjithë studentët pa përjashtim. Lidhja Demokratik thekson se nuk mund të propozohen zgjidhje ligjore dhe të merren vendime pa u konsultuar me studentët dhe universitetet, siç është ligji i propozuar për subvencionimin e ushqimit të studentëve apo shpallja e ndryshimeve në Ligjin për Arsimin e Lartë”, theksuan nga PLD.

Propozues të ndryshimeve në Ligjin për standarde studentore janë deputetet Zhaklina Lazarevska dhe Sanela Shkriel nga LSDM dhe Monika Zajkova nga PLD.

Propozim-ligji për ushqimet e subvencionuara ishte paraparë që të mërkurën të ishte në seancë parlamentare dhe të kalonte nga deputetët pas një procedure të shkurtuar. Ndryshimet parashikojnë kushte të reja që duhet të plotësojnë studentët për të qenë përfitues të masës financiare.

Kushtet që studentët duhet të plotësonin vitin e kaluar kur filluan pagesat e subvencionuara të vakteve përfshinin të mos ishin të punësuar, të mos ishin të regjistruar si fermerë individualë dhe të mos kishin të ardhura mujore më të larta se paga minimale.

Krahas këtyre kushteve, ndryshimet në projektligjin e ri parashikojnë që studentët për të përfituar një vakt të subvencionuar nuk duhet të jenë përfitues të bursës nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, si dhe kriteri i pagës minimale, përveç ata personalisht, tani vlen edhe për familjet e tyre. Ndër të tjera, parashihet që të refuzohet ushqimi i subvencionuar për studentët me statusin e “absolvent”, si dhe janë shtuar kushtet sipas të cilave vetëm studentët që kanë kaluar së paku 80 për qind të lëndëve të parapara në vitet e mëparshme të studimet do të jenë në gjendje të marrin një vakt.

Me këto kushte, numri i studentëve që do të ishin përfitues të masës do të ulet ndjeshëm. Vitin e kaluar është miratuar vakti i subvencionuar për 27 mijë studentë.

Projektligji parasheh që shuma e subvencioneve të rritet nga 120 në 140 denarë në ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button