RMV, shumë fëmijë të përfshirë në vepra penale

Në Maqedoninë e Veriut çdo vit ka qindra raste të fëmijëve të cilët kryejnë vepra penale, nga prishja e rendit dhe qetësisë publike e deri te vrasjet. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në katër vitet e fundit gjithsej 2,275 fëmijë janë raportuar si delikuent, transmeton Alsat-M.

ENTI I STATISTIKAVE
• 2018- 554 fëmijë
• 2019 – 525 fëmijë
• 2020 – 610 fëmijë
• 2021 -589 fëmijë

Sipas legjislacionit të vendit tonë fëmijë me përgjegjësi penale janë personat nga 14 deri 18 vjeçe. Sipas sociologut Ali Pajaziti, një ndër shkaktarët e kësaj dukurie janë edhe rrjetet sociale.

“Bota virtuale, pra bota e internetit, lojërat e ndryshme që i luajnë të rinjtë online në vete inkludojnë dhunë të jashtëzakonshme, marramendëse që prish psikologjinë dhe botën e brendshme të fëmijës dhe si rrjedhim pra si rezultat i kësaj kjo do të reflektohet në raportet e jetës së përditshme me të tjerët, duke filluar nga shtëpia, rruga, shkolla, lagjja, qyteti dhe shoqëria në përgjithësi”, tha Ali Pajaziti, sociolog.

Pajaziti shtoi se ky fenomen është si pasojë e humbjes së autoritetit të familjes, pasi që sipas tij, familjet aktuale nuk kanë kohë të merren me fëmijët. Sipas profesoreshës së të drejtës penale, Blerta Ahmedi, faktorët që ndikojnë në paraqitjen e këtij fenomeni mund të jenë të jashtëm, mikrogrupore siç janë familja, shoqëria, faktori ekonomik, sociopatologjik si dhe subjektiv. Sipas Ahmedit, këto janë sfidat kryesore të politikës parandaluese të këtij fenomeni në vendin tonë:

“Themelimi dhe funksionimi i këshillave komunalë për parandalim të delikuencës së fëmijëve në komunat ku të njejtat nuk i kanë formuar, apo i kanë të formuar por këto këshilla janë jofunksionalë (në vitin 2020 në RMV kanë funksionuar vetë 18 këshilla komunal për parandalim). Identifikimi dhe forcimi të faktorëve mbrojtës/parandalues siç janë familja, arsimimi, mjedisi jetësor i fëmijëve etj., Ndërmarrja e veprimeve me karakter parandalues për identifikim dhe luftim të faktorëve të rrezikut ndaj fenomenit të delikuencës së fëmijëve. Për të luftuar dhe parandaluar kriminalitetin e fëmijëve në vend, kërkohet bashkëpunim më efikas ndërinstitucional. Në këtë drejtim, Ligji i drejtësisë për fëmijët i obligon të gjitha organet e administratës shtetërore, gjykatat, prokuroritë publike, si dhe personat juridikë të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sferën e arsimit, edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve për të bashkëpunuar me Këshillin shtetëror për parandalimin e delikuencës së fëmijëve”, tha profesoresha Blerta Ahmedi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button