Nxënësit e “Zdravko Cvetkovski“ mësojnë se si pastrohen oxhaqet, rritet interesi për këtë profesion

Sezoni i ngrohjes tashmë ka filluar. Qytetarët që ngrohen me dru dhe peleta i aktivizuan sobat. Pastruesit e oxhaqeve paralajmërojnë – para se të ndizni zjarrin duhen pastruar mirë oxhaqet që djegia të jetë më e mirë, që të ruhet ngrohtësia në shtëpi, si dhe të zvogëlohet emetimi i gazrave të dëmshëm. Profesoresha Jasmina Atanasova Simjanovska nga  shkolla e mesme e ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski”, e cila është e vetmja oxhakpastruese e diplomuar në Maqedoni, bashkë me një ekip ekspertësh nga Gjermania këto ditë në terren po trajnojnë një grup të rinjsh se si ta bëjnë këtë punë. Ekipi i Meta ishte bashkë me ta në terren në lagjen Lisiçe të Shkupit, shkruan Meta.mk.

“Pastrimi i oxhaqeve është një biznes fitimprurës. Me këtë punë mund të fitohet mirë. Por, në vendin tonë ky është një nga profesionet deficitare. Falë trajnimeve përmes arsimit joformal, po rritet interesi tek të rinjtë”, thotë prof. Atanasova Simjanovska për Meta.mk.

Në Maqedoni ka vetëm rreth 30 oxhakpastrues të certifikuar. Kjo nuk e mbulon as nevojat në kryeqytet. Prandaj, përmes një projekti të mbështetur nga Qyteti i Shkupit, oxhakpastrues nga Gjermania bashkë me profesoreshën këto ditë bëjnë trajnimin e gjimnazistëve tanë për pastrimin e oxhaqeve dhe për atë se në çfarë duhet bërë kujdes që të ketë djegie më të mirë dhe ndotje më të ulët.

Oxhakpastrues, foto: Meta.mk
Oxhakpastrues, foto: Meta.mk

“Për ne është me rëndësi që t’i mësojmë njerëzit se me një mënyrë të drejtë të ngrohjes mund të kursejnë dru. Në këtë mënyrë do fitojnë më shumë energji, do kursejnë para dhe do kenë ajër më të pastër” thotë Hajnc Nider nga Gjermania, Kryetar i odës së oxhakpastruesve të Bavarisë dhe mjeshtër oxhakpastrues.

Për nxënësit pastrimi i oxhaqeve është një përvojë unike dhe ata po mendojnë seriozisht që të merren me këtë profesion sepse paguhet mirë. Maturantja Hajrie Kamberi thotë se i gjithë procesi i duket interesant.

“Nuk e kemi të lejuar të bëjmë çdo gjë, por bëjmë disa punë më të lehta. Më duket interesante përgatitja e pajisjeve, si edhe kur fillojmë me pastrimin”, thotë Kamberi.

Interesi për të qenë oxhakpastrues deri më tani ka qenë mjaft i kufizuar. Por, siç thotë profesoresha Atanasova Simjanovska, këtë vit ka tre nxënës që janë në procesin arsimor, por që duan të merren me këtë profesion.

Përndryshe, sipas rekomandimeve oxhaqet duhet të pastrohen dy herë në vjet, një herë në fillim të sezonit dhe një herë në mes të sezonit.

Pak kohë më parë Meta.mk shkroi se duhet pasur kujdes gjatë ngrohjes me soba nëpër pallate. Profesionistët paralajmëruan se ngrohja me dru në pallate oxhaqet e të cilëve nuk janë në rregull ose që janë të bllokuar për shkak të mbindërtimeve, mund të ketë pasoja serioze ndaj shëndetit dhe të paraqesë kërcënim për vetë banorët. Gjuro Popoviq, menaxher i kompanisë “Oxhaci”, paralajmëron që qytetarët të mos fillojnë të ngrohen me dru dhe peleta nëse oxhaqet në pallatet e tyre nuk janë pastruar.

“Nga viti 2005 kur filloi ekspanzioni më i madh ndërtimor në Shkup, në pallate nuk është planifikuar asnjë oxhak dhe ato pallate nuk kanë aspak oxhaqe. Prandaj askush nuk na thërret ne oxhakpastruesve për të bërë një atest dhe për ta kontrolluar përshkueshmërinë e ventilimit. Qytetarët duhet ta dinë se nuk duhet as të mendojnë për ngrohje me dru pa e kontrolluar oxhakun”, paralajmëroi Popoviq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button