Një vit në krye të Tetovës, Kasami mburret me të arriturat, por nuk i përmend dështimet (Video)

Komuna e Tetovës para pak ditëve bëri një vit nga kur menaxhohet nga kryetari aktual, Bilall Kasami, i cili sot prezantoi para opinionit atë se çfarë realizoi gjatë këtij viti, por jo edhe premtimet e tij të që nuk i realizoi gjatë këtij një viti. Portalb.mk ju sjell një paralele të punëve të realizuara që Kasami i prezantoi sot dhe atyre që nuk janë bërë apo që duhet të punohet për to, transmeton Portalb.mk.

Ksami tha se sfidë e madhe ka qenë drejtimi me komunën pasi siç tha është një nga më borxhlie në vend dhe me probleme të pazgjidhura nga udhëheqësia paraprake.

“Me gjithë vështirësitë dhe presionet me të cilat përballemi, si dhe me borxhin e trashëguar miliona eurosh, ne arritëm të trasojmë me sukses rrugën që synojmë – një qytet modern që zhvillohet dhe bëhet një vend më i mirë për të jetuar për të gjithë. Gjatë kësaj kohe ne kemi arritur që të shlyejmë një pjesë të borxhit, dhe në të njëjtën kohë kemi realizuar edhe projekte të reja… ne arritëm të shlyejmë mbi 3 milionë euro borxh të trashëguar, por në të njëjtën kohë kemi vazhduar me intensitet të shtuar me realizimin e projekteve infrastrukturore”, tha Kasami.

Kujtojmë që nëntorin e vitit të kaluar Kasami bëri publik borxhin e Komunës i cili ishte mbi 24.018.222 euro (së bashku me shkollat dhe ndërmarrjet publike). Ndërkaq së fundmi ai njoftoi se ky borxh është zvogëluar për rreth një milion euro. Borxhi aktual i Komunës së Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike është 23.404.377 euro.

Kasami sot theksoi se gjatë këtij viti është punuar në infrastrukturën rrugore.

“Vizituam çdo lagje dhe filluam punën – rindërtuam rrugët, sanuam çdo dëmtim të infrastrukturës rrugore, siguruam më shumë vende parkimi, liruam hapësirën publike të uzurpuar. Gjithashtu rregulluam edhe zonën rekreative tek Banjat e Qytetit, vendosëm pajisje të reja urbane, ndriçim, rregulluam vend-parkingjet, po ashtu rregulluam edhe një park për fëmijët”, tha mes tjerash Kasami duke shtuar se po punohet për projekte tjera në këtë drejtim.

Kujtojmë që bulevardi Bllagoja Toska ishte premtim se deri në shtator-tetor do të jetë gati, por nuk ka përfunduar ende. Ndërkaq në disa rrugë tjera në mungesë të mjeteve për sanim të tërësishëm, janë mbuluar vetëm gropat. Por, shumë rrugë mbeten ende të shkatërruara.

Për sa i përket urbanizmit theksoi se gjetën 3268 lëndë të pa procesuara me vite të tëra, ku për një afat prej gjashtë muajsh përgatiten 1334 përfundime, 235 pëlqime urbanistike, 212 aktvendime, 349 të cilët duhet të merr vendim këshilli, 311 lëndë në proces të ankimimit duke u shqyrtuar nga juristët, 379 të realizuara në kadastër.

“Njësia për realizim të planeve urbanistike për një vit ka dhënë 155 leje ku janë të përfshira ndërtim, mbindërtim, shtesë, rikonstruim, adaptim dhe ridestinim. Gjithashtu ka filluar faza përgatitore për ndryshimin dhe zgjerim të planit gjeneral urbanistik”, tha Kasami.

Kujtojmë që në periudhën parazgjedhore Kasami premtoi se planin gjeneral urbanistik do ta miratojnë menjëherë, në gjashtë mujorin e parë dhe pastaj do të vazhdohet me planet detale urbanistike dhe kjo nuk do ti kushtojë Komunës së Tetovës më shumë se 1.8 milion euro. Por, kjo deri tani nuk është bërë.

Ndër tjera ai theksoi se njësia e ekspropejimit në vetëm 20 ditë ka realizuar punë të cilat për gjashtë vjet kanë qenë të lëna pas dore.

“Bëhet fjalë për proces ekspropejimi që ndërlidhet me projektin e kolektorit si dhe stacionit të filtrimit për ujërat e zeza për Tetovën dhe fshatrat  Xhepçisht, Poroj, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël dhe Falisht, projekt ky që kap vlerën mbi 30 milion euro.  Gjatë kësaj periudhe të shkurt kohore u përfundua mbi 2000 lëndë dhe u dorëzuan te njësia për çështje pronësore juridike pranë ministrisë së Financave për t’i njoftuar palët”, tha Kasami.

Bilall Kasami, foto: Komuna e Tetovës
Bilall Kasami, foto: Komuna e Tetovës

Ai sot theksoi se janë duke punuar seriozisht për të zgjidhur problemet e mbetjeve komunale në qytet, ku u siguruan 100 kontenjer donacion nga komuna  e Konjës, dhe se në moment të fundit arritën që të mos humbasin projektin e pesëmbëdhjetë kontejnerëve gjysmë-nëntokësorë dhe dy kamionëve të siguruara nga Banka Botërore.

Kujtojmë që aktualisht Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. I njëjti nuk ka edhe kuadër të mjaftueshëm, inspektorë të ambientit jetësor janë vetëm pesë. Ne aplikacionin “E-report” qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri mbetet jofunksional, edhe përkundër asaj se Kasami ka deklaruar se do të rregullohet. Sipas inspektoratit në vitin 2021 për një vit janë kryer 100 kontrolle, ndërsa për tre mujorin e parë të vitit 2022 janë kryer 60 kontrolle.

Kasami theksoi edhe punët në gjendjet e ndërmarrjeve, ku përmendi se NP “Parkingun e Qytetit” kanë arritur ta kthejnë në funksionale dhe me vende të reja parkimi.

Kujtojmë që në janar, Komuna shpalosi planin për krijimin e parkingjeve të reja për këtë vit. Ky plan parashihte 3.090 vende të reja parkimi edhe atë (zonale 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890). Ky plan ishte i ndarë në pesë faza. Në tre- mujorin e parë, plani nuk u realizua siç u premtua. As në tre-mujorin e dytë plani nuk u realizua sipas premtimit. Edhe në tre-mujorin e tretë parkingjet nuk u realizuan sipas planifikimit. Në këtë periudhë është bërë zgjerimi i parkingut zonal, që nuk nënkupton vende të reja parkimi, si dhe po punohet për disa parkingje të mbyllura. Parkingje dhe garazhe në kate nuk ka ende.

Ai sot mes tjerash theksoi lëshimin në funksion të transportit publik, problemin e qenve endacakë dhe marrëveshjen me shoqatën për trajtimin e tyre, rritjen e pagave të punëtorëve, transparencën dhe të tjera.

Transporti publik, i cili filloi në muajin maj ashtu siç duhej, ndonëse shihej si shpëtim në këtë drejtim, I njëjti u lëshua në funksion por edhe aty hasen vështirësi dhe bllokim në komunikacion si rezultat I pengesave tjera në komunikacion.

Problemi me qentë endacak në Komunën e Tetovës nuk do të zgjidhet plotësisht këtë vit. Marrëveshja e Komunës së Tetovës me “Amos Pet”, shoqatën e përzgjedhur për këtë problematikë parasheh që në 12 muaj të trajtohen vetëm 82 qen të shpëtuar nga rrugët, që është rreth 20% nga numri total i qenve që enden nëpër qytet. Ndërsa qyteti ka rreth 500 qen endacak ku rreth gjysma e tyre janë të mëdhenj mbi 40 kilogram.

Përr sa i përket transparencës, të gjitha seancat e këshillit deri tani janë transmetuar drejtpërdrejt në faqen e Komunës në Facebook. Komuna deri tani ka publikuar emrat e kontratave në vepër për vitin 2021, për tre mujorin e parë të vitit, tre-mujorin e dytë si dhe tre-mujorin e tretë. Por, komuna mban sekret emrat e të punësuarve në Komunë përmes Agjencisë private. Në ueb-faqen e komunës ka ende mangësi të cilat duhet të përmirësohen, si për shembull, lista e të punësuarve e cila duhet të përditësohet pasi ka ndryshime,  si dhe informata të tjera.

Në fund Kasami sot përfundoi se do të vazhdojnë të punojnë në vazhdim pa mos e tradhtuar besimin e qytetarëve. Ndërkaq për atë se cilat do të jenë projektet që janë në plan për vitin e ardhshëm, Kasami tha se do i shpalos në një press konferencë tjetër, që sipas tij janë shumë.

Ndryshe, analizën e detajuar të Portalb.mk për atë se çfarë u realizua e çfarë jo në këtë një vjeçar, e gjeni KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button